Shpresa Prodani, sipërmarrësja që nuk dorëzohet lehtë

2017-02-28 15:55:32 CRI Komenti juaj Printoni

Shpresa Prodani ndoshta nuk e mendonte se një ditë do të drejtonte një kompani transporti, sigurimesh dhe prodhimi veshjesh. Por kur i shoqi u nda papritmas nga jeta në vitin 2004, asaj iu desh të merrte përsipër biznesin që kishte themeluar dhe drejtonte ai, duke arritur të bëhet një nga biznesmenet më të suksesshme në Shqipëri.

Shpresa Prodani thotë se deri këtu ku ka arritur sot, e ka sjellë guximi dhe besimi te vetja. Në vitet '69-'74 ajo ishte një nga 5 vajzat studente në degën e inxhinierisë ndër 60 djem, në një degë që konsiderohej për meshkujt. Pas diplomimit punoi arsimtare për vite të tëra në arsimin profesional.

Në vitin 1993 bashkëshorti i znj. Shpresa, Shpëtimi, që kishte qenë më parë inxhinier në Portin e Durrësit, krijoi me katër ortakë "Dyrrahsped", një kompani transporti. Shqipëria ishte në hapat e parë të sipërmarrjes private dhe vështirësitë ishin të mëdha, pasi mungonin përvoja dhe kapitalet. "E nisëm me 100 dollarë, kaq ishte pasuria jonë, që sot duket qesharake dhe vendosëm që unë të vijoja punën në shkollë, që të paktën në familje të kishte një rrogë shteti për familjen," kujton Shpresa Prodani.

Megjithatë, kompania "Dyrrahsped" erdhi duke u rritur. "Morëm edhe kredi e kështu po rritej aktiviteti. Por gjithçka e bëmë vetë, me forcat tona", tregon Shpresa.

"Dyrrahsped" nisi shërbimin e transportit të veshjeve për në Itali e Gjermani për firmat e ndryshme të njohura që kishin ngritur fabrikat e tyre në Shqipëri. Më pas kompania u bë e specializuar në ofrimin e shërbimeve të transportit për shoqëri të naftës, si "Oxi", "Premier Oil", "Anglo- Albanian Petrolium" etj.

Në vitin 1998 "Dyrrahsped" u bë një nga dy kompanitë kryesore të logjistikës dhe transportit në Durrës, duke ofruar edhe shërbime të kualifikuara të transportit ajror, përveç atij rrugor dhe detar.

Por, fatkeqësisht në vitin 2004 bashkëshorti i Shpresa Prodanit u nda nga jeta. Znj. Shpresa vendosi që ta zinte ajo vendin e të shoqit në kompani. "Ishte një biznes që bashkëshorti im e kishte ndërtuar më shumë mund e sakrifica, prandaj dhe unë nuk e pashë të arsyeshme ta ndërpres," shprehet ajo. Dhe shton: "Ishte një biznes i nisur që herët dhe kushdo që operon në këtë fushë e di sesa vështirësi apo të papritura të dilnin përpara. Pikërisht për këtë të duhet shumë mund që të afirmohesh. Duhet të krijosh besimin e duhur te personat me të cilët bashkëpunon, te klientët. Nëse këto i arrin, atëherë, gjithçka nis e bëhet më e lehtë".

Nën drejtimin e Shpresa Prodanit "Dyrrahsped" vazhdoi zhvillimin e vet. Prej vitit 2005, kompania është anëtare e Universal Freight Organisation në Londër dhe partnere me rreth 120 vende. Kompania "Dyrrasped" ka kapacitete transportuese 250 tonë dhe kryen transportin e ngarkesave drejt vendeve të BE-së, si Italia, Austria, Gjermania, Greqia etj. Gjithashtu kompania ka investuar për një park modern, ku ofron për klientët paketa të plota shërbimi logjistik. "Kontratat që lidhim janë me klientë seriozë dhe të rregullt, që besojnë në cilësinë dhe korrektesën e punës së stafit tonë", tregon Shpresa Prodani.

"Dyrrasped" po ashtu ofron shërbimin ekspres për dërgesa nga Italia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia.

Biznesi i "Dyrrasped"-it përgjatë viteve është diversifikuar, duke u shtrirë edhe në fusha të tjera, si sektori bankar dhe ai i pasurive të patundshme. Kompania është aksionere te firma e parë shqiptare e sigurimeve, SIGMA, dhe ka qenë aksionere e Bankës Popullore, që më vonë u ble nga francezja "Societé Generale". Për këtë të fundit Shpresa Prodani thotë: "Sigurisht investimi ia vlejti, edhe pse ndjeva keqardhje kur Banka Popullore u shit, pasi ishte investim i parë i biznesit shqiptar në sistemin bankar"."Dyrrasped" ka investuar edhe në tregun e pasurive të paluajtshme, në qendra rezidenciale në Durrës dhe në Tiranë.

Shpresa Prodani është pronare edhe e një fabrike konfeksionesh me rreth 100 punëtore. "Menduam se ia vlente investimi, ngritëm stafin, investuam shumë dhe blemë makineri të kohës. Me një kompani gjermane kemi qepur veshje grash për tregun gjerman dhe rus. Është pozitiv punësimi i vajzave dhe grave, edukimi dhe kualifikimi i tyre", thotë sipërmarrësja me përvojë.

Për Shpresa Prodanin, njerëzit vlerësohen nga puna, dhe jo nga gjinia. "Puna që realizon, ndikon në vlerësimin që jep tjetri për ty. Prandaj them që njeriu duhet vlerësuar gjithnjë nga puna që bën. Për mua nuk ka rëndësi nëse është burrë apo grua ai që do të marrë përsipër të kryejë një detyrë. Kur merr përsipër diçka, duhet ta çosh deri në fund dhe ta realizosh sa më mirë që të jetë e mundur."

Shpresa Prodani beson shumë te guximi dhe kuraja për të arritur gjithçka në jetë: "Po të kesh kurajë, arrin çdo gjë. Çdo grua mjaft të luftojë, të përpiqet, të arsimohet, nuk ka nevojë as për lëmoshë, as për propagandë. Ndoshta kjo rrugë është më e mundimshme se burrat, por arrihet, mjaft të guxosh."

E vendosur për të mos u tërhequr përpara çdo pune, sado të vështirë, znj. Shpresa thekson se një nga çelësat e suksesit të saj është qetësia, që në situata të vështira i jep mundësi të gjykojë drejt dhe të marrë vendime të rëndësishme. Por edhe vendosmëria e shpirti i iniciativës e kanë bërë të jetë ajo sipërmarrëse e suksesshme që është sot. "Nuk dorëzohem kollaj, këtu mbështes shumëçka kam arritur," shprehet ajo.

Shpresa Prodani vlerëson raportet që mbështeten te besimi reciprok me klientët. "Krijimi i këtyre raporteve është mjaft i domosdoshëm për mbarëvajtjen e punës," thotë ajo. "Konkurrenca është mjaft e fortë, prandaj të duhet gjithnjë të punosh shumë për të siguruar një emër të mirë, si dhe për t'u krijuar klientëve dhe partnerëve besim. Serioziteti dhe rigoroziteti në punë janë armë shumë të fuqishme."

Në maj 2009, "Dyrrahsped" u nderua me çmimin "Gold Star Award" në Gjenevë. Ndërkohë, Bashkia e Durrësit i ka dhënë Shpresa Prodanit titullin "Nderi i qytetit të Durrësit".

Mrekulli
Lajmet Kryesore