Ditari i Ditmirit gjatë karantinës(1)

2020-03-31 15:58:54 CRI Komenti juaj Printoni

 

20-vjeçari Wang Haoran (me emrin shqiptar Ditmir) është një student i gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Nga fundi i tetorit të vitit të kaluar, ai filloi të studionte në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Mirëpo, për shkak të epidemisë së COVID-19, ditët e fundit ai u kthye në Kinë bashkë me disa shokë shkolle dhe gjendet në periudhën karantinore14-ditore. Ditët e fundit, ai tregoi për Radio "Ejani" në formë ditari për këtë përvojë të veçantë.

24 mars, e martë, Shangai

 

Me acarimin e epidemisë në Shqipëri, mësimet tona në Universitetin e Tiranës u mbyllën dhe nuk mund të ndiqnim studimin, ashtu siç u pezulluan edhe aktivitetet e shumicës së institucioneve arsimore. Në këto rrethana, nuk mund të shijonim më ushqimet fantastike vendëse e të dilnim më jashtë me shokët shqiptarë dhe studimet e jeta normale u ndërprenë. Prandaj, unë dhe disa shokë të tjerë vendosëm të ktheheshim në Kinë.

 

Por, nuk e parashikonim se rruga e kthimit do të ishte plot zigzage.

Në atë kohë kritike, informacionet e fluturimeve ndryshonin shpesh. Blemë tri herë bileta dhe të treja fluturimet u shtynë për më vonë. Dy nga ato ishin me linjën austriake dhe duhej të bënim transit në Austri. Por, për arsye se BE-ja kishte shpallur që kufijtë do të mbylleshin, nuk mund të kishim besim tek ajo linjë. Biletën e tretë blemë me linjën turke, e cila u anulua më vonë njësoj si dy të mëparshmet. Për fat të mirë, arritëm më në fund të blinim një tjetër me "Turkish Airlines" dhe fluturimi ynë ishte i fundit jashtë Shqipërisë me sa di unë.

Më 22 mars, veshur maska dhe doreza, mbërritëm në aeroportin "Nënë Tereza" herët në mëngjes. Nuk kishte qytetarë shqiptarë në rrugë përveç policëve, të cilët të gjithë pa përjashtim kishin veshur maskë. Por në aeroport, shumë njerëz nuk kishin maskë, jo vetëm shqiptarë, por edhe shtetas nga vendet e tjera. Pas një fluturimi dyorësh, arritëm në aeroportin e Stambollit. Duhej të prisnim 14 orë aty, prandaj gjetëm një vend të qetë për të pushuar, duke bërë distancim shoqëror me njëri-tjetrin. Ngase nuk mund të rrinim pa ngrënë dhe pirë asgjë gjatë transitit të gjatë, hëngrëm dhe pimë pasi dezinfektuam duart me alkool. Pas një periudhe të mërzitshme, u futëm në aeroplanin e linjës turke, ku çdo udhëtar kishte tre ndenjëse në radhë horizontalisht, çka na mundësoi të flinim në mënyrë të rehatshme. Megjithëse ishim këshilluar të mos hanim në aeroplan, kisha uri dhe e mbarova të gjithë ushqimin. Në aeroplan nuk kishte njeri pa maskë.

Në orën 5 të 23 marsit, arritëm në Hong-Kong pas një fluturimi prej10 orësh. Këtu moti ishte i nxehtë dhe kisha shumë vapë, meqë kisha veshur xhup me pupla. Aeroporti pothuajse ishte i mbushur i gjithi me kinezë. Shumica e udhëtarëve ishin studentë kinezë që studionin jashtë vendit. Ne ishim në moshë të ngjashme dhe ndiheshim jo vetëm të lodhur nga udhëtimi jashtëzakonisht i gjatë, por edhe të emocionuar që do të ribashkoheshim me të afërmit tanë në një të ardhme të afërt. Duke pritur për të bërë regjistrimin, na u kërkua të plotësonim informacionet lidhur me gjendjen shëndetësore dhe itinerarin e udhëtimit. Duhej të ishim të përgjegjshëm për shëndetin tonë dhe të të tjerëve.

Në orën 22:00 të 23 marsit, pas një udhëtimi që zgjati gjithsej 30 orë që nga Tirana, më në fund arritëm në Shangai. U deshën edhe disa orë për të dalë nga aeroporti dhe u vendosëm në një hotel special për karantinë. Qysh nga 24 marsi, filloi jeta ime e karantinës.(Wang Haoran)

Mrekulli
Lajmet Kryesore