Forumi i Lartë i Zhvillimit i Kinës 2017, thirrje për globalizim

2017-03-30 14:20:46 CRI Komenti juaj Printoni

Vjet faktorë të ndryshëm bënë që zhvillimi i ekonomisë kineze dhe asaj botërore të kishte paqëndrueshmëri të mëdha. Në Forumin e Lartë të Zhvillimit të Kinës 2017, të zhvilluar ditët e fundit në Pekin, pjesëmarrësit ishin të mendimit që edhe sivjet ekzistojnë ende rreziqe në fushat politike e ekonomike. Prandaj, sipas tyre, vetëm reformat e thella strukturore, hapja e vazhdueshme dhe globalizimi i mëtejshëm mund të zbutin ndikimet negative nga gjendja e paqëndrueshme e ekonomisë botërore, duke nxitur rastet e zhvillimit.

Në këtë forum, zv.drejtori i Qendrës së Studimit të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës Wang Yiming u shpreh se, nga një këndvështrim afatgjatë, globalizimi ka nxitur zhvillimin global, përparimin shkencor dhe rritjen e produktivitetit. Ai mendon se forcimi i prirjes së tanishme antiglobaliste ka lidhje të ngushtë me rritjen e ulët të ekonomisë botërore.

"Qysh nga fillimi i krizës financiare globale në vitin 2008, rritja e ulët e ekonomisë botërore, që ka zgjatur për tetë vjet, ka goditur disa grupe njerëzish, si p. sh. punëtorët, dhe mosmarrëveshjet mes shtresave të ndryshme janë bërë më të dukshme. Si mund ta përballojmë një gjendje të tillë? Të frenojmë globalizimin? Të ecim prapa, apo të vazhdojmë të çojmë përpara globalizimin? Kjo lidhet ngushtë me procesin e mëkëmbjes së globalizimit," thotë Wang Yiming.

Shefja e stafit e Organizatës së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik dhe koordinatorja e G20-s, Gabriela Ramos, u shpreh në Forumin e Lartë të Zhvillimit të Kinës se, megjithëse ekonomia botërore është në rritje, kjo rritje përsëri është më e vogël se para krizës së vitit 2008, kur ishte 4 %. Ramos mendon që, në kushte të tilla, palët duhet t'i kushtojnë një vëmendje shtimit të zërave për një mbyllje më të madhe të tregut:

"Afro 40 % e popullsisë botërore nuk ka pasur rritje të të ardhurave në dhjetë vjetët e kaluar. Në fakt, shpërndarja e të ardhurave ka qenë shumë e pabarabartë. Ky 40-përqindësh i popullsisë botërore ka mbetur në gjendjen e të ardhurave të ulëta, mundësive të pakta dhe perspektivës jo të mirë. Por, zgjidhja për këtë gjendje të vështirë nuk mund të varet nga mbyllja e tregut, nga mbyllja e vendeve të tyre, por duhet bërë më mirë shpërndarja e të ardhurave. Ne duam që të gjithë të përfitojnë nga globalizimi. Kjo përbën një sfidë për ne. Si të garantojmë kujdesin për shtresat e paprivilegjuara? Si të garatojmë një rritje ekonomike që jo vetëm sjell fitime, por edhe mbron mjedisin dhe siguron zhvillimin e vazhdueshëm?"

Pjesëmarrësit në këtë forum ishin të mendimit që kërkesa e pamjaftueshme është një faktor i rëndësishëm që ndikon në perspektivën e ekonomisë botërore. Zv.drejtori i Qendrës së Studimit të Zhvillimit Wang Yiming u shpreh që tani Kina po nxit aktivisht ndryshimin e mënyrës së zhvillimit dhe, në të ardhmen, në fokus do të jenë cilësia dhe efektiviteti i rritjes ekonomike. Ai theksoi që ekonomia kineze është e ndërthurur ngushtë me ekonominë botërore dhe Kina po shndërrohet nga "fabrika e botës" në "tregun e botës". Kjo, sipas tij, do të stimulojë kërkesën globale dhe do të japë energji rritjes globale.

"Vëllimi i konsumit në Kinë në vitin 2006 zinte vetëm 6.6 % të vëllimit të përgjithshëm botëror, ndërsa dhjetë vjet më pas ky nivel arriti në 15 %. Në pesë vjetët e ardhshëm, importi i mallrave do t'i kalojë 8 trilionë juanët, importi i tregtisë së shërbimeve do të arrijë mbi 2 trilionë juanë dhe numri i turistëve jashtë vendit do të arrijë në 700 milionë. Të gjitha këto janë kërkesa kolosale të tregut. Tani Kina po përpiqet për zhvillimin me inovacion. Kjo do të thellojë zinxhirin global të vlerës dhe do të krijojë më shumë vende pune për zgjerimin e zinxhirit industrial global. Kina po shton investimet jashtë vendit dhe kompanitë kineze do të krijojnë më shumë vende pune në destinacionet e investimeve. Ky është kontribut për mbarë botën," thotë Wang Yiming.

Tani ekonomia botërore ndodhet në një fazë kyçe rimëkëmbjeje. Pas tetë vjetësh ristrukturimi, në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, ekonomia botërore shënoi një pikënisje të re. Ekonomitë kryesore të botës patën rritje të Treguesit të Menaxherëve të Blerjes (PMI), çmimi i mallrave të paambalazhuara u ngrit dhe rreziku i inflacionit u zbut. Zv.presidenti i FMN-së Zhang Tao u shpreh që ekonomitë e reja vitet e fundit kanë dhënë mbi 70% kontribut për rritjen globale dhe në kushtet e tanishme, këto ekonomi, duke përfshirë edhe atë kineze, duhet të vazhdojnë të luajnë një rol nxitës. Sipas Zhang Tao-s, vetëm me reforma të thella strukturore, hapje të vazhdueshme dhe globalizim të mëtejshëm, ekonomia botërore mund të kalojë këtë periudhë paqartësie dhe të ketë më shumë mundësi zhvillimi.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore