Yu Huijiao, pasurimi i shpejtë nga posta e shpejtë

2017-04-04 09:59:16 CRI Komenti juaj Printoni

Teknologjia e informacionit ka qenë industria që kohët e fundit ka krijuar numrin më të madh të të pasurve në Kinë, por tashmë është një tjetër sektor, shumë më pak "high tech", por i lidhur me të, që ka prodhuar valën më të fundit të miliarderëve në Kinë. Firmat e logjistikës kanë përfituar nga lulëzimi i tregtisë elektronike në Kinë, teksa platformat e kësaj tregtie në zotërim të "Alibaba"-s apo "Jingdong" janë bërë shumë popullore ndër konsumatorët.

Gjashtë miliarderët kinezë të postës së shpejtë gjatë më pak se një viti kanë pasur një rritje të ndjeshme të pasurisë së tyre, e cila arrin gjithsej në më shumë se 47 miliardë dollarë.

Njëri prej tyre, Wang Wei i "S.F. Express", i shtoi plot 22.7 miliardë pasurisë së vet, që arriti në 27.6 miliardë. Kështu Wang u rendit i treti në listën e njerëzve më të pasur në Kinën kontinentale, menjëherë pas Jack Ma-së së "Alibaba"-s dhe duke zhvendosur në vendin e katërt Ma Huateng-un, themeluesi i një tjetër gjiganti interneti, "Tencent".

Për Wang Wei-n kemi folur tashmë në emisionet tona. Ndërkohë, përfituesi i dytë më i madh ndër biznesmenët e sektorit të logjistikës në Kinë është Yu Huijiao, themeluesi i "YTO Express".

Më shumë se 15 vjet më parë, faturat e papaguara të klientëve e çuan drejt falimentimit firmën arkitekturore të Yu Huijiao-s. Atij iu desh një dekadë për të paguar kreditorët "dhe për të marrë më në fund frymë lirisht", kujton Yu Huijiao.

Gjatë asaj kohe, në provincën e tij të lindjes, Zhejiang, në Kinën Lindore, ishin krijuar një numër kompanish të reja postare, që plotësuan zbrazëtinë në këtë sektor, teksa ritmet e rritjes së ekonomisë kineze po sa vinin e përshpejtoheshin. Yu mendoi ta provonte edhe ai të përfshihej në një biznes të tillë, në një metropol si ai i Shangait, jo larg Zhejiang-ut. Dhe kështu, me para të marra hua dhe me 15 veta të punësuar, bashkë me të shoqen, në maj 2000 Yu Huijiao krijoi Kompaninë e Logjistikës "YTO Express" të Shangait. Në fillim ata i dërgonin pakot me biçikleta, dhe Yu Huijiao vetë e ngiste biçikletën rreth e qark qytetit duke bërë të njëjtën gjë.

Me gjithë vështirësitë e fillimit dhe konkurrencën e madhe, "YTO Express" arriti jo vetëm të mbijetojë, por edhe të rritet, duke u bërë ndër kompanitë kryesore postare fillimisht në Shangai, e më pas në mbarë Kinën. Derisa vjet Yu Huijiao hyri në listën e miliarderëve, kur pasuria e tij arriti në 7.5 miliardë dollarë, ose biznesmeni i dytë më i pasur në sektorin e logjistikës në Kinë. Ai e arriti një gjë të tillë pasi YTO bleu firmën e prodhimit të veshjeve "Dayang Trands" të Dalian-it, një kompani e regjistruar në bursë. Pas blerjes nga "YTO Express", aksionet e "Dayang Trands" patën një rritje të shpejtë, duke e bërë pronarin e saj të ri miliarder.

"YTO Express" ka deklaruar se synon ta përdorë kapitalin e vet të ri për të rritur kapacitetin dhe për të përshpejtuar shërbimin e vet, duke ndërtuar qendra shpërndarjeje dhe duke përdorur pajisje më të sofistikuara.

Entuziazmi dhe besimi i investitorëve te "YTO Express" është i kuptueshëm. Numri i dërgesave postare në Kinë që prej vitit 2008 ka pasur një rritje vjetore 45 %, duke u nxitur nga kthimi i Kinës në tregun më të madh të tregtisë elektronike në botë. "YTO Express" vendosi lidhje me gjigantin "Alibaba", si një partner logjistik i "Taobao"-s, platforma e tregtisë elektronike të "Alibaba"-s, dhe përmes investimeve nga ky grup. Dhe kështu të ardhurat e YTO u rritën ndjeshëm, duke arritur në 1.8 miliardë dollarë në vitin 2015.

"YTO Express" ofron shërbime mbi bazën e parimit të dërgimit brenda ditës brenda të njëjtit qytet ose një zone të caktuar dhe të mbërritjes të nesërmen nëse dërgimi bëhet në rrugë ajrore, duke ofruar shërbimin e pagesës pas marrjes së mallit. Kompania gjithashtu synon të krijojë platformën e vet të tregtisë elektronike.

Yu Huijiao ka bërë të ditura planet për ta shtuar flotën e YTO-së në 50 aeroplanë deri në vitin 2020.

"Jo vetëm dhjetëvjeçari i kaluar, por edhe disa vitet në vijim do të jenë një periudhë e artë për zhvillimin e kompanive kineze të postës së shpejtë," shprehet John Song, drejtori i logjistikës e transportit për Kinën në firmën e konsulencës "Deloitte". "Ka një potencial të madh për zhvillimin e këtyre kompanive."

Por Yu Huijiao nuk është i kënaqur vetëm me tregun kinez. Ai kujton mbresat që i la vizita në kompaninë më të madhe të dërgimit të pakove në botë, UPS, gjatë udhëtimit të tij të parë në ShBA në vitin 2007. Ai shkoi përsëri në Amerikë në vitin 2015, kur ishte pjesë e një delegacioni biznesi që shoqëroi presidentin Xi Jinping. Yu Huijiao thotë se shpreson që të udhëtojë përsëri atje në vitin 2020, por këtë herë si drejtuesi i njërës prej pesë kompanive më të mëdha të logjistikës në botë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore