Sheng Faqiang-Wang Jing, ngjitësit e majave të suksesit në biznes

2017-03-07 16:14:55 CRI Komenti juaj Printoni

Bashkëthemeluesit e kompanisë së produkteve të aktiviteteve në natyrë Sheng Faqiang dhe Wang Jing, e kthyen pasionin e përbashkët për natyrën e alpinizmin në një ide të suksesshme biznesi. Ata janë tani ndër çiftet më të njohur të sipërmarrjes në Kinë.

Sheng Faqiang-u ka lindur në vitin 1969 në Dunhuang të provincës Gansu. Ai u diplomua në vitin 1993, vetëm një vit pas turit historik të Ten Hsiao Pinit në Kinën Jugore, që i dha hov biznesit privat në Kinë. Prandaj, ndonëse pas diplomimit Sheng Faqiang-u gjeti një punë të mirë e të sigurt si topograf në Ministrinë e Hekurudhave, vetëm pas një viti aty ai vendosi të hedhë një hap të guximshëm, atë të nisjes së sipërmarrjes së vet. "Thjesht nuk doja të ndiqja urdhrat e eprorëve. Doja të isha bosi i vetes sime," shprehet Sheng Faqiang-u.

Por, biznesi i tij i parë, ai i prodhimit të blloqeve të shënimeve, dështoi. Megjithatë, Sheng Faqiang-u pati fat në diçka tjetër. Ai u njoh dhe u dashurua me një vajzë, të quajtur Wang Jing. Pa kaluar shumë, Sheng Faqiang-u dhe Wang Jing-u u martuan. Ishte pasioni për natyrën që i njohu të dy, e po ashtu ishte ky pasion që do t'u lindte idenë për biznesin e ardhshëm. Në një ekspozitë mallrash sportive ata blenë një patentë për çadra të palosshme për 5 000 juanë (725 dollarë) dhe nisën të tregtojnë pajisje kampimi. Fillimi nuk ishte aspak i lehtë për çiftin. "Ishin kohë të vështira, por më të vështirë e kishte Sheng-u," kujton Wang Jing-u. "Atij i duhej të bënte më shumë se unë."

Sheng Faqiang-u e pranon se në gjysmën e parë të viteve '90 të shekullit të kaluar, çadrat e kampimit për adhuruesit e sporteve e të natyrës ishin diçka e re, duke pasur parasysh se kultura e kampimit në Kinë në atë kohë ishte në fillimet e saj.

Por zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Kinës bëri që shtresa e mesme të rritej me shpejtësi e të kishte më shumë para e kohë për t'ua kushtuar sporteve e veprimtarive në natyrë. Gjithashtu, urbanizimi me ritme të shpejta i popullsisë kineze krijoi një grup në rritje banorësh të qytetit gjithnjë e më të prirur për t'u shkuar në fundjavë në fshatra e në male. Kjo bëri që edhe biznesi i Sheng Faqiang-ut dhe Wang Jing-ut të rritej.

"Ne vraponim nga një ekspozitë në tjetrën. Kemi shkuar në Harbin në Veri e në Shangai në Lindje. Na gjeje dhe në ekspozita në Urumqi në Veriperëndim e në Kunming në Jugperëndim. Ishim kudo," thotë Sheng.

Në vitin 1999, çifti u zhvendos në Pekin, ku me paratë e fituara nga biznesi i tyre si kapital fillestar, krijuan kompaninë "Toread". Selia e kompanisë ishte në një nga pikat më të njohura turistike në periferinë veriperëndimore të Pekinit.

Wang Jing-u, që ishte përgjegjëse për dizajnin e produkteve, përzgjedhjen e materialit dhe prodhimin, i bëri vetë me dorë çadrat e para të kompanisë së re. Ajo po ashtu krijoi edhe logon e "Toread"-it, e përbërë nga një kompas dhe një palë këpucë alpinistësh. Sheng-ut ishte në krye të marketingut dhe shitjeve.

Por të dy bashkëshortët fillimisht nuk kishin të njëjtin mendim për drejtimin e zhvillimit të kompanisë. Ideja fillestare e Sheng Faqiang-ut ishte që të hapnin një zinxhir dyqanesh të shitjes me pakicë të produkteve të markës së tyre, që vend që të kishin ndarje të veçanta nëpër komplekse tregtare. Wang Jing-u mendonte nga ana e saj se si investimi, ashtu edhe rreziku i një plani të tillë ishin shumë të lartë. Pas diskutimesh të gjata, ata ranë dakord për të krijuar një numër njësish ekskluzive të shitjes me pakicë dhe për t'i vendosur produktet e tyre edhe në dyqane të caktuara.

Edhe marketingu i zgjuar ndihmoi shumë në rritjen e kompanisë. "Toread" u bë ndër mbrojtësit më të mëdhenj të antilopës tibetiane, gjë që tërhoqi vëmendjen e publikut e të blerësit nga kjo kompani e re.

"Toread"-i gjithashtu nisi të zgjerojë gamën e produkteve të veta. Që nga viti 2003, kur hapi dyqanin e vet kryesor në kryeqytetin e Kinës, produktet që prodhon e tregton firma janë jo vetëm çadrat e kampimit, por edhe veshjet sportive, këpucët, çantat e shpinës, pajisjet për ngjitjen në mal etj.

"Toread"-i ka tani më shumë se 1 100 pika në mbarë vendin dhe konkurron edhe në shkallë ndërkombëtare me marka të tilla si "Columbia Sportswear".

Në vitin 2009 "Toread"-i u bë një kompani publike, duke u listuar në Bursën e Shenzhenit. Listimi i futi Sheng Faqiang-u dhe Wang Jing-un në radhët e miliarderëve. Por suksesi dhe pasuria nuk e ka ndryshuar jetën e tyre. Ata jetojnë ende në të njëjtin apartament, ngasin të njëjtat makina dhe përpiqen të jetojnë me kursim. Dhe po ashtu nuk kanë hequr dorë nga pasioni i tyre i hershëm, alpinizmi. Veçanërisht Wang Jing-u, e cila ka ngjitur tetë majat më të larta të botës, përfshi edhe Everestin.

"Duke qenë vetë të pasionuar pas natyrës, ne e dimë saktësisht se ç'lloj pajisjesh nevojiten dhe përmirësimet që duhen bërë. Pra, për sa kohë që do të vazhdojmë ngjitjen në male, 'Toread'-i do të qëndrojë në krye," thotë ajo.

Mrekulli
Lajmet Kryesore