Qendra "Rrezet e jetës", me përkushtim dhe dashuri sfidon pandeminë

2020-05-19 08:39:03 CRI Komenti juaj Printoni

Në fshatin Sauk, në periferi të Tiranës mes gjelbërimit 45 të moshuar jetojnë në qetësi e ajër të pastër në kujdesin e Qendrës rezidenciale "Rrezet e jetës". Kjo vilë e rrethuar me pemë ullinjsh e lule shumëngjyrëshe, me kopshte, veranda strehon banorët e saj, që për shkak të moshës, vetmisë dhe largësisë nga të afërmit tashmë e kalojnë jetën këtu. Të moshuarit dhe të tjerë banorë me aftësi të kufizuara presin mëngjeset e mbrëmjet në mjediset e kësaj qendre, që u ofron strehim, ushqim, kushte higjenike, përkujdesje shëndetësore dhe psikologjike, por dhe kohë të lirë në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe kujdestarëve.

Shpallja e pandemisë së koronavirusit ashtu si për çdo qytetar të botës u erdhi si një lajm i keq të moshuarve të qendrës, të cilët pasi u njoftuan për rregullat e reja nga personeli, filluan të bëheshin pjesë e masave mbrojtëse ndaj Covid-19. Veprimtaria e qendrës ndryshoi përditshmërinë, duke mos lejuar vizitat e familjarëve të të moshuarve, por duke shtuar kujdesin ndaj tyre, si një grupmoshë e rrezikuar nga "flama", siç e quajnë vetë ata epideminë.

Drejtuesja dhe administratorja e Qendrës rezidenciale "Rrezet e jetës" Liljana Sadaj tregon me shumë emocion për masat e mara në dobi të mbrojtjes së të moshuarve, kujdesin e shtuar ndaj tyre, por dhe ndjehet e lumtur për mirënjohjen që i kanë shprehur familjarët dhe të afërmit e tyre. Ajo thotë se në 12 vjet të veprimtarisë së kësaj qendre përballja me epideminë e koronavirusit dhe tejkalimi pa asnjë banor të prekur prej saj është shpërblimi më i madh për punën dhe vetmohimin e stafit të qendrës që ajo drejton.

" Sinqerisht në fillim të pandemisë u shokuam. Mblodha stafin dhe filluam punën sipas orareve dhe lejeve të përcaktuara nga qeveria. Ishim shumë të kushtëzuar në veprimtarinë tonë, por kemi punuar pa u ndalur 24 orë, në mënyrë që të moshuarit të mos ndjeheshin të braktisur, apo të vetmuar për asnjë çast. Kur dëgjonim në televizor se në disa shtëpi të moshuarish në Spanjë apo Itali personeli kishte braktisur punën, ky për mua është mëkat i madh"

"Zonja Lili", siç e thërrasin banorët e qendrës, i konsideron ata si familjen e saj të dytë. Me entuziasëm ajo flet për strategjinë që ka ndjekur për parandalimin e epidemisë në qendrën që drejton.

"Për mua janë një familje e dytë. Në situatën e pandemisë primare për ne ishte të ruanim të moshuarit, veten dhe familjet tona. Besoj se ja kemi arritur më së miri në sajë të izolimit që bëmë, masave të marra dhe kështu asnjë i moshuar i qendrës nuk u prek nga virusi. Për këtë falënderoj dhe familjarët e të moshuarve, që na mbështetën dhe mirëkuptuan qysh në momentin kur njoftuam ndalimin e vizitave të tyre"

Interesimit tim se si kanë mundur të komunikojnë të moshuarit me familjarët e tyre, në kushtet e izolimit të qendrës prej pandemisë, zonja Liljana i përgjigjet se kanë mundësuar lidhjen online të banorëve të qendrës.

Ajo tregon se oraret e liridaljes për të moshuarit janë përshtatur me kushtet e qendrës. Kopshti plot pemë e lule i qendrës, i pajisur me çadra dielli, ndenjëse të rehatëshme i ka mbledhur ata, në oraret që bashkëmoshatarët e tyre shëtisnin nëpër qytete. Banorët e qendrës kanë lënë dhomat e tyre dhe kanë dalë në kopësht, duke ruajtur distancën dhe të shoqëruar nga kujdestaret. Madje shpesh nën rrezet e diellit pranveror ata kanë shijuar drekën në kopsht.

Adem Katroshi është një ndër banorët më të moshuar të Qendrës Rezidenciale "Rrezet e jetës". 91 vjeçar ai është optimist për jetën, ndërsa për karantinën thotë se me këtë kujdes e shëndet të mirë që gëzon me siguri " do ta kapë 100-in".

"Kemi kaluar shumë mirë. Nuk kemi pasur asnjë pengesë, por dhe shoqërinë këtu e kemi të mirë. Kemi televizor, shoqëri dhe jemi të kënaqur", më përgjigjet zoti Katroshi kur e pyes si po e kalon izolimin.

Të moshuarit e përballur me situatën epidemike e kanë ndjerë më shumë kërcënimin e koronavirusit, ndaj dhe kujdesi ndaj tyre ka qenë më i madh. Zoti Kastroshi ndjehet i qetë për djalin e tij që jeton me familjen në Kanada, sepse kur kanë folur në Skype e ka parë që janë mirë.

Ndërsa zonja Petrina, banore 80 vjeçare e qendrës nuk ka frikë nga epidemia. Ajo shpreh mirënjohje për kujdesin e personelit të qendrës, që prej 3 vjetësh i ka rikthyer energjinë për jetën.

Punonjësja sociale Erjola mendon se përvoja e këtyre 4 muajve në përballje me epideminë ka shërbyer për ngritjen e saj profesionale, në kujdesin ndaj të moshuarve.

"Puna ime në këtë periudhë u vështirësua. Së pari, sepse duhet t'u tregoj të moshuarve për arsyet e izolimit, përdorimit të maskave, dorezave, apo shpeshtimin e larjes së duarve. Së dyti përpiqeshim që të moshuarit të mos ishin në kontakt të vazhdueshëm me lajmet, duke i mbajtur larg situatave të pakëndëshme".

Për Erjolën personeli dhe banorët e qendrës janë përshtatur me mënyrën e re të të jetuarit. Ajo ndjehet e lumtur që me përkushtimin e të gjithë stafit kjo situatë e pazakontë po kalon pa pasoja te të moshuarit e qendrës, si dhe për vetë ata.

Duke soditur fotot e banorëve të qendrës gjatë 12 vjetëve të saj, këndin e ditëlindjeve të tyre të festuara plot gëzim dhe urime mu kujtua shprehja "Nderoje pleqërinë! Ajo është e ardhmja e çdo njeriu".

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore