Kina inkurajon investimet e huaja në sektorin e manifakturës

2017-02-28 15:56:03 CRI Komenti juaj Printoni

Treguesit e fundit të ekonomisë kineze pasqyrojnë në përgjithësi prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm të saj. Kështu, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit për janarin ka shënuar një rritje vjetore mbi 10 % dhe Treguesi i Çmimeve të Prodhimit (PPI) po në janar ka arritur nivelin më të lartë që nga shtatori i vitit 2011. Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës ka theksuar se Kina inkurajon investimet e huaja në sektorin e manifakturës, për të përmirësuar strukturën e ekonomisë kineze.

Zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës Zhao Chenxin u shpreh se ekonomia kineze po zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe efektet e reformave e të politikave kryesore ekonomike janë në rritje. Gjatë Festës së Pranverës në Kinë, furnizimi me qymyrgur, energji elektrike, naftë dhe gaz natyror ka qenë i qëndrueshëm dhe janë plotësuar nevojat për jetën e qytetarëve dhe prodhimin. P. sh., gjatë periudhës së festës, niveli ditor i prodhimit të energjisë elektrike pati rritje me 14.93 %.

Zhao Chenxin u shpreh gjithashtu që, në janar, investimet në asetet fikse të miratuara nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës kanë arritur mbi 150 miliardë juanë:

"Në janar janë miratuar gjithsej 18 projekte investimesh në asete fikse me një vlerë të përgjithshme 153.9 miliardë juanë. Këto projekte janë fokusuar në burimet ujore, komunikacion dhe energjetikë. Prej tyre, 96 miliardë juanë janë për bujqësinë dhe burimet ujore, 24.1 miliardë juanë për infrastrukturën e komunikacionit dhe 19.7 miliardë juanë për sektorin e energjetikës."

Që nga muaji shtator i vitit 2014, kur ka nisur zbatimi i 12 kategorive të projekteve kombëtare, dhe deri në fund të vitit të kaluar, vlera e përgjithshme e investimeve për këto projekte ka shkuar në 7920.3 miliardë juanë. Kategoritë e projekteve përfshijnë sektorin e informacionit, rrjetin energjetik, sektorin e naftës dhe të gazit natyror, mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë e pastër.

Sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, vjet ekonomia kineze shënoi një rritje më të madhe se ajo e Indisë, duke zënë vendin e parë ndër ekonomitë kryesore të botës. Ka pasur mendime se Kina ka sakrifikuar cilësinë e zhvillimit për të siguruar një rritje më të madhe. Lidhur me këtë, Zhao Chenxin u shpreh se ekonomia kineze po zhvillohet në një mënyrë të arsyeshme dhe cilësia dhe efektiviteti i këtij zhvillimi do të vijnë duke u rritur.

"Struktura e ekonomisë së Kinës është përmirësuar pandërprerë dhe në vitin 2016, kontributi i shpenzimeve të konsumit përfundimtar në rritjen ekonomike ishte 64.6%. Sektorët e rinj strategjikë dhe sektori i prodhimit me teknologji të lartë kanë pasur një zhvillim të mirë dhe vlera e shtuar në sektorin e teknologjisë së lartë shënoi rritje me 10.8%, 4.8 pikë përqindjeje më shumë se rritja e sektorit të ndërmarrjeve me të ardhura vjetore mbi 20 milionë juanë. Krahas kësaj, edhe sektori i shërbimeve ka luajtur një rol më të fuqishëm në nxitjen e zhvillimit. Vlera e shtuar e këtij sektori zuri 51.6 % të GDP-së, ose 1.4 pikë përqindjeje më shumë se një vit më parë," thotë Zhao Chenxin.

Qysh nga viti 2008, Kina është renditur gjithmonë ndër tre vendet e para të botës për tërheqjen e investimeve të huaja. Sipas raportit të fundit të Konferencës për Tregtinë dhe Zhvillimin të OKB-së (UNCTAD), vitin e kaluar vëllimi i përgjithshëm i investimeve të huaja në mbarë botën pësoi rënie me 13 %, ndërsa në Kinë shënoi rritje me 2.3 %, duke arritur nivelin rekord 139 miliardë dollarë amerikanë. Zhao Chenxin u shpreh se këtë vit Kina do të marrë masa të shumta për të inkurajuar investimet e huaja në sektorin e manifakturës.

"Janë katër masa kryesore: e para, kompanitë me investime të huaja dhe ato vendëse do të zbatojnë njësoj politikën 'Made in China 2025'; e dyta, do të hapet më tej sektori i manifakturës; e treta, politikat favorizuese për investimet e huaja nga pushteti vendor do të fokusohen tek sektori i manifakturës; e katërta, do t'i jepet përparësi ofrimit të tokës për projekte industriale me investime të huaja dhe do të vazhdojë dhënia e tokës me çmim të favorshëm," thotë Zhao Chenxin, zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore