Yeung Kin-Man, mbreti i ekraneve të smartfonave

2017-03-14 16:29:23 CRI Komenti juaj Printoni

Mund të mos keni dëgjuar për sipërmarrësin nga Hong-Kongu Yeung Kin-Man, por patjetër i njihni dhe i përdorni produktet e tij. Xhami i ekranit të smartfonit tuaj ka shumë gjasa të jetë prodhuar nga kompania e Yeung-ut.

Yeung Kin-Man është themeluesi e kryezyrtari ekzekutiv i "Biel Crystal". Kompania ka dy fabrika në Shenzhen dhe Huizhou, ku punojnë më shumë se 110 000 veta dhe ku prodhohen rreth një e treta e të gjitha ekraneve të celularëve në botë.

Klientët e "Biel Crystal"-it janë "Apple", "Samsung", "Sony", "Xiaomi" dhe "Huawei".

Yeung Kin-Man e filloi sipërmarrjen në vitet '70 të shekullit të kaluar, kur me makineritë e importuara nga Japonia nisi të prodhonte xhama orësh. Në vijim ai ia doli të sigurojë porosi nga prodhuesit europianë të orëve luksoze. Sot rreth një e treta e 30 milionë orëve që prodhohen nga firmat europiane kanë xhama të bëra nga kompania e Yeung Kin-Man-it.

Yeung nisi prodhimin e ekraneve prej xhami të celularëve kur vuri se ekrani plastik i celularit të tij gërvishtej lehtë. Kështu ai u propozoi kompanive prodhuese të celularëve të përdornin xham për ekranet e tyre.

Në vitin 2003 "Motorola" bëri një porosi për një milion ekrane xhami për celularët e saj. Në atë kohë "Biel Crystal" prodhonte vetëm disa mijëra xhama orësh në muaj.

"Ndihesha sikur isha në udhëkryq. Do të siguroja gjysmën e vëllimit total të shitjeve të biznesit tim vetëm me një herë. Megjithatë, në qoftë se kjo ishte diçka që do të bëhej vetëm një herë, të gjitha makineritë që do të blija, do të ishin të pavlefshme më pas", kujton Yeung.

E megjithatë, ai e pranoi sfidën. Pas dorëzimit të kontingjentit të parë prej një milion ekranesh xhami, porositë nuk pushuan, derisa "Biel Crystal" arriti të prodhonte 100 milionë të tilla për "Sony Ericsson".

Që atëherë, shumica e kompanive gjigante teknologjike ia ngarkuan kompanisë "Biel Crystal" të Yeung Kin-Man prodhimin e xhamave për celularët e tyre.

Në vitin 2007 "Biel Crystal" filloi furnizimin me ekrane xhami për produktet e "Apple", dhe tani prodhon dy të tretën e ekraneve të "iPhone"-ve. Yeung Kin-Man e konsolidoi pozicionin e tij si "mbreti i ekraneve" në nivel global.

Yeung Kin-Man e ka të qartë se nuk është e lehtë për ta mbajtur këtë emër. Për të mbetur në pararojë të teknologjisë, kompania e tij "Biel Crystal" përdor rreth 5 për qind të vëllimit të shitjeve në kërkim-zhvillim.

"Të krijosh risi do të thotë të mos rrish në prirjen aktuale", thotë Yeung. "Ne gjithmonë përpiqemi për të krijuar diçka të re. Për shembull, shpesh ekranet e celularëve janë të mbushur me njollat e gishtave. Kjo është arsyeja pse kemi krijuar një teknologji për t'i mbrojtur ekranet e celularëve nga njollat. Për të rritur rezistencën ndaj gërvishtjeve, ne kemi prodhuar ekrane celularësh me xham safiri".

Yeung Kin-Man merr pjesë rregullisht në kurset e menaxhimit, për të shtuar njohuritë lidhur me strategjitë efektive në fushën e biznesit.

Yeung Kin-Man beson se suksesi vjen nga puna e madhe:

"Duhet të jesh elastik dhe të mësosh nga dështimet. Nëse çdo gjë shkon pa probleme, nuk ka asgjë nga e cila mund të mësosh dhe për të cilën të shpresosh. Por, meqë jeta është e mbushur me probleme dhe pikëpyetje, të duhet të përpiqesh shumë për të gjetur zgjidhje. Kjo është ajo që të krijon një ndjenjë kënaqësie."

Pasuria e Yeung Kin-Man ka pasur një luhatje të madhe brenda një periudhe më pak se gjashtëmujore, e megjithatë ai vazhdon të jetë ndër njerëzit më të pasur në Kinë. Në tetor të vitit të kaluar pasuria e tij ishte 8.4 miliardë dollarë, ndërsa tani vlerësohet në 4.2 miliardë dollarë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore