Yu Yu, "librashitësja" në internet

2017-03-30 14:20:10 CRI Komenti juaj Printoni

Drejtorja ekzekutive e kompanisë kineze të tregtisë në internet "Dangdang", Yu Yu, me këmbënguljen dhe aftësinë e saj sipërmarrëse, e ka kthyer uebsajtin e kësaj kompanie në librarinë më të madhe në internet në Kinë, duke e zgjeruar më tej drejt një platforme të përgjithshme të tregtisë në internet, për të përfituar nga zhvillimi i jashtëzakonshëm i këtij sektori në vendin më të populluar të botës.

Yu Yu, e njohur edhe si Peggy Yu, ka lindur në Chongqing të Kinës në vitin 1965. Ajo u diplomua për gjuhën angleze në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit dhe më pas nisi punë si përkthyese në një kompani në Pekin. Pas disa vitesh Yu Yu shkoi në ShBA për të vazhduar studimet, duke marrë një Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Nju-Jorkut në vitin 1992. Në vijim ajo nisi punë si konsulente financiare në "Wall Street". Në vitin 1996 Yu takoi Li Guoqing-un, një botues librash, i cili do të bëhej bashkëshorti i saj i ardhshëm. Pas dy vjetësh çifti u rikthye në Kinë.

(Foto 2)

Arsimimi dhe puna në ShBA i kishin dhënë Yu Yu-së përvojën dhe kapitalin e nevojshëm për t'u bërë një sipërmarrëse. Megjithatë, në fillim Yu Yu thjesht ndihmoi të shoqin në menaxhimin e shtëpisë së tij botuese, por më vonë ajo shprehu mendimin se kjo sipërmarrje do të funksiononte më mirë si një uebsajt që merrej me tregtimin e librave. Dhe kështu në vitin 1999 Yu Yu dhe i shoqi krijuan "Dangdang", që është tani libraria më e madhe në internet në Kinë. Në të vërtetë, ideja për një kompani të tillë Yu Yu-së i kishte lindur që gjatë qëndrimit në ShBA, kur pasioni i saj pas pune ishte që të shkonte nëpër libraritë e ndryshme për të blerë libra. Ajo po ashtu kishte ndjekur me vëmendje zhvillimin e "Amazon" kur punonte në "Wall Street".

Por nuk ishte e lehtë, po të kishe parasysh se në fund të viteve '90 të shekullit të kaluar tregu ishte i ngarkuar, pasi kishte rreth 50 librari në internet në Kinë. Por "Dangdang"-u ia doli të sigurojë një investim prej 6 milionë dollarësh, e megjithëse disa nda konkurrentët arritën të thithnin investime edhe më të mëdha, "Dangdang" dhe rivali i vet "Yoyo" dolën mbizotërues të tregut.

Suksesi i "Dangdang"-ut nuk mund të kalonte pa u vënë re. Në fund të vitit 2003, pikërisht duke parë këtë sukses dhe me synimin për të hyrë në tregun me potencial jashtëzakonisht të madh kinez, "Amazon" shprehu interes për blerjen e "Dangdang"-ut. Por ndërsa Yu Yu do të donte ta kishte gjigantin amerikan të tregtisë elektronike një investitor strategjik, objektivi i "Amazon"-it për blerjen e "Dangdang"-ut nuk përkonte me planet e sipërmarrëses ambicioze. Më në fund "Amazon" pagoi 70 milionë juanë për "Yoyo", që tashmë është "Amazon.cn" dhe që vazhdon të jetë konkurrenti kryesor i "Dangdang"-ut.

E megjithatë, kompania e Yu Yu-së vazhdoi rritjen. "Dangdang"-u u bë libraria më e madhe në internet në Kinë, me më shumë se 6 milionë tituj. Po ashtu si "Amazon", edhe "Dangdang"-u vendosi të kalojë në tregtimin edhe të produkteve të tjera, si mallra shtëpiake, veshje, kozmetikë, pajisje dixhitale etj. Një lëvizje e tillë kishte nevojë për kapital, prandaj në vitin 2010 Yu Yu vendosi ta bëjë "Dangdang"-un një kompani publike, duke e regjistruar në Bursën e Nju-Jorkut. Oferta publike fillestare ishte 272 milionë dollarë, vlera e dytë më e madhe e një oferte publike fillestare të një kompanie kineze në bursat amerikane atë vit. Çmimi i aksioneve të kompanisë u rrit 87 % që në ditën e parë të tregtimit. Yu u shpreh se të ardhurat kompania do t'i investonte në logjistikë, me qëllim që dërgesat të arrinin sa më shpejt te klientët.

"Ne shesim sa më shumë produkte që të jetë e mundur në 'Dangdang' dhe

i dërgojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim që të ofrojmë shërbime sa më të mira për klientët dhe rezultate sa më të mira financiare për klientët tanë," shprehet Yu Yu.

Tani në uebsajtin e "Dangdang"-ut regjistrohen mesatarisht 10 milionë përdorues të rinj në vit. Më shumë se 100 mijë veta blejnë çdo muaj produkte në "Dangdang". Kompania ka tani mbi 3 mijë punonjës dhe klientë në më shumë se 50 vende të botës.

(Foto 4)

Yu Yu ka marrë tituj e çmime të ndryshme. Kështu, në vitin 1999, kur krijoi bashkë me të shoqin kompaninë "Dangdang", ajo u shpall "Njeriu që ka bërë lajm në industrinë e internetit i vitit". Katër vjet më vonë, në 2003, ajo mori çmimin "Gruaja e vitit" nga gazeta "Yingcai".

Përveçse është një biznesmene e suksesshme, Yu Yu është edhe një bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar. Ajo ia ka arritur të ekuilibrojë më së miri jetën personale e familjare me karrierën profesionale, duke u përpjekur t'i mbajë të ndara. Bashkë me të shoqin ajo kanë vendosur një rregull, të cilin pothuajse nuk e shkelin kurrë: të mos diskutojnë asgjë që ka lidhje me biznesin e tyre kur ndodhen në shtëpi.

(Foto 5)

Ndryshe nga ç'mund të mendohet, idhulli i Yu Yu-së dhe shembulli i saj në jetë nuk është ndonjë sipërmarrës i famshëm, por gjyshja e saj.

"Me gjithë vuajtjet që kishte kaluar, ajo ishte gjithnjë e buzëqeshur, dhe ka qëndruar gjithmonë e fortë dhe e qetë. Optimizmi dhe guximi i saj kanë pasur një ndikim të madh tek unë," shprehet Yu Yu.

Mrekulli
Lajmet Kryesore