Kinë: Sektori i prodhimit, përparime në kushtet e reja

2016-05-03 10:40:27 CRI Komenti juaj Printoni

Qyteti Dongguan është një nga përfaqësuesit kryesorë të sektorit të prodhimit në Kinë. Ai është bërë i njohur dhe ka pasur arritje të mëdha në industritë që kërkojnë krahë të shumta pune, por, për shkak të gjendjes së ndërlikuar ekonomike brenda e jashtë vendit, kjo qendër prodhimi tani po përballet me një trysni më të madhe se kurrë më parë. Në kushte të tilla, kompanitë prodhuese në Dongguan kanë reaguar aktivisht. Ato kanë marrë një sërë masash efikase për rregullimin strukturor, ndryshimin e modelit të zhvillimit dhe inovacionin, duke gjetur rrugë të reja zhvillimi që përshtaten me gjendjen e re dhe duke shërbyer si shembull për sektorin e prodhimit në Kinë, që përballet me ndryshimin e modelit të zhvillimit.

Ditët e fundit, kryemenaxheri i kompanisë së produkteve të lëkurës "Jiede", Luo Liangcha, është shumë i ngarkuar. Ai sapo është kthyer nga një panair në ShBA dhe tani po merret me rregullimin dhe përmirësimin e modeleve të fundit. Para disa vjetësh, kompania "Jiede" merrej vetëm me përpunimin e produkteve prej lëkure, por, me ndryshimin e mjedisit në treg, biznesi i saj hyri në një gjendje të vështirë. Në vitin 2014, Luo Liangzha e zhvendosi kompaninë e tij në Parkun e Biznesit Elektronik "Juda" të qytetit Dongguan, ku biznesi i tij u rigjallërua. Edhe sot, duke folur për këtë ndryshim kyç, Luo Liangcha ndihet shumë i emocionuar.

"Në fillim, që nga viti 2010, ishim të përqendruar te prodhimi dhe mendonim që vetëm me prodhim cilësor mund të kishim forcë të madhe konkurruese. Por, në të vërtetë, ky ishte një koncept i gabuar. Me prodhimet me pajisje dhe dizajn origjinal, nuk patëm ndonjë arritje të madhe, por fituam përvojë duke punuar për marka të njohura. Megjithatë, nuk ishte kjo rruga që mendonim të ndiqnim. Tani ne po ecim në rrugën tonë dhe ndihemi të qetë," thotë Luo Liangcha, kryemenaxheri i kompanisë "Jiede".

Tani, kompania "Jiede" ka krijuar disa marka të veta dhe 80 % e prodhimeve të saj shiten në Europë e në ShBA. Vjet vëllimi i shitjeve të kësaj kompanie arriti vlerën e më shumë se 10 milionë juanëve.

Në Parkun e Biznesit Elektronik "Juda" të qytetit Dongguan, ka edhe shumë kompani që kanë ndryshuar modelin e zhvillimit, duke përballuar me sukses sfidat e reja. Kompania e orendive "Lianying" është një prej tyre. Presidenti i kësaj kompanie Zhang Xilin bën të ditur që, pas ndryshimit të konceptit të biznesit dhe fillimit të tregtisë elektronike, malli stok i kësaj kompanie tani është i parapëlqyer nga blerësit në internet.

"Ky është viti i 3-të që përdorim tregtinë elektronike. Vëllimi i shitjeve është shumë i madh. Në vitin e parë rritja ishte 100 % dhe në të dytin 150 %. Ndoshta këtë vit rritja do të arrijë në 200 %. Parashikojmë që sivjet mund të kemi një vëllim shitjesh me vlerë 100 milionë juanë, çka në të kaluarën ishte i pamundshme. Për këtë arsye, shumë kompani në qytetin Dongguan po kalojnë gradualisht nga modeli tradicional në biznesin elektronik," thotë Zhang Xilin.

Përparimet e kompanive të prodhimit tradicional në Dongguan janë realizuar edhe falë përpjekjeve të mëdha të bashkisë së këtij qyteti në biznesin elektronik. Këto përpjekje kanë bërë që të shfrytëzohen epërsitë e prodhimit tradicional, duke nxitur në të njëjtën kohë ndryshimin e modelit të zhvillimit. Tani në Dongguan ka 5000 kompani që merren me biznesin elektronik ndërkufitar. Krahas tyre, 10 mijë kompani janë përfshirë në mënyra të ndryshme në tregtinë elektronike ndërkufitare, nga të cilat 7 000 fabrika merren drejtpërdrejt me këtë lloj tregtie. Në vitin 2015, vëllimi i tregtisë elektronike kapi një vlerë 339 miliardë juanë, 16.9 % më shumë se një vit më parë. Me nxitjen e tregtisë elektronike, qyteti Dongguan vitin e kaluar shënoi një vëllim të përgjithshëm prodhimi prej 627.506 miliardë juanësh, 8% më shumë se në vitin 2014. Me këtë vëllim të përgjithshëm ekonomik, Dongguan u ngjit më lart në renditjen e qyteteve kryesore të Kinës, duke hyrë në të ashtuquajturin "Klub i 100 miliardë dollarëve".

Tregtia elektronike i ka ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Dongguan të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit. Krahas kësaj, edhe teknologjia robotike ka nxitur zhvillimin e sektorit të prodhimit në Kinë, duke krijuar një shembull inovacioni.

Në ndryshim nga e kaluara, tani në fabrikën e kompanisë "Jinsheng" në Dongguan nuk ka shumë punëtorë. Nën zhurmën e makinerive, një ose dy teknikë me kompjutera tablet telekomandojnë krahët mekanikë dhe robotët me 6 boshte. Në korrikun e vitit 2015, me autorizimin nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit, kompania "Jinsheng" u përfshi në kontingjentin e parë të kompanive pilot me teknologji prodhimi smart. Ndër këto kompani, "Jinsheng"-u është e vetmja që prodhon pjesë me precision të lartë për celularët. Në fakt, prodhimi me teknologji smart mund të kuptohet si prodhim me robot në vend të njeriut. Çdo robot në fabrikë mund të kontrollojë njëkohësisht dhjetë linja prodhimi, ndërsa edhe punëtori më i kualifikuar mund të kontrollojë e shumta deri në dy linja njëkohësisht. Drejtori i prodhimit në fabrikën e "Jinsheng"-ut Zhou Linghao u shpreh se, pas vënies në përdorim të robotëve, është rritur shumë efektiviteti i menaxhimit dhe i prodhimit.

"Për një punëtor në fabrikat tradicionale harxhohet shumë kohë për kualifikimin e tij, dhe krahas kësaj, duhet bërë edhe menaxhimi. Nëse ai nuk është në gjendje të mirë, ndoshta prodhimi nga ky punëtor nuk do të jetë cilësor, ndërsa kur gjendja e tij është e mirë, ky punëtor mund ta kryejë detyrën me cilësi të lartë. Kjo është një periudhë e zakonshme, ndërsa në periudha të tilla, si para Festës së Pranverës, nuk ka pasur punëtor për prodhim. Atëherë, ne kemi vëmë në përdorim robotët. Kjo së pari mund të zgjidhë problemin e krahut të pamjaftueshëm të punës dhe, së dyti, mund të stabilizojë efektivitetin dhe produktivitetin e përditshëm," thotë Zhou Linghao.

Me përdorimin e robotëve në vend të njerëzve, rendimenti i prodhimit të kompanisë "Jinsheng" është rritur me 30 % dhe kostoja e menaxhimit është pakësuar me 30%. Zv.guvernatori i provincës Guangdong dhe kryetari i bashkisë së Dongguan-it Yuan Baocheng u shpreh se përdorimi i robotëve ka rëndësi të madhe për përmirësimin e sektorit të prodhimit në Dongguan.

"Ne duhet të ndryshojmë modelin e vjetër. Përdorimi i robotëve është një mënyrë për uljen e kostos, ndërsa robotika vetë është një sektor. Me përdorimin e robotëve, ne pakësojmë së pari koston e përgjithshme të sektorit të prodhimit, ndërkohë që një numër i madh teknikësh dhe inxhinierësh mund të përsosin më tej zinxhirin dhe strukturën e prodhimit të robotëve. Kështu, do të krijohen disa sektorë që kanë lidhje me robotikën dhe me këtë model, sektori i prodhimit në Dongguan mund të ketë një pozicion të mirë në mbarë Kinën, madje edhe në mbarë botën," thotë Yuan Baocheng, kryetari i bashkisë së Dongguan-it. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore