Kinë, zonat e tregtisë së lirë futen në fazën e tretë

2017-04-12 14:41:56 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit në Kinë ka filluar zyrtarisht ndërtimi i shtatë zonave të reja të tregtisë së lirë. Në krahasim me zonat e mëparshme të tregtisë së lirë, të krijuara në rajonet bregdetare, ky kontingjent i ri ndodhet kryesisht në pjesën qendrore, perëndimore dhe verilindore të vendit.

Tani në Kinë ka katër zona të tregtisë së lirë, të cilat ndodhen përkatësisht në Shangai, Guangdong, Tianjin dhe Fujian. Ndërkohë, shtatë zonat e reja do të ngrihen në Liaoning, Zhejiang, Henan, Hubei, Chongqing, Sichuan dhe Shanxi. Kështu, në mbarë Kinën do të gjithsej 11 zona të tregtisë së lirë, gjë që tregon se strategjia e Kinës për zonat e tregtisë së është futur në fazën e tretë. Lidhur me këto zona të reja, zv.ministri i Tregtisë i Kinës Wang Shouwen shprehet:

"Së pari, përvoja e zonave të tregtisë së lirë duhet të promovohet në mbarë vendin. Ndërtimi i tyre në krahinat perëndimore e qendrore, si dhe verilindore, do të ofrojë një përvojë më të plotë dhe ne mund të testojmë lidhur me rreziqet e mundshme. Një gjë e tillë është në të mirë të ngritjes së kësaj përvoje në një nivel më të lartë dhe të shtrirjes më të gjerë të saj në vend. Së dyti, këto zona të tregtisë së lirë ndërtohen me synimin që të japin mbështetje për një numër strategjish kombëtare, si strategjitë për zhvillimin e krahinave perëndimore, lulëzimin e krahinave verilindore, mëkëmbjen e krahinave qendrore, zhvillimin e koordinuar të rajonit Pekin-Tianjin-Hebei, zhvillimin e Brezit Ekonomik përgjatë lumit Jance dhe zbatimin e nismës 'Një Brez dhe Një Rrugë'. Gjithashtu, do të nxitet zhvillimi mes krahinave të brendshme dhe Hongkongut e Makaos dhe do të thellohet bashkëpunimi ekonomik mes dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit. Së treti, në projektin e përgjithshëm kemi marrë parasysh gjendjen e ndryshme në këto zona dhe do të bëhen eksperimentime të ndryshme gjatë procesit të ndërtimit."

Siç vuri në dukje z. Wang Shouwen, shtatë zonat e reja të tregtisë së lirë do të kenë veçantinë e tyre. Për shembull, zona e tregtisë së lirë në Shanxi do të përqendrohet tek rinovimi i sistemit të bashkëpunimit bujqësor dhe shtimi i bashkëpunimit me vendet përgjatë Brezit Ekonomik dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit XXI. Në zonën e tregtisë së lirë në Sichuan, fokusi do të jetë në bashkërendimin e zhvillimit mes krahinave të brendshme dhe atyre bregdetare. Zona e tregtisë së lirë në Chongqing do të nxitë zhvillimin e përbashkët të nismës "'Një Brez dhe Një Rrugë" dhe Brezit Ekonomik të lumit Jance. Zv.kryetari i bashkisë së Chongqingut, Liu Guiping, u shpreh:

"Ne do të përmirësojmë më tej transportin ajror, hekurudhor dhe lumor, duke integruar funksionet e komunikacionit, taksave të ulëta dhe logjistikës në një platformë të hapur, për të rritur kapacitetet transportuese të qytetit Chongqing dhe për të luajtur më mirë rolin e një artereje të hapur komunikacioni. Tani ka tre linja të tilla. E para, drejt perëndimit, në bazë të hekurudhës Chongqing-Xinjiang-Europë, do të thellojë bashkëpunimin ekonomik me vendet e rajonet përgjatë Rrugës së Mëndafshit. E dyta, drejt lindjes, në bazë të lumit Jance, do të nxitë zhvillimin e bashkërenduar mes Brezit Ekonomik të lumit Jance dhe Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit. E treta, drejt jugut, në bazë të linjës hekurudhore Chongqing-Kunming dhe të logjistikës rrugore, do të shtojë lidhjet tregtare me vendet e ASEAN-it dhe të Azisë Jugore. Në bazë të këtyre platformave dhe linjave, do të eksplorojmë një sistem të ri logjistik me mënyra të shumta transporti."

Zona e tregtisë së lirë në Hubei do të nxitë kryesisht zhvillimin me inovacion dhe integrimin e zhvillimit të krahinave qendrore me strategjinë e Brezit Ekonomik të lumit Jance. Ndërkohë në Henan, do të formohet një platformë ndërkombëtare logjistike, për të ulur koston e transportit. Në Zhejiang, një ndër përparësitë kryesore do të jetë nxitja e tregtisë së jashtme nëpërmjet ndërtimit të bazave ndërkombëtare të shërbimit detar dhe të depozitimit të naftës. Liaoning, si një bazë e vjetër industriale, do të fokusohet te thellimi i reformave lidhur me ndërmarrjet në pronësi shtetërore. Zv.guvernatori i provincës Liaoning, Wang Dawei, thotë:

"Ne do të hapim pika eksperimentale në zonën e tregtisë së lirë, do të eksplorojmë mundësinë e përplotësimit për sa u përket epërsive në kapitale, do të nxisim integrimin e sistemeve të ndryshme dhe do të përsosim modelin e menaxhimit të ndërmarrjeve shtetërore. Në bazë të kësaj platforme të rëndësishme, do të nxitet reforma strukturore nga fushën e ofertës, do të zhvillohet sektori i shërbimeve të prodhimit dhe do të nxitet ndryshimi i modelit të zhvillimit."

Wang Shouwen theksoi se këto përvoja në zonat e ndryshme të tregtisë së lirë kanë veçantinë e tyre dhe mund të merren e të përhapen në mbarë vendin.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore