Tianjin, zona financiare nxit zhvillimin e ekonomisë reale

2017-04-19 15:53:52 CRI Komenti juaj Printoni

Qeveria kineze po nxit strategjinë kombëtare për zhvillimin e koordinuar të rajonit Pekin-Tianjin-Hebei, duke përcaktuar rolin e tyre gjatë këtij procesi. Tianjin-i, si port i rëndësishëm në Kinën Veriore, synon të bëhet një zonë financiare pilot novacioni. Ky qytet ka krijuar një platformë komplekse shërbimesh financiare, duke eksploruar një sërë produktesh e shërbimesh të reja financiare dhe duke formuar një zonë financiare që i ka dhënë gjallëri të re ekonomisë reale në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei.

Para afro 100 vjetësh, Tianjin-i ka qenë qendra financiare e mbarë Kinës. Rruga "Jiefang Beilu" në qendër të qytetit, në vitet '20 njihej si "Wall Street"-i Lindor dhe Muzeu Financiar i Kinës ndodhet atje. Tani pranë Zonës së Tregtisë së Lirë të Tianjin-it është ndërtuar distrikti Dongjiang me nivel të ulët taksash. Në këtë distrikt kryhet 90 % e marrjes me qira të aeroplanëve në mbarë vendin, 100 % e marrjes me qira të platformave detare dhe 80 % e marrjes me qira të anijeve ndërkombëtare. Ndryshe nga produktet tradicionale financiare, marrja me qira e aeroplanëve, anijeve, makinerive e pajisjeve të tjera të mëdha është një lloj i ri produkti financiar. Qiradhënia financiare po nxit ndërtimin infrastrukturor dhe zhvillimin e sektorit të energjisë së re. Zv.kryetari i distriktit Dongjiang, Zhang Zhongdong, thotë:

"Çdo biznes qiradhënieje nxit drejtpërdrejt shërbimet financiare për zhvillimin e ekonomisë reale dhe të industrisë. Mbi 40 ndërmarrje shtetërore dhe shumë ndërmarrje lokale të Hebeit kanë krijuar këtu kompani qiradhënieje. Trenat e shpejtësisë së lartë dhe metrotë në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei kanë filluar të përdorin gjithnjë e më shumë marrjen me qira për të zgjidhur problemet e ndërtimit infrastrukturor dhe zbatimit të projekteve. Ka edhe disa kompani që merren me investime në automjetet me energji të re dhe sektorin fotovoltaik. Unë mendoj që kjo mënyrë e re financimi ka luajtur rol të drejtpërdrejtë nxitës për integrimin ekonomik, shoqëror dhe mjedisor të disa qyteteve të ndryshme."

Qiradhënia financiare ka ulur ndjeshëm koston e biznesit. Kompania CRCC merret me projekte të mëdha ndërtimi në Kinë dhe mbarë botën. Drejtorja për rreziqet financiare e kësaj kompanie, Lu Xu, bën të ditur:

"Kostoja e këtyre projekteve të mëdha që zbatojmë, në përgjithësi është ulur me 5 % - 10 % në krahasim me kredimarrjen nga bankat."

Distrikti Dongjiang është zonë kombëtare pilot e qiradhënies financiare. Deri në fund të vitit të kaluar, këtu u regjistruan 2119 kompani të qiradhënies financiare, duke zënë mbi një të tretën e numrit të përgjithshëm të kompanive të tilla në mbarë Kinën. Sipas të dhënave nga Komisioni Rregullator Bankar i Kinës, deri në qershor të vitit të kaluar, vëllimi i përgjithshëm i aseteve të këtij sektori arriti në 1.85 trilionë juanë, duke sjellë një ndryshim të madh në sektorin financiar të Kinës në përgjithësi dhe në qiradhënien financiare në veçanti. Në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, e gjithë marrja me qira e aeroplanëve nuk bëhej në Kinë, por jashtë vendit, ndërsa tani ky biznes mund të kryhet vetëm në Dongjiang.

Përveç qiradhënies financiare, edhe fondi i zhvillimit të koordinuar Pekin-Tianjin-Hebei është një produkt i ri financiar i Tianjin-it. Nëpërmjet këtij fondi është siguruar pjesëmarrja e institucioneve financiare dhe e fondeve private në strategjinë kombëtare, duke u bërë një mënyrë efektive për mbledhjen e kapitaleve shoqërore dhe për rritjen e efektivitetit të shfrytëzimit të fondeve për zhvillimin rajonal. Tani, ky fond është përdorur në projektet në Baodi dhe Dongli. Me modelin e ri të zhvillimit të koordinuar financiar mes tre rajoneve, është formuar një sistem i ri "megafinanciar" shumështresor dhe me një nivel të madh hapjeje. Sipas zv.drejtorit të Zyrës Rregullatore Bankare të Tianjin-it, Wang Wengang, është realizuar ajo që ai e quan "1+1+1 është më e madhe se 3", pra ku e tëra është më e madhe se shuma e pjesëve përbërëse të saj:

"Kyçi për koordinimin financiar mes Pekinit, Tianjin-it dhe Hebei-t është që të thyhet koncepti i vjetër i ndarjes dhe që të mos shihen ato si dega e Tianjin-it, dega e Pekinit ose dega e Hebei-t, por të realizohet financimi i përbashkët dhe i koordinuar ku '1+1+1 bëjnë më shumë se 3'. Në Tianjin, ne kemi krijuar aktivisht një urë koordinimi mes qeverisë, bankave dhe biznesit, për t'i orientuar institucionet financiare në distriktin tonë t'i shfrytëzojnë më mirë burimet e tyre. Kështu, selitë e këtyre institucioneve financiare mund t'i shohin Pekinin, Tianjin-in dhe Hebein si një qark të kompletuar financiar dhe t'i shpërndajnë më mirë burimet e tyre ose të plotësojnë kërkesat e ndryshme sipas gjendjes së përgjithshme."

Megjithëse sistemi megafinanciar dhe qarku i madh financiar janë dy koncepte të reja, në Pekin-Tianjin-Hebei po praktikohet aktivisht ky model i ri, sepse me të mund të ndërthuren më mirë sektori tradicional financiar dhe sektorët e rinj. Kështu, ekonomia në këtë rajon, madje në mbarë vendin, mund të nxitet në mënyrë të mëtejshme. Me këtë qark të madh financiar, do të formohet një grup megaqytetesh me Pekinin në qendër.(Jiang Lei)

Mrekulli