Kina ndihmon Italinë lidhur me epideminë

2020-03-16 16:46:32 CRI Komenti juaj Printoni

Në natën e 12 marsit, mbërriti në Romë një aeroplan i posaçëm, me 31 tonë materiale e pajisje mjekësore dhe nëntë ekspertë kinezë nga autoritetet e shëndetësisë, Kryqi i Kuq i Kinës dhe spitalet kineze, për të dhënë ndihmë në betejën e Italisë kundër epidemisë së pneumonisë së shkaktuar nga COVID-19.

Me të mbërritur, ekipi kinez i dorëzoi palës italiane ndihmat materiale, që përbëhen nga veshje mbrojtëse, ventilatorë për njësitë e kujdesit intensiv dhe ilaçe, duke përfshirë barna tradicionale kineze, që kanë qenë efektive gjatë luftimit ndaj virusit në Kinë.

Sipas kryetarit të Kryqit të Kuq të Italisë Francesco Rocca, nevoja më urgjente për këto ndihma ka në zonat e prekura më rëndë në veri të vendit.

"Detyra më emergjente tani është mbrojtja personale. Maskat e dërguara kanë rëndësi të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Me rritjen e numrit të të prekurve, pajisjet e teknologjisë së lartë mund të ngrenë aftësinë tonë në mjekimin e pacientëve. Shumë faleminderit! Kjo nuk është hera e parë që Kina e ndihmon Italinë. Pas tërmetit të rënë në vitin 2016 në Amatrice, qeveria kineze dhe Kryqi i Kuq i Kinës ishin një ndër të parët që dërguan ndihma", shtoi z. Rocca.

Ditët e fundit, sektorët e shëndetësisë të të dy vendeve kanë zhvilluar videokonferenca të shumta për të shkëmbyer përvojat dhe informacionet. Ndihma e kësaj here është arritur pas bisedimeve midis kryediplomatëve të të dy vendeve. Më 10 mars, ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio i telefonoi homologut kinez Wang Yu për situatën emergjente në vendin e tij. Pas dy ditësh, ekipi mjekësor kinez mbërriti në Romë. Një transmetim i drejtpërdrejtë i postuar nga ministri Di Maio në media sociale për ardhjen e aeroplanit kinez tërhoqi 600 mijë përdorues italianë të internetit.

Në ditën e parë të punës, ekipi mjekësor kinez vajti në Kryqin e Kuq të Italisë, duke shkëmbyer mendime me homologët italianë lidhur me situatën dhe prirjen e epidemisë. Në një konferencë shtypi, ekspertët kinezë iu përgjigjën pyetjeve, si metodat e frenimit të epidemisë në Kinë, vlerësimet e tyre për situatën në Itali, komentet për masat kontrolluese të qeverisë, mënyrat konkrete të mjekimit në Kinë, përdorimi i barnave kineze dhe plazmës nga pacietët e shëruar etj.

Specialistët kinezë do të shkëmbejnë këto ditë mendime me studiues nga Instituti Shtetëror i Sëmundjeve Ngjitëse të Italisë, Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Studimeve të Përparuara (SISSA) dhe institucione të tjera kërkimore. Ata gjithashtu do të bëjnë një vizitë në terren në zonat e prekura më rëndë në Veri, si Milano, Padova etj.

Ministri i Jashtëm italian Luigi di Maio theksoi se përvojat e palës kineze janë shumë të vlefshme për luftën e Italisë kundër virusit. Lidhur me këtë, drejtuesi i ekipit mjekësor kinez Sun Shuopeng shpjegoi:

"Në Kinë, programi i parandalimit dhe i kontrollit, si dhe metodat e mjekimit, janë përditësuar deri në variantin e shtatë. Këto janë përvoja të grumbulluara brenda më shumë se 40 ditësh nga mjekët e studiuesit tanë në bazë të praktikave klinike në trajtimin e gjendjeve të ndryshme. Çdo përditësim mbështetet nga rezultatet konkrete të rritjes së përqindjes së shërimit. Po i ndajmë këto përvoja të vyera pa asnjë rezervë nëpërmjet përkthimit shumëgjuhësh. Këto informacione mund t'i quajmë më mirë metoda praktike sesa përvoja. Ne jemi të mendimit se, po të shfrytëzohen mirë projektet dhe metodat tona, patjetër do të kenë efekt."

Përveç paraqitjes së masave të marra nga Kina, ekspertët kinezë vlerësojnë edhe masat e autoriteteve italiane. Sipas z. Sun, tërë shoqëria italiane po i kushton vëmendje gjendjes dhe qeveria ka marrë masa të forta përballuese. Për shembull, pas mbylljes së Romës, lëvizjet njerëzore janë pakësuar në mënyrë të dukshme.

"Metodat tona më efektive në përballimin e epidemisë janë zbulimi, raportimi, izolimi dhe mjekimi i hershëm. Metodë tjetër janë trajtimet e diferencuara: ata me simptoma të rënda marrin mjekim në institucione me kushte më të mira, të prekurit lehtë dhe të diagnostikuarit pozitivë përqendrohen në spitale të përkohshme, kurse ata që kanë pasur kontakte të ngushta me të prekurit ose të dyshuarit qëndrojnë të izoluar në shtëpi për të prerë burimin e përhapjes. Jam i mendimit se, pas karantinës dyjavore, testimit të përshpejtuar dhe mjekimit të duhur për të prekurit rëndë, gjendja mund të ndryshojë shpejt", theksoi z. Sun.

Mrekulli
Lajmet Kryesore