Fan Xianguo, biznesmeni i makaronave të çastit

2017-03-21 16:37:17 CRI Komenti juaj Printoni

Ritmet e shpejta të jetës në Kinë kanë bërë që të shtohet edhe preferenca për ushqime të shpejta. Krahas përhapjes së fastfudeve të tipit perëndimor, edhe makaronat e çastit kanë qenë popullore për lehtësinë dhe shpejtësinë e gatimit të tyre, duke krijuar një mundësi të mirë biznesi.

Në Kinë, ku mbizotëron transporti hekurudhor, shumica e udhëtarëve parapëlqejnë makaronat e çastit në vend të ushqimit të shtrenjtë në tren. Kina është vendi më i madh konsumatori i makaronave të çastit dhe tregu i saj ka parë shkallën më të lartë të rritjes në mbarë botën prej 20 për qind në vit.

Kur në vitin 1994, Fan Xianguo nga konteja Longyao e provincës Hebei, atëherë 34-vjeçar, mblodhi tetë shokë të tij dhe u sugjeroi të prodhonin makarona çasti, ata të gjithë e quajtën të marrë. Në atë kohë, dy marka tajvaneze, "Master Kang" dhe "Uni-President", zinin pjesën më të madhe të tregut të makaronave të çastit të nivelit të lartë në pjesën kontinentale të Kinës, ndërkohë që kishte më shumë se 1 200 firma prodhuese të makaronave të çastit me 2 000 linja prodhimi, nga të cilat gjysma e kishin ndaluar ose po e ndalonin funksionimin.

Megjithatë, i ashtuquajturi "guxim" i Fan Xianguo-s vinte nga largpamësia dhe mprehtësia e tij sipërmarrëse, pa mënjanuar përvojën e tij dyvjeçare në drejtimin e një biznesi të makaronave të çastit. E teksa të gjitha firmat e mëdha ishin fokusuar në tregun e nivelit të lartë, Fan Xianguo kishte si objektiv tregun masiv.

Ai i bindi të tetë shokët e tij, dhe të gjithë mblodhën mbi 2 milionë juanë gjithsej, duke themeluar Kompaninë Ushqimore "Hualong".

Por edhe atëherë, asnjë nga shokët e tij nuk e mendonin se "Hualong"-u do të rritej e do të bëhej nga një punishte me vetëm dy linja prodhimi në njërën nga 10 kompanitë më të mëdha prodhuese të makaronave të çastit në botë në vetëm një dhjetëvjeçar, me një vlerë marke 1 miliard dollarë. Grupi tani ka 16 baza prodhimi në mbarë Kinën, me më shumë se 100 linja prodhimi, që prodhojnë më shumë se 20 seri produktesh të 80 shijeve të ndryshme. Të ardhurat vjetore të shitjeve të kompanisë i kalojnë tani pesë miliardë juanët (725 milionë dollarët amerikanë). Fan e zhvendoi selinë e kompanisë në Pekin, për të zgjeruar më tej biznesin. Me kalimin e kohës, "Hualong" kaloi edhe në prodhimin për tregjet e nivelit të mesëm e të lartë.

Analistët mendojnë se suksesi i Fan Xianguo-s e ka bazën te strategjitë e tij të produkteve: zënia e pjesës më të madhe të tregut të nivelit të ulët, fitimi i parave me produktet për tregun e nivelit të mesëm dhe krijimi i markës me produktet e nivelit të lartë.

Fan Xianguo beson se struktura e konsumit të makaronave të çastit në Kinë do të ndryshojë në një periudhë afatgjatë. Prandaj ai po planifikon ndryshimin e prodhimit të produkteve të të tre niveleve në raportin 3: 4: 3, duke ulur kështu prodhimin për tregun e nivelit të ulët.

Një tjetër faktor kontribues është strategjia e tij e marketingut.

Cilësia e grurit është kryesore për prodhimin e makaronave të çastit dhe vendlindja e Fan Xianguo-s, provinca Hebei, është një bazë e madhe e prodhimit të grurit në Kinë. Në vitin 1999, Fan Xianguo propozoi idenë që ta ngrinin punishten e parë të "Hualong"-ut në një tokë bujqësore. Dhe kështu lindi Ferma "Hualong". Fan bashkëpunoi me 1 400 familje fermere për rritjen e një shumëllojshmërie varietesh gruri për prodhimin e produkteve me çmime të ndryshme.

Në gusht 2000, "Hualong"-u investoi 2.5 milionë dollarë amerikanë për të krijuar një qendër kërkimore me 10 departamente dhe rreth 100 studiues. Në fillim të vitit 2002, pas dy vjet studimesh nga kjo qendër, kompania hodhi në treg makaronat "Jinmailang" për tregun e nivelit të lartë.

Makaronat e çastit mendohen si diçka që ka lidhje me lehtësinë dhe shpejtësinë e përgatitjes, por jo me të qenit e tyre të ushqyeshme. Por makaronat e markës "Jinmailang" e kanë ndryshuar këtë perceptim, duke pasur si epërsi për shitjen e mirë të tyre jo thjesht çmimin apo lehtësinë e përgatitjes, po vlerat e tyre ushqyese. Ato janë prodhuar duke i shtuar mikroelemente miellit e përbërës të distiluar nga mishi e kockat në salcë, që kanë përmbushur standardet kombëtare për vlerat ushqyese ditore.

"Master Kang" dhe "Uni-President" më në fund kanë ndeshur një rival të denjë në tregun e nivelit të lartë. Tashmë makaronat e çastit "Jinmailang" eksportohen në dhjetëra vende dhe rajone të botës, duke përfshirë ndër të tjera edhe tregje të tilla të mëdha, si Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Australia.

Kompania "Hualong" ka zgjeruar edhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ajo ka krijuar ndërmarrjen e përbashkët "Nissinhualong" me Kompaninë e Produkteve Ushqimore "Nissin" të Japonisë. Fan Xianguo është kryetar i bordit dhe president i "Nissinhualong"-ut.

"Nissinhualong"-u ka një kapacitet vjetor prodhimi më shumë se 10 miliardë pako. Linjat e saj të prodhimit janë afro 140.

Me gjithë zhvillimin e shpejtë, ka ende hapësirë për rritjen e biznesit të makaronave të çastit në Kinë. Fan Xianguo, i cili tashmë ka një pasuri që i kalon 200 milionë dollarët, synon të bazohet te ky potencial për ta rritur edhe më tej kompaninë e vet, pa harruar zgjerimin ndërkombëtar.

Mrekulli
Lajmet Kryesore