"Boao 2017", publikohet deklarata për globalizimin

2017-04-04 09:59:23 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit u zhvillua në Kinë takimi vjetor i Forumit Aziatik të Boaos për vitin 2017. Në përfundim të këtij takimi u publikua një deklaratë për nxitjen e globalizimit ekonomik. Në takimin e sivjetshëm morën pjesë përfaqësuesit e qarqeve ekonomike të Azisë, si këshilltari shtetëror i nderit i Singaporit, Goh Chok Tong, presidenti i Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, Jin Liqun, dhe guvernatori i Bankës Popullore të Kinës, Zhou Xiaochuan. Pjesëmarrësit diskutuan lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me globalizimin dhe tregtinë e lirë. Tema e takimit të sivjetshëm ishte "Perspektiva e globalizimit dhe e tregtisë së lirë".

Në deklaratën për nxitjen e globalizimit, të publikuar në takimin vjetor të Forumit të Boao 2017, vihet në dukje se tani ekonomia botërore përballet me një presion të madh dhe antiglobalizimi e proteksionizimi janë në rritje, çka mund të ndikojë negativisht mbi tregtinë dhe investimet ndërkombëtare. Në këto kushte, vendet aziatike duhet të ngulin këmbë në hapjen e tregut, rritjen gjithëpërfshirëse e bashkëpunimin, për të siguruar zhvillimin e përbashkët dhe rritjen e vazhdueshme të rajonit.

Këshilltari i shtetit i Singaporit Goh Chok Tong u shpreh që globalizimi i ka sjellë përfitime të dukshme ekonomisë botërore, por duhet të trajtohen në mënyrë efikase faktorët negativë.

"Tani duhet t'u kushtojmë vëmendje elementeve negative të globalizimit dhe duhet të shmangim antiglobalizimin. Unë mendoj që globalizimi nuk mund të ndalet dhe zhvillimi i teknologjisë e i internetit nuk mund të kufizohet, por duhet të trajtohen patjetër faktorët negativë të globalizimit. Nga njëra anë, vendet e pazhvilluara mund të kapin ritmet e zhvillimit dhe, nga ana tjetër, vendet e tjera mund të krijojnë vende të reja pune nëpërmjet riarsimimit dhe rikualifikimit, për të punësuar përsëri ata që kanë dalë të papunë," thotë Goh Chok Tong.

Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore (BAII) ka nisur funksionimin më shumë se një vit më parë dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në procesin e globalizimit. Presidenti i kësaj banke Jin Liqun u shpreh se, megjithëse shkalla e përfitimit është e ndryshme, nga globalizimi ekonomik nuk ka humbës. Ai theksoi se nga investimet infrastrukturore në procesin e globalizimit mund të përfitojnë më shumë njerëz.

"Dua të theksoj që, megjithëse palët e ndryshme kanë përfitime të ndryshme, nga globalizimi i ekonomisë nuk ka të humbur. Në një vend mund të ketë punëtorë që humbasin vendet e punës, por ata mund të ndihmohen nga rregullimi i politikave makroekonomike të qeverisë. Ankesat nuk sjellin përfitime për askënd. Kështu, investimet infrastrukturore kanë shtuar nivelin e ndërlidhshmërisë, duke ofruar edhe një temë diskutimesh mes qeverive. Nga investime të tilla mund të përfitojnë më shumë njerëz. Prandaj, puna jonë nuk është thjesht ndërtimi i hekurudhave ose i centraleve në ndonjë vend, por shpresojmë që të gjitha projektet e ndërtimit infrastrukturor të bashkërendohen me sukses dhe qytetarët të favorizohen dhe jo të dëmtohen nga këto investime," thotë Jin Liqun.

Në marsin e sivjetshëm u zhvillua në Gjermani takimi i ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të G20-s. Për herë të parë në dhjetë vjet në komunikatën e një takimi të tillë nuk u përmend termi "antiproteksionizëm", pasi ShBA-ja e kundërshtoi një gjë të tillë, duke u shprehur për vendosjen e taksave kufitare ndaj produkteve të importuara në tregun e saj. Lidhur me këtë, guvernatori i Bankës Popullore të Kinës Zhou Xiaochuan u shpreh në takimin vjetor të Forumit të Boaos se, që të inkurajohet eksporti, duhet të lejohen eksportuesit të zgjedhin lirshëm lidhur me importimin e lëndëve të para dhe teknologjisë.

"Unë nuk e di si është vendimi përfundimtar për taksat kufitare. Kjo mund të shtojë eksportet e ShBA-së dhe të sjellë kufizime mbi importet. Ne në Kinë kemi zbatuar prej shumë vjetësh politikën e hapjes dhe e kuptojmë shumë qartë që, nëse ti inkurajon eksportin, duhet të lejosh eksportuesit të zgjedhin në mënyrë të lirë lëndët e para dhe teknologjitë që duan të importojnë. Nëse ka kufizime në këtë drejtim, nuk mund të kesh çmime konkurruese dhe nuk mund të gjesh zgjidhje më të mira për lëndën e parë, teknologjinë dhe talentet," thotë Zhou Xiaochuan, guvernatori i bankës qendrore kineze. (Jiang Lei)

Mrekulli