Brezi i viteve '90 në Kinë, sipërmarrësit që nuk njohin frikën nga dështimi

2016-05-03 11:21:52 CRI Komenti juaj Printoni

Në Kinë ka nisur një valë sipërmarrjeje që nga marsi i vitit 2014, kur kryeministri kinez Li Keqiang nxiti krijimin nga individët të risive dhe të bizneseve të tyre. Kësaj thirrjeje i është përgjigjur në shkallë të gjerë edhe ai që quhet si "brezi i viteve '90 të shekullit të kaluar", pra pak a shumë të rinjtë 20-25 vjeçarë. Ata kanë lindur në epokën e krijimit të gjigantëve të internetit si "Tencent" e "Alibaba", dhe janë të pavarur, të guximshëm, nuk kanë frikë nga dështimet. Këta sipërmarrës të rinj, produkte të periudhës së internetit, të rritjes së shpejtë ekonomike në Kinë dhe të globalizimit, kanë historitë e tyre për të treguar. Dy prej tyre janë edhe Ke Siyue dhe Zhang Tianyi. Ky i fundit dy vjet më parë, pak para diplomimit, vendosi të përballet me sfidën e nisjes së biznesit të vet, në vend të gjetjes së një pune të mirë si shokët e vet. Restoranti që ai ka hapur ka filluar të bëhet i njohur në kryeqytetin kinez Pekin, edhe për faktin se në menynë e tij përfshihen ato që vlerësohen si makaronat e orizit me mish viçi më djegëse në botë. Ndërsa Ke Siyue është menaxherja e përgjithshme e një kompanie mediatike që merret me prodhimin e filmave të shkurtër për kompani dhe për klientë individualë. Kompaninë e vet e krijoi kur ishte shumë e re, ende studente, me synimin për t'i sjellë vlera e për ta bërë më të bukur jetën e njerëzve. Ajo e di vlerën e parasë, por e di gjithashtu se paratë nuk janë e vetmja gjë që ka rëndësi në jetë

Të gjithë punonjësit e kompanisë që Ke Siyue krijoi më shumë se tre vjet më parë, kur ishte ende studente në Universitetin Donghua të Shangait dhe kur ende nuk kishte mbushur 22 vjeç, janë më të vjetër në moshë se ajo. "Unë jam shumë e dhënë pas punës", thotë 25-vjeçarja. "Ëndërroj të drejtoj një kompani që mund të përcjellë vlerën e kulturës te njerëzit dhe ta bëjë jetën tonë më të bukur nëpërmjet artit."

Pas diplomimit në vitin 2014, Ke Siyue nuk iu bashkua armatës së madhe të të sapodiplomuarve kinezë në kërkim të një pune, edhe pse pati disa oferta të mira. Ajo kishte vendosur që fokusi i saj të përqendrohej në shndërrimin e kompanisë që kishte krijuar në një histori suksesi.

Sipërmarrja e saj, Kompania e Medias Kulturore INTO e Shangait, filloi zyrtarisht në vitin 2012, por ideja në mendjen e Ke Siyue-së mori formë në vitin 2010, kur asaj dhe disa shokëve e shoqeve të saj të kursit iu caktua si detyrë të xhironin një film me metrazh të shkurtër. Ajo u përkushtua e tëra pas këtij projekti, duke parë aty mundësi të gjera.

"Ka kërkesë për mënyra të reja komunikimi, dhe filmat tanë me metrazh të shkurtër mund të pasqyrojnë kulturën e një kompanie a të një individi," thotë sipërmarrësja e re.

Në fillim, ideja ishte kryesisht për argëtim, dhe Ke Siyue donte të tregonte për jetën universitare. Gjatë kohës që ishte studente, ajo ishte shumë aktive, duke u bërë pjesë e më shumë se 20 klubeve studentore. Ke Siyue po ashtu krijoi grupin e vet muzikor dhe mësoi të luante disa instrumente.

Ishte koha për të ëndërruar dhe ëndrrat e Ke Siyue-së nuk njihnin kufij. Në vitin e saj të dytë në universitet, e reja nisi t'i marrë gjërat më seriozisht. Ke u bë pjesë e Lidhjes Rinore të universitetit, një organizatë që synonte krijimin e drejtuesve të së ardhmes. Ky ishte po ashtu viti kur Ke Siyue po çonte ndër mend t'i komercializonte e t'i kthente në produkte filmat e shkurtër a mikrofilmat. Ajo i paraqiti filmat e saj në konkursin e drejtuesve të rinj të biznesit, të organizuar nga Fondacioni i Sipërmarrjes Teknologjike për Studentët i Shangait. Ndonëse ishte më e reja ndër 80 pjesëmarrësit, Ke Siyue fitoi çmimin për ekipin më të mirë.

Më pas, ndonëse kishte një post të lartë në Lidhjen Rinore të universitetit, Ke Siyue hoqi dorë prej tij, për t'iu përkushtuar biznesit. Dhe kështu në shtator 2012 Ke Siyue regjistroi Kompaninë e Medias Kulturore INTO.

"Unë dua të bëj biznes dhe ta bëj sa më mirë atë. Që në fëmijëri kam pasur një ndjenjë shumë të fortë përgjegjësie. Ambicia ime e tanishme është që t'i siguroj kushte sa më të mira pune stafit tim, dhe, më shumë se kaq, dua që t'i ndihmoj ata të realizojnë ëndrrat e tyre," vë në dukje Ke Siyue.

Ke Siyue megjithatë është duke realizuar edhe ëndrrën e vet. Kompania e saj ka nënshkruar kontrata me një numër klientësh nga biznese të ndryshme, e po ashtu ofron shërbime edhe për të posamartuarit, duke u kthyer tashmë në një sipërmarrje fitimprurëse.

Në tetor 2013, teksa Kompania e Medias Kulturore INTO kishte realizuar mbi 100 video e filma me metrazh të shkurtër, Ke Siyue fitoi çmimin "Yll i sipërmarrjes i distriktit Changning të Shangait". Motivacioni i dhënies së çmimit ishte se, duke ndjekur ëndrrën dhe me një stil pune të "bindjes nëpërmjet moralit", Ke Siyue kishte pasqyruar në mënyrë të shkëlqyer historitë e suksesit të sipërmarrjeve, duke u shndërruar nga një studente e thjeshtë në një pionere të sipërmarrjes rinore.

INTO ka tashmë më shumë se 10 punonjës, pothuajse të gjithë të lindur në vitet '80 të shekullit të kaluar, pra më të vjetër në moshë se Ke Siyue. "Në fillim më dukej e çuditshme që më duhej të drejtoja njerëz që ishin më të vjetër se unë, por ata më respektojnë dhe kanë të njëjtën ëndërr me mua, kështu që biznesi ecën në një mënyrë harmonike," thotë Ke.

Ke Siyue është e sinqertë dhe pragmatike. Ajo nuk e fsheh se për të paraja është diçka e rëndësishme. Një episod nga jeta e saj studentore, edhe pse mund të duket i vogël dhe i parëndësishëm, është i ngulitur në mendjen e saj dhe. pse jo, solli ndryshimin. Një herë, duke pritur që një shitës rruge t'i përgatiste mëngjesin e thjeshtë, sa për të vrarë kohën, ajo e pyeti se sa fitonte. Përgjigjja e la të befasuar. Shitësi i tha se ai dhe e shoqja mund të bënin të paktën 30 000 juanë (mbi 46 dollarë) në muaj. Kjo do të thoshte dhjetë herë më shumë se mesatarja prej 3000 juanësh që fitonte një i diplomuar. Përgjigjja e shitësit nxiti marrjen e vendimit nga Ke Siyue për të filluar biznesin e vet.

E megjithatë, si njëfarë Minerve, Ke Siyue mbetet edhe shumë idealiste, pavarësisht vlerës dhe rëndësisë që mendon se ka paraja. Ajo thotë se beson shumë në vlerën e arsimit dhe se do që të bëjë një jetë të mbushur plot me art. Duket se e reja e di thënien: "Ka njerëz që janë aq të varfër, sa e vetmja gjë që kanë në jetë janë paratë.

Dhe duket se i të njëjtit mendim është edhe Zhang Tianyi, themeluesi dhe kryezyrtari ekzekutiv i zinxhirit të restoranteve "Fu Niu Tang", për të cilin fitimet janë, siç i quan, "efekte anësore".

Zhang Tianyi, ashtu siç thuhet në një slogan promovues të "Apple"-it, është një i ri që "mendon ndryshe". Zhang-u i përket atij që në Kinë quhet "brezi i viteve '90". Ai ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Pekinit. E ndonëse mund të gjente një punë me rrogë të lartë në ndonjë kompani të njohur vendëse ose ndërkombëtare, ashtu si shumë nga shokët e shoqet e tij të universitetit e të programit master, ai vendosi ta provonte veten me biznesin e tij privat. Por meqë Zhang Tianyi "mendon ndryshe", në vend që të hapte ndonjë kompani interneti a të teknologjisë së lartë, vendosi të hyjë në atë sektor për të cilin vendi i tij është mbase më i njohuri në botë: ushqimin. Në një ndërtesë të lartë zyrash të Distriktit Qendror të Biznesit të Pekinit (CBD), në prill të vitit 2014, dy muaj para diplomimit, ai hapi një restorant, i cili pa kaluar shumë filloi të bëhej i njohur. Restoranti, i quajtur "Fu Niu Tang" (shkurt F.N.T.), është i specializuar në makaronat e orizit nga provinca e lindjes së Zhang Tianyi-së, Hunan. Në një poster në këtë restorant, të quajtur "Lart dhe poshtë", Zhang Tianyi ka shkruar: "Unë fillova punë në katin e nëndheshëm të kësaj ndërtese pas diplomimit. Në katet e sipërme mund të gjesh firmën më të njohur ligjor në Kinë, 'Jindu', ku punojnë shumë nga shokët e mi të universitetit. Për kënaqësinë time, unë kurrë nuk shkoj sipër, te 'Jindu', ndërsa shokët e mi shpesh zbresin këtu poshtë, te F.N.T."

Zhang Tianyi ka hapur tashmë katër restorante në kryeqytetin kinez.

"Mund të mos jesh në një mendje me të tjerët, por e vetmja gjë që nuk mund të bësh, është t'i shpërfillësh ata. Kjo është filozofia e jetës sime", vë në dukje 26-vjeçari.

Po përse Zhang Tianyi vendosi të pranojë sfidën e t'i hyjë aventurës së biznesit, në vend të një pune të qëndrueshme e të mirëpaguar.

"Të hysh në shoqëri nga shkolla do të thotë që të jesh i detyruar të ndryshosh nga një sërë rregullash të forta. Unë e shoh krijimin e biznesit si një mënyrë për të shkuar kundër rregullave. Unë shpresoj se mund të krijoj risi," shprehet i riu.

Dhe Zhang Tianyi ka gjetur mënyra inovative për zhvillimin e biznesit, falë edhe përdorimit të internetit në industrinë ushqimore. Ai ka përfitime nga adhuruesit e shumtë dhe aktivë në internet.

"Ajo që mendoj është që të krijoj një platformë për të lidhur njerëzit," vë në dukje Zhang Tianyi.

Në një brez të rritur në epokën e internetit, Zhang-u e arriti qëllimin e vet duke vënë në përdorim pikërisht internetin. Para fillimit të biznesit, Zhang-u dhe partnerët e tij punuan shumë për të promovuar produktet dhe markën e tyre në llogaritë e tyre personale në mediave më të njohura sociale të vendit, të tilla si platforma e mesazheve të çastit QQ, "Sina Weibo", versioni kinez i Twitter, dhe aplikacioni i mesazheve në celular "WeChat".

Në muajin e tretë pas hapjes së "Fu Niu Tang"-ut, numri i ndjekësve të restorantit në tre mediat sociale arriti rreth 10 000 veta.

Numri i dashamirësve dhe i kureshtarëve që vizitojnë "Fu Niu Tang"-un e ka tejkaluar kapacitetin e hapësirës 30-metra katrore të restorantit, që ndodhet i veçuar në fund të një rrugine në katin nëntokësor të një godine zyrash.

"Pothuajse gjysma e klientëve që vizitojnë 'Fu Niu Tang'-un vijnë nëpërmjet internetit," bën të ditur Zhang Tianyi. Përkundrazi, shumica e restoranteve tradicionale mbështeten te vendndodhja e mirë për të tërhequr klientët.

"Pika e fillimit të biznesit tim është shitja e makaronave të orizit, kurse pika e fundit është marka. Klientët krijojnë një lidhje me ne kur blejnë tasin e parë të makaronave tona", vë në dukje Zhang Tianyi. Ai shton se synimi i tij është ta bëjë "Fu Niu Tang"-un sa më të njohur, ndërsa fitimet pra, janë për të, siç shprehet duke buzëqeshur, "efekte anësore".

Në procesin e menaxhimit të "Fu Niu Tang", Zhang Tianyi ka krijuar edh Klubin "Ba Man", anëtarët e të cilit janë nga stafi dhe klientët e restorantit, të cilët janë kryesisht, ashtu si Zhang-u, nga provinca Hunan, të lindur pas vitit 1985 dhe që punojnë në Pekin. "Ba Man" në të folmen e Hunanit do të thotë "kokëfortë" dhe " punëtor".

Duke qenë në një moshë të ngjashme dhe nga e njëjta provincë, klubi është mjaft i fortë dhe aktiv në zhvillimin e veprimtarive gjatë fundjavës, duke u zgjeruar në një komunitet prej afro 100 000 vetash, 10 herë më shumë se numri i pasuesve të "Fu Niu Tang"-ut një vit më parë.

"Kjo është ajo që ofron epoka e internetit - lidh klientin me markën tuaj," thotë Zhang Tianyi. "Kartëvizita e 'Fu Niu Tang' është pikërisht ky klub prej 100 000 anëtarësh."

Gjysma e stafit të "Fu Niu Tang"-ut janë nga Klubi "Ba Man", ashtu siç janë edhe vullnetarët që menaxhojnë llogaritë në rrjetet sociale të "Fu Niu Tang" -ut, si edhe dizenjuesi i markës "Fu Niu Tang".

Në marsin e vitit të kaluar, kur mblodhi para në mediat sociale për të financuar pjesëmarrjen e tij në një kursi trajnimi në biznes, ai mblodhi më shumë se 516 000 juanë (afro 79 500 dollarë amerikanë) nga 846 pagesa në 38 orë, shumica e të cilave nga dashamirët e restorantit "Fu Niu Tang".

Në Kinë ka një "grindje" të vjetër mes provincave se cila ka ushqimin më djegës. Ka një thënie e vjetër se "Banorët e Guizhou-t pëlqejnë djegësen, banorët e Sichuan-it nuk e kanë frikë djegësen, dhe banorët e Hunan-it kanë frikë se nuk është djegëse."

Zhang Tianyipo përpiqet që kurorën e "Mbretëreshës së djegëses" t'ia japë Hunan-it. Ai pretendon se në menynë që ofron "Fu Niu Tang"-u janë edhe makaronat më djegëse në botë. Punonjësit e restorantit thonë se salca që përdorin për këto makarona, është 125 herë më djegëse se salca "Tabasco", salca meksikane e famshme për djegësinë e saj. Salca e "Fu Niu Tang"-ut bëhet me të ashtuquajturin spec djegës shtatëyjësh.

Kush ha një pjatë prej makaronave djegëse të restorantit "Fu Niu Tang" brenda 10 minutash pa pirë ujë, fitojnë një bluzë dhe një ulje 10 % për gjithë jetën. Në muajt e parë, nga 300 veta që e pranuan sfidën, vetëm 15 ia dolën. Zhang Tianyi thotë se e provoi vetë një herë, por arriti të mbaronte vetëm çerekun e pjatës. Megjithatë, rrugën e saponisur të biznesit ai nuk ka ndër mend ta çojë deri në fund.

Mrekulli
Lajmet Kryesore