Tregtia e jashtme kineze, përballë gjendjes së ndërlikuar në 2017-n

2017-03-14 16:29:30 CRI Komenti juaj Printoni

Në muajt janar dhe shkurt, import-eksportet kineze kanë shënuar një rritje mbi 20%. Në një konferencë shtypi ditët e fundit, zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Sun Jiwen u shpreh se kjo rritje është për arsye të Festës së Pranverës në Kinë, duke shtuar se të dhënat e dy muajve të parë nuk mund të përfaqësojnë mbarë vitin.

Në dy muajt e parë të vitit 2017, vëllimi i përgjithshëm i import-eksporteve kineze shënoi vlerën e 3.89 trilionë juanëve, 20.6 % më shumë se në vitin 2016. Në këtë mënyrë, ka vazhduar prirja e mëkëmbjes së tregtisë së jashtme kineze, e filluar në fund të vitit të kaluar. Vlen të përmendet që në muajin shkurt, importet shënuan nivelin rekord të pesë vjetëve të fundit. Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Sun Jiwen paralajmëroi që, megjithëse tregtia e jashtme kineze ka pasur një fillim të mbarë, të dhënat e import-eksportit për dy muajt e parë nuk mund të jenë pasqyrë e mbarë vitit dhe tregtia e jashtme ende përballet me një gjendje të ndërlikuar sivjet.

"Sivjet, për sa i përket gjendjes së përgjithshme të tregtisë së jashtme, ende ka shumë faktorë të paqartë dhe të paqëndrueshëm. Vështirësitë nuk janë afatshkurtra, por megjithatë, për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, faktorët pozitivë, kushtet që favorizojnë zhvillimin, forca konkurruese dhe aftësia jonë komplekse po ndërthuren gradualisht dhe po luajnë një rol pozitiv. Kemi besim të plotë te realizimi i objektivit të paraqitur në raportin e punës së qeverisë për stabilizimin dhe mëkëmbjen e tregtisë së jashtme," tha Sun Jiwen për mediat.

Pak ditë më parë, kompania e telekomunikacionit ZTE dhe departamentet amerikane të Thesarit, Tregtisë dhe Drejtësisë arritën një marrëveshje, duke rënë dakord që ZTE të paguajë një gjobë prej afro 890 milionë dollarësh amerikanë. Pas miratimit të këtij konsensusi nga gjykata amerikane, ZTE-ja është tërhequr nga lista e kufizimit të eksporteve e Zyrës së Industrisë dhe Sigurisë të ShBA-së (BIS). Lidhur me këtë çështje tregtare, Sun Jiwen u shpreh se Kina kundërshton në mënyrë të vendosur që ShBA-ja i përdor ligjet e saj të brendshme për të vendosur sanksione ndaj kompanive kineze.

"Qeveria kineze u ka kërkuar gjithmonë kompanive kineze ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme gjatë procesit të zgjerimit jashtë vendit. Shpresojmë që ShBA-ja të niset nga synimi i mbrojtjes së marrëdhënieve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve dhe ta trajtojë këtë çështje në mënyrë të përshtatshme, për të krijuar një mjedis të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm e të shëndetshëm të marrëdhënieve tregtare Kinë-ShBA," thotë Sun Jiwen.

Kina po bën përpjekje edhe për zhvillimin e tregtisë së produkteve kulturore. Telenovelat e njohura në Kinë tani janë bërë të njohura edhe në vende të tjera. Po ashtu, uebsajte si "Wuxiaworld" janë të parapëlqyera jashtë Kinës për veprat letrare kineze në format elektronik të përkthyera. Sipas të dhënave lidhur me tregtinë e produkteve kulturore, në mbarë vitin 2016, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të produkteve kulturore nga Kina ishte 88.52 miliardë dollarë amerikanë. Prej tyre, 78.66 miliardë ishin eksporte, duke pasur kështu një suficit 68.8 miliardë dollarë. Zëdhënësi Ministrisë së Tregtisë të Kinës Sun Jiwen vëren:

"Struktura e tregtisë së produkteve kulturore po përmirësohet dhe rregullohet në mënyrë të ndjeshme. Eksporti i produkteve kulturore, teknologjive kryesore dhe standardeve në këtë drejtim është rritur me një përqindje shumë të madhe. Produktet kulturore po eksportohen gjithnjë e më shumë jashtë vendit dhe librat, telenovelat dhe lojërat elektronike kanë pasur shitje të mirë në tregun ndërkombëtar".

Sun Jiwen bëri të ditur që në të ardhmen, Ministria e Tregtisë e Kinës do të përpiqet bashkë me departamente të tjera për të zgjeruar platformat e tregtisë së jashtme dhe për të nxitur tregtinë e produkteve kulturore. Kjo do t'i tregojë botës kulturën e shkëlqyer të Kinës, me karakteristikat, shpirtin dhe mençurinë kineze, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Sun Jiwen. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore