Kina synon rritje 6.5 % të GDP-së në vitin 2017

2017-03-21 16:39:17 CRI Komenti juaj Printoni

Komiteti Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës gjykon se objektivi i qeverisë kineze për rritjen 6.5 % të GDP-së sivjet është i arsyeshëm, duke vënë në dukje se Kina do të marrë masa të mëtejshme për të stimuluar ekonominë reale.

Vjet Kina shënoi një rritje ekonomike me 6.7%, që është niveli më i ulët në 26 vjetët e fundit. Qeveria kineze në raportin e sivjetshëm të punës së saj vendosi objektivin e rritjes 6.5 % të GDP-së. Ka pasur shqetësime për perspektivën e ekonomisë kineze dhe për vështirësitë që i duhet të përballojë asaj. Kryetari i Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës He Lifeng theksoi para mediave se, megjithëse rritja ekonomike po kalon nga shpejtësia e madhe në atë të mesme, vëllimi i ekonomisë po rritet në mënyrë graduale. Ai u shpreh gjithashtu që objektivi i qeverisë kineze për vitin 2017 është i përshtatshëm dhe që Kina ka vullnet dhe besim të plotë për arritjen e këtij synimi.

"Kina ka një popullsi prej afro 1.4 miliardë banorë dhe punësimi është një çështje shumë e rëndësishme. Pa një rritje të përshtatshme, do të jetë shumë e vështirë të shtohen vendet e reja të punës. Sipas përvojës që kemi, çdo rritje 1 % e GDP-së mund të sjellë afro 1.7 milionë vende të reja pune. Këtë vit synojmë të krijojmë mbi 11 milionë vende të reja pune. Vetëm numri i studentëve që diplomohen sivjet do të jetë rreth 8 milionë. Krahas tyre, duhet të konsiderojmë edhe zonat urbane e rurale," thotë ai.

Kryeministri Li Keqiang theksoi në raportin e punës së qeverisë se burimet financiare duhet të shfrytëzohen më shumë në ekonominë reale dhe institucionet financiare duhet të shtojnë shërbimet ndaj kësaj ekonomie. Sipas tij, ndryshimi i modelit të ekonomisë reale i nxitur nga novacioni do të jetë një nga detyrat kryesore për këtë vit. Lidhur me këtë, zv.kryetari i Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës Zhang Yong u shpreh se ky organ do të marrë katër masa kryesore për të shtuar cilësinë e rritjes së ekonomisë reale dhe konkurrueshmërinë e saj.

"Masa e parë është plotësimi i disavantazheve dhe shtimi efikas i ofertës. E dyta është thjeshtimi i mëtejshëm i procedurave administrative dhe mbikëqyrëse. Masa e tretë është nxitja e novacionit, për t'i dhënë më shumë energji zhvillimi. E katërta është vazhdimi i uljes së mbikapacitetit të prodhimit dhe shmangia e kapaciteteve të prapambetura industriale, për të siguruar zhvillimin e shëndetshëm të tregut dhe për të stabilizuar ekonominë reale," thotë Zhang Yong.

Lidhur me mbikapacitetin e prodhimit, qeveria kineze e ka përcaktuar qartë në raportin e saj që në vitin 2017 do të pakësohet prodhimi i hekurit dhe çelikut me 50 milionë tonë dhe i qymyrgurit me mbi 150 milionë tonë. Krahas kësaj, do të ulet me mbi 50 milionë kilovatë kapacitetet e prodhimit nga termocentralet. Lidhur me këtë, nënkryetari i Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës Ning Jizhe u shpreh se pakësimi i kapacitetit të prodhimit mund t'i ndihmojë disa sektorë të rimëkëmben e të dalin nga gjendja e vështirë.

"Prodhimi i energjisë nga qymyrguri është sektori i ri ku do të pakësohen kapacitetet e prodhimit. Në raportin e punës të qeverisë është kërkuar qartë që, njësoj si në sektorin e hekurit e të çelikut dhe qymyrgurit, të pakësohet në mënyrë të vendosur prodhimi i energjisë nga qymyrguri, për të realizuar objektivat përkatëse," thotë Ning Jizhe.

Gjithashtu, në raportin e punës u përmend dendur strategjia "Një Brez dhe Një Rrugë". Kryetari i Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës He Lifeng mendon që kjo strategji në tre vjetët e fundit, ka pasur efekte pozitive dhe është pranuar nga popujt e vendeve përgjatë Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit e Rrugës Detare të Mëndafshit. He thekson se, me më shumë projekte konkrete, strategjia do të ketë edhe më shumë rezultate, çka do të ndihmojë ekonominë kineze dhe ekonomitë e vendeve të tjera përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë".(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore