Lai Meisong, shkollëlënësi që u bë miliarder

2017-04-19 15:53:46 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesi dhe kryezyrtari ekzekutiv i kompanisë së postës së shpejtë "ZTO Express", Lai Meisong, nga një i ri që ndërpreu shkollën për shkak të varfërisë së familjes, është tani një ndër njerëzit më të pasur në Kinë. E gjithë kjo falë jo vetëm aftësive të tij sipërmarrëse, por edhe të zhvillimit shumë të madh që ka pasur sektori i postës së shpejtë, që nga ana e saj është nxitur nga rritja mbresëlënëse e tregtisë elektronike në Kinë.

Lai Meisong ka lindur në dhjetor të vitit 1970 në Tianmingling, një fshat malor në Tonglu të provincës Zhejiang në Kinën Lindore. Fshati i tij ndodhej 40 kilometra larg qendrës së komunës dhe rruga për të shkuar deri aty ishte shumë e vështirë. Kur ishte në klasë të pestë, Lai Meisong-u shkoi me grupin e këngëve dhe valleve të shkollës për të marrë pjesë në një veprimtari në qendër të komunës. Rruga e keqe bëri që djaloshin ta zinte makina, e megjithatë ai nuk i harxhoi dy juanët që i kishin dhënë me vete prindërit e tij të varfër. Kjo përvojë do ta bënte të vendosur që kur të rritej ta ndihmonte familjen e vet të dilte nga skamja.

Por kjo varfëri e familjes do të ishte shkaku që Lai Meisong-u do të ndërpriste shkollimin. Pas vitit të dytë të shkollës së mesme, në moshën 16-vjeçare, ai u detyrua ta lërë shkollën për shkaqe ekonomike, ndonëse ishte një nxënës i mirë, veçanërisht në matematikë. E ardhmja e të riut dukej më e zymtë se kurrë.

Në moshën 18-vjeçare Lai Meisong-u nisi punë në një fabrikë. Një vit punë aty i dha përvojën e duhur dhe idenë për të hedhur një hap të guximshëm: nisjen e biznesit të vet privat. Zona ku jetonte ishte e pasur me burime pyjore dhe ai vendosi të nisë biznesin e drurit.

19-vjeçari tregoi që në një moshë aq të re aftësi të dalluara sipërmarrëse. Pas një muaji nga fillimi i biznesit, Lai bleu atë që e kishte pasur ëndërr: një biçikletë, ndërsa pas dy muajve bleu për shtëpinë e vet sobën e parë me gaz. Ai e filloi biznesin në gusht, ndërsa deri në fund të vitit kishte fituar 10 mijë juanë. Në vitin e dytë fitimet arritën në 100 mijë juanë.

Rruga e sipërmarrjes nuk ishte e lehtë, sidoqoftë, me gjithë vështirësitë, Lai Meisong-u ishte i vendosur të mos e linte atë në mes, por të ecte hap pas hapi në të. Në moshën 22-vjeçare, ai ishte sipërmarrësi më i ri në biznesin e drurit në rajon, dhe kishte fituar emër si një biznesmen i ndershëm, i besueshëm dhe punëtor.

Por më pas, një tjetër biznes nisi të zhvillohej në Tonglu, ai i postës së shpejtë. Mjaft nga kolegët e Lai Meisong-ut po hynin në këtë biznes dhe ai po ashtu e kuptoi se në njëfarë mënyre ky do të ishte një biznes i së ardhmes. Por ideja e tij për të investuar 500 mijë juanë si kapital fillestar për krijimin e një kompanie të postës së shpejtë, hasi kundërshtimin e së shoqes. Djali i tyre kishte sapo kishte filluar shkollën fillore dhe harxhimi i pothuaj të gjitha kursimeve për të krijuar një kompani të re, teksa biznesi i drurit po ecte mirë, gruas së Lai Meisong-ut i dukej një aventurë e rrezikshme. Më në fund çifti arriti njëfarë kompromisi: Lai Meisong-u do ta vinte në jetë planin e tij për nisjen e biznesit të ri, por pa hequr dorë nga vazhdimi i biznesit të vjetër. Dhe kështu në vitin 2002 Lai Meisong-u krijoi "ZTO Express".

Edhe ushtrimi i një biznesi të vetëm në një treg me një konkurrencë të madhe si ai kinez është diçka shumë e vështirë, pa folur pastaj për një biznes të dytë, krejt të ndryshëm nga i pari. Për më tepër që Lai Meisong-u vlerësohej si një "vrapues" që e kishte nisur garën me vonesë. Por këmbëngulja, aftësitë dhe përvoja në biznes të Lai Meisong-ut bënë që shpejt kompania e tij të ecte në një hap me kompanitë e tjera kineze të postës së shpejtë. Lai Meisong beson se nuk ka thjesht rëndësi se çfarë bën, por edhe ta bësh mirë atë që bën. Dhe kështu ai u mbijetoi të gjitha vështirësive që hasi njëra pas tjetrës. Me kalimin e kohës, sipërmarrja e tij e re u rrit aq shumë, saqë ai e shiti biznesin e vet të drurit dhe të ardhurat i përdori për zgjerimin e "ZTO Express".

Masa e parë që mori Lai Meisong-u ishte krijimi i një rrjeti ndërrajonal të tranportit rrugor. Në atë kohë, kompanitë kryesore të postës ekspres shfrytëzonin kryesisht rrugët ajore ose hekurudhore. Ideja e Lai Meisong-ut doli e suksesshme. Hapja e rrjetit ndërrajonal të transportit rrugor luajti rol të madh në rritjen e shpejtë të vëllimit të biznesit të "ZTO Express" në vitet e ardhshme.

Në tetorin e vjetshëm, "ZTO Express" u regjistrua në Bursën e Nju-Jorkut, me një ofertë publike fillestare 1.4 milionë dollarë. Kjo ishte oferta publike fillestare më e madhe në bursat amerikane vjet dhe oferta e dytë më e madhe e një kompanie kineze në bursat amerikane, pas gjigantit "Alibaba", prej 25 miliardë dollarësh në vitin 2014. Kjo e çoi vlerën e tregut të "ZTO Express" në më shumë se 25 miliardë dollarë. Ndërkohë, pasuria e Lai Meisong-ut vlerësohet tani në 2.9 miliardë dollarë.

"Objektivi ynë është është të krijojmë vlerë për aksionerët tanë dhe t'i ndihmojmë njerëzit e zakonshëm të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të kenë një jetë të re," shprehet Lai Meisong-u. "Përgjatë afro 15 vjetëve viteve ne kemi krijuar 200 000 vende pune dhe kemi lehtësuar qarkullimin e mallrave brenda vendit. Përveç kësaj, kemi ndihmuar në përmirësimin e nivelit të jetesës në zonat rurale, duke i nxjerrë produktet e tyre bujqësore jashtë këtyre zonave dhe duke dërguar aty produkte industriale. Misioni ynë është që të bëjmë të lumtur sa më shumë njerëz me shërbimet tona."

Mrekulli
Lajmet Kryesore