Kinë, fillim i mbarë i planit të 13-të pesëvjeçar në 2016-n

2017-03-07 16:15:03 CRI Komenti juaj Printoni

Tani është periudha kur në Kinë po zhvillohen sesionet e Asamblesë Kombëtare Popullore dhe të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez. Pak kohë më parë, Këshilli i Shtetit i Kinës bëri të ditur gjendjen e zbatimit të raportit të punës të qeverisë për vitin 2016, ku theksoi se, ndër më shumë se 30 treguesit kryesorë ekonomikë, disa janë realizuar dhe disa të tjerë edhe i kanë tejkaluar parashikimet. Analistët janë të mendimit se kjo tregon që ekonomia kineze tani është në gjendje të qëndrueshme dhe se Kina ka shënuar një nisje të mbarë të planit të 13-të 5-vjeçar.

Treguesit kryesorë të përfshirë në raportin e punës të qeverisë për vitin 2016 përfshijnë GDP-në, Treguesin e Çmimeve të Konsumit (CPI), nivelin e punësimit në qytete, harxhimin e energjisë për njësi të GDP-së, investimet hekurudhore e rrugore dhe ndihmën e qeverisë për të varfrit. Ndër këta tregues kryesorë, GDP-ja parashikohej të qëndronte në nivelin 6.5%-7% dhe në fakt shënoi rritje me 6.7%. CPI pritej të rritej rreth 3%, ndërsa u rrit me 2%. Sipas parashikimit, numri i vendeve të reja të punës në qytete duhej të rritej me 13.14 milionë dhe ky objektiv u tejkalua me 131.4 %. Niveli i papunësisë në qytete, sipas planit, do të ruhej nën 4.5% dhe në fund të vitit të kaluar, ky nivel ishte 4.02%. Drejtori i Informacionit në Qendrën e Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Wang Jun vëren që këto shifra tregojnë se objektivat për 2016-n janë realizuar sipas planit dhe se ekonomia kineze në përgjithësi është në gjendje të qëndrueshme:

"Për sa u përket objektivave, disa janë në nivelin që duhen kontrolluar dhe disa që duhen plotësuar. P. sh., CPI-ja nuk e kaloi objektivin e paraqitur në raport prej 3% dhe kjo është një arritje pozitive. Ajo tregon që në mbarë vitin 2016, ekonomia e vendit ishte në gjendje të qëndrueshme. Duke i parë tani, nga një aspekt i përgjithshëm, mund të thuhet se këta tregues kryesorë ishin pozitivë" .

Investimet janë një motor i fuqishëm i rritjes ekonomike. Në vitin 2016, Kina e shfrytëzoi me efektivitet kërkesën e brendshme. Investimet në transportin hekurudhor arritën mbi 80 miliardë juanë dhe në atë rrugor 1.65 trilionë juanë. Krahas këtyre, investimet nga buxheti qendror shënuan vlerën 50 miliardë juanë. Lidhur me këtë, Wang Jun thotë që investimet kanë luajtur rol të dukshëm për stabilizimin e rritjes ekonomike.

"Në fund të vitit 2015, qeveria qendrore përcaktoi detyrat për vitin 2016. E para ndër këto detyra është stabilizimi i rritjes ekonomike. Prandaj, orientimi nga qeveria drejt investimeve infrastrukturore synon të përballojë trysninë e rënies ekonomike. U morën masat e duhura të kontrollit, duke treguar rolin e qeverisë në makrokontroll. Për të realizuar këtë objektiv, qeveria kineze u fokusua tek ndërtimi infrastrukturor dhe nuk bëri shumë investime në sektorin e manifakturës. Nga njëra anë, ekonomia u stabilizua dhe, nga ana tjetër, u zvogëlua mbikapaciteti industrial," thekson Wang Jun, drejtor i Informacionit në Qendrën e Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës.

Në vitin 2016, Kina u fokusua te stabilizimi dhe përmirësimi i politikave makroekonomike, duke ndërmarrë politika aktive fiskale e politika të qëndrueshme monetare dhe duke shpejtuar reformat në sistemin tatimor, për të ruajtur rritjen në një nivel të arsyeshëm të ekonomisë kombëtare.

2016-a është viti i nisjes së fazës finale për realizimin e gjithanshëm të një shoqërie të mirëqënies në Kinë dhe viti i parë i planit të 13-të 5-vjeçar (2016-2020). Zv.kryeekonomisti i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Xu Hongcai mendon që realizimi i objektivave vjet tregon që Kina ka pasur një fillim të mirë të planit të 13-të 5-vjeçar.

"Në përgjithësi, viti i parë i planit të 13-të 5-vjeçar ishte pozitiv. Megjithëse ekonomia përballoi trysninë e rënies, u duk prirja e stabilizimit dhe zhvillimit. Ekonomia ka pasur një ecuri të kënaqshme, pasi treguesit kryesorë janë realizuar. Më parë, kishte shqetësim për rritjen ekonomike, por në të 3 tremujorët e parë rritja ishte 6.7 %, kurse në tremujorin e fundit arriti në 6.8%, që është një mëkëmbje e vogël," thotë Xu Hongcai, zv.kryeekonomisti i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore