Dr. Marsela Musabelliu:Kina dhe sfidat globale ndaj pandemisë

2020-07-02 12:35:22 CRI Komenti juaj Printoni

Marsela Musabelliu ka mbrojtur doktoraturën në ekonomi në Universitetin e Xiamen-it në Kinë. Aktualisht ajo drejton Institutin e Studimeve të Globalizimit. Një ndjekëse e vemendëshme e aktualitetit politik dhe ekonomik të Kinës, doktore e shkencave ekonomike Marsela Musabelliu bën një analizë të thellë të marrëdhënieve të Kinës dhe Bashkimit Evropian gjatë dhe pas pandemisë, për rëndësinë e bashkëpunimit në kohën e globalizimit, ekskluzivisht për Radio Ejani, China Media Group.

CMG:Më 22 qershor u zhvillua videokonferenca midis krerëve të Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian dhe presidentit kinez Xi Jinping, në fokus të të cilës ishte bashkëpunimi dypalësh, hapja e tregjeve, investimet dhe bashkëpunimi me palët e treta. Cili do të ishte komenti juaj për këtë videokonferencë ?

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Ky takim ishte i shumëpritur sidomos nga analistët dhe ndjekësit e Kinës në Evropë dhe më gjerë pasi ky është takimi i parë zyrtar midis udhëheqësve kinezë dhe udhëheqjes së re të Bashkimit Evropian, pas inaugurimit të kësaj të fundit, vitin e kaluar. Ky është takimi dypalësh i nivelit më të lartë që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19. Mendoj që mesazhi që përcjell kjo konferencë virtuale mund të gjendet shumë qartë në fjalët e presidentit kinez Xi Jinping. Ai duke vlerësuar paraprakisht marrëdhëniet midis R.P të Kinës dhe BE-së, arritjet e deritanishme, intensifikimin e shkëmbimeve të gjithanëshme theksoi se Kina dhe BE-ja si dy fuqi të mëdha, dy tregje dhe dy civilizime të mëdha kanë dhe përgjegjësi të mëdha sepse çfarë ato mbrojnë dhe kundërshtojnë dhe në cilat fushat bashkëpunojnë ka impakt global.

Pra një marrëdhënie e mirë midis Kinës dhe BE-së shkon përtej këtyre dy partnerëve, sepse do të shërbejë si një katalizator dhe promovues dhe për pjesën tjetër të botës. Për vendin që zenë dhe peshën që kanë në zhvillimet ndërkombëtare besoj se të dy palët duhet të rritin vazhdimisht mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, të zgjerojnë interesat e përbashkëta në bashkëpunim, të zgjidhin problemet e vështira zhvillimore dhe të ndërtojnë një partneritet strategjik, gjithëpërfshirës Kinë-BE.

Në vlerësimin tim ky ishte një takim "që vuri pikat mbi i" për shumë çeshtje për të cilat mendoj se është spekuluar gjatë dhe intensivisht sidomos muajt e fundit. Mund të dallojmë në këtë kontekst sërish fjalët shumë domethënëse të presidentit Xi. Duke theksuar se "Kina është partnere dhe jo rivale", ai thekson se "Kina do të vazhdojë të zgjerojë reformën dhe hapjen, e cila do t'i sigurojë Evropës një raund të ri të mundësive të bashkëpunimit dhe hapjes së zhvillimit". Gjithashtu ai theksoi se "Kina është mundësi dhe jo kërcënim. Ne do të ndjekim me ngulm rrugën e zhvillimit paqësor". Një tjetër mesazh i rëndësishëm i presidentit Xi ishte se "Kina dëshiron paqen në vend të hegjemonisë". Ndër të tjera kreu kinez i shtetit e vuri theksin se " nuk ka asnjë konflikt të interesave themelore midis Kinës dhe Evropës" dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse "bashkepunimi tejkalon konkurencën" dhe "konsensusi tejkalon mosmarrëveshjet". Ai gjithashtu tha se "pavarësisht se si do të ndryshojë situata ndërkombëtare më tej, Kina do të mbajë anën e multilateralizmit" dhe shtoi se "Kina do t'i përmbahet gjithmonë konceptit të qeverisjes globale me bazë konsultimi të gjerë, kontributi të përbashkët dhe përfitimeve të përbashkëta". Ndërvarësia ekonomike midis Kinës dhe BE-së është një fakt i pakundërshtueshëm sepse vetëm vitin e kaluar tregtia dypalëshe arriti në 685.8 miliardë dollarë me një rritje mbi 8 për qind nga viti parardhës. Në 2019 më shumë se 3200 kompani kineze kanë investuar direkt në vendet e BE-së , duke krijuar mbi 260 mijë vende të reja pune. Duket qartë nga fjalët e presidentit kinez se Kina synon lidhje më të qëndrueshme, të pjekura edhe në periudhën pas pandemisë.

CMG: Bota po përballet me pandeminë e koronavirusit ndaj me shumë rëndësi janë marrëdhëniet që do të pasojnë këtë periudhë të vështirë. Në bashkëbisedimin e presidentit kinez me liderët e BE-së këta të fundit shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit me Kinën për studimin dhe prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit. Njëkohësisht në vende të ndryshme të botës po punohet për prodhimin e medikamenteve dhe të vaksinës kundër COVID-19 . Si e vlerësoni ju këtë bashkëpunim?

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Ky është padyshim një lajm i mire për të gjithë. Të dyja palët shpresojnë të japin një sinjal pozitiv bashkëpunimi për të luftuar COVID-19, të avancojnë bashkëpunimin, të promovojnë rimëkëmbjen e ekonomisë globale, duke sjellë më shumë stabilitet dhe energji pozitive për të gjithë botën. Për më tepër më 7 qershor Zyra e Informimit e Këshillit të Shtetit të Kinës publikoi Librin e Bardhë të veprimeve të Kinës kundër epidemisë COVID-19. Në këtë libër Kina ndau me botën eksperiencën e saj në parandalimin e përhapjes së virusit, të mjekimit të pacientëve si dhe u shpreh besimi për fitoren në betejën antiepidemike në mbarë botën.

Gatishmëria e palës kineze në studimin dhe prodhimin e vaksinës ka qenë e shprehur zyrtarisht dhe përbën një sinjal pozitiv që edhe BE-ja po përpiqet të ndajë eksperiencën dhe të punojë bashkërisht me palën kineze. Unë mendoj se fundi i kësaj lufte është në dorë të shkencëtarëve dhe të mjekëve, por sa më i thellë të jetë bashkëpunimi aq më i mirë dhe rezultati.

CMG: Në kulmin e pandemisë COVID 19 prej së cilës linden mjaft teori konspirative rreth origjinës, parandalimit, trajtimit dhe përhapjes globale të virusit, ju publikuat një artikull në fokus të të cilit është Kina dhe paragjykimet ndaj këtij vendi dhe qytetarëve kinezë në vende të ndryshme. A mund të na risillni disa nga pikat kyçe të artikullit tuaj?

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Dua ta nis me "përse-në" e shkrimit. Edhe pse e kam lënë fizikisht Kinën prej gati një viti ende kam shumë miq atje me të cilët komunikoj gati çdo ditë. Gjatë shpërthimit të epidemisë isha në kontakt të vazhdueshëm e shqetësuar për shëndetin e tyre dhe situatën atje. Por gjatë kësaj kohe dëgjoja dhe lexoja teori apo akuza të paqëna, ide komplotiste të cilat përveçse ishin të pabaza anashkalonin tragjedinë njerëzore, që po ndodhte në Kinë.

Në mesin e shkurtit ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë organizoi një veprimtari solidariteti për betejën kundër COVID-19 dhe pata mundësi të bisedoj me qytetarë kinezë që jetojnë në Shqipëri, por mbi të gjitha ishte fjalimi i ambasadorit Zhou Ding në këtë event që më dha një shtysë më tepër për artikullin. Në një kohë të vështirë për Kinën, duke iu referuar betejës kundër epidemisë së popullit të tij, ambasadori Zhou Ding tha "Dielli do të shkëlqejë nëpër re më në fund dhe atëherë ne do të dimë që një ndër flladet e lehta erdhi nga Tirana e largët". Me shkrimin tim doja të isha një shtysë më tepër në këtë "fllad solidariteti" nga Tirana. Ndër pikat kryesore që solla në vemendje të shqiptarëve ishte një panoramim i situates në Wuhan, Hubei dhe më gjerë të betejës së populli kinez kundër epidemisë, përpjekjet e qeverisë kineze për parandalimin dhe çrrënjosjen e virusit si dhe perspektivat ekonomike të vendit.

Unë shënjestrova teoritë konspirative dhe lajmet e rreme sepse informacioni që po vinte në Shqipëri ishte nga çdo burim tjetër, përveç Kinës. Thellova idenë se të flasësh për Kinën dhe rreth Kinës duhet të jenë dy qasje shumë të ndryshme, domethënë kur analizohet Kina edhe burimet duhet të jenë kineze. Në kohën që jetojmë, të përkëdhelur nga teknologjia nuk ka justifikime për mungesë informacioni, sepse mund të gjendet kudo. Më tej fola për marrëdhëniet dypalëshe, për miqësinë e hershme që kemi, duke sjellë në kujtesën tone kolektive idenë se në disa vite shumë të izoluara për Shqipërinë, Kina ishte i vetmi vend mik dhe na ndihmoi përtej mundësive të saj.


1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore