Sara Lu, vullnetarja shqiptare në luftën kundër koronavirusit

2020-02-26 15:24:15 CRI Komenti juaj Printoni

Sara Lu është një vajzë 20-vjeçare shqiptare që ka studiuar për nëntë vjet në Shangai. Në fund të janarit, kur distrikti ku banon ajo dhe familja e saj shpalli rekrutimin e vullnetarëve kundër epidemisë, Sara paraqiti aplikimin dhe nisi shërbimin në lagje. Në një intervistë dhënë Radios "Ejani", ajo foli për jetën dhe punën e saj në këto ditë të veçanta.

"Kam gati 12 vjet që jetoj në Kinë. Shangai çdo vit ka një pamje të re, është një qytet shumë modern dhe një qytet i nxehtë. Kam qenë edhe në vende të tjera të Kinës, si Pekin, Zhejiang, Nankin, Xiamen etj. Të gjitha këto qytete kanë bukurinë dhe traditat e veta. Janë mjaft të bukura," tregon Sara.

Pas shpërthimit të papritur të virusit, familja e saj u njoh me masat për parandalimin e epidemisë.

"Që nga momenti që u shfaq kjo sëmundje, në fakt ne mund të mësojmë për masat parandaluese dhe situatën nga kanalet e ndryshme televizive. Informacioni më i përshtatshëm është në internet, por përveç kësaj, edhe komunitetet e lagjes na instruktojnë që duhet ta mbajmë maskën çdo ditë sa herë që dalim nga shtëpia dhe të lajmë duart shpesh gjatë ditës. Kanë bërë mjaft punë dhe e kanë bërë shumë mirë", tha Sara.

Sipas saj, deri tani jeta normale nuk është ndikuar dhe kjo epidemi nuk i ka çuar njerëzit në panik.

"Në dyqane nuk mungon asgjë dhe çdo komunitet i zonës ka caktuar persona enkas për të moshuarit që të mos dalin, por t'ua blejnë produktet e t'ua çojnë drejt e në shtëpi. Nuk besoj se kjo sëmundje ka shkuar deri në panik. Përballimi i sëmundjes kërkon kujdesin e të gjithëve, pra të kujdesemi për veten e, në të njëjtën kohë, të kujdesemi edhe për të tjerët."

Sara është vullnetarja më e re e lagjes dhe e vetmja e huaj. Ajo tha se, meqë ishte futur në Kryqin e Kuq, e dorëzoi aplikimin pasi mori mbështetjen e familjes. "Familja më ka edukuar që t'i ndihmoj të tjerët mesa forcë të kem. Në fillim ishte pak e vështire por nuk më ndaluan që të ofroja ndihmë që mundesha. Aplikimi ishte njësoj për të gjithë, pavarësisht se unë jam studente dhe e huaj. Por unë isha pak më e vogël se të tjerët dhe ata kishin pak më shumë kujdes për mua", tha Sara.

Faktikisht, kjo nuk është hera e parë që ajo merr pjesë në shërbimet e Kryqit të Kuq. Si anëtare e "Ndihmës së parë" të Kryqit të Kuq, ajo, duke përfaqësuar shkollën e vet, ka marrë pjesë disa herë në konkurse ndihme e shpëtimi. Në vitin 2016, ajo së bashku me dy anëtarë të tjerë fituan në kategorinë e shkollave të mesme të konkursit të Kryqit të Kuq të Shangait.

Gjatë shërbimit të kësaj here, Sara duhet të punojë për gjashtë orë në ditë, duke filluar nga mesdita deri në orën gjashtë të mbrëmjes. Matja e temperaturës dhe kontrolli i informacioneve të raportuara të banorëve janë punët kryesore të vajzës së re.

"Në fillim duhej të matnim vetëm temperaturën, por pak ditë më vonë u forcuan kontrollet dhe, përveç temperatures, duhej të kontrollonim edhe informacionet që shkruhen në celular se nga janë, ku do të shkojnë etj. Nëse ata e kanë temperaturën mbi 37.3, atëherë e rimasim dhe, nëse është i njëjti rezultat, atëherë dërgohen te mjekët e posaçëm dhe më pas në spital. Si mua, në çdo lagje të çdo vendi në Kinë ka edhe shumë të tjerë që po ndihmojnë. Ne u japim maska të tjerëve ose kujdesemi për moshën e tretë dhe u shpjegojmë njerëzve që kjo sëmundje nuk është edhe aq e rrezikshme", i tha ajo Radios "Ejani".

Megjithëse dimri në Shangai nuk është shumë i ashpër, temperatura ulet pas perëndimit të diellit dhe shpesh fryn erë. Por vështirësia më e madhe për Sarën është kostumi mbrojtës, veshja dhe zhveshja e të cilit i harxhon shumë kohë. Për të kursyer kohë, të gjithë vullnetarët nuk hanë ose pinë gjatë gjashtë orëve të turnit të shërbimit, sepse për përdorimin e banjës ose për pirjen e ujit duhet hequr veshja mbrojtëse. Megjithatë, Sara aplikoi për disa ditë të tjera pune, duke kapëcyer vështirësitë.

Për të lehtësuar shqetësimet e gjyshit dhe gjyshes në Shqipëri për epideminë, nëna e Sarës u shpjegoi për punën e madhe që Kina ka bërë në një kohë shumë të shkurtër, "që nuk është bërë në asnjë vend në të gjithë botën deri tani", dhe kështu familjarët larg u qetësuan.

Tani, rastet e infektimeve të reja kanë shënuar rënie të dukshme për dhjetëra ditë radhazi dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë kineze po rifillojnë gradualisht punën. Për planin e saj pas epidemisë, studentja punëtore Sara përmendi dy gjëra që dëshiron të bëjë. "Tani ne po e bëjmë mësimin në internet. Gjëja e parë që dua të bëj, është të shkoj në bankat e shkollës dhe, e dyta, të marr vëllanë dhe të shkojmë të luajmë basketboll", thotë e qeshur vullnetarja e re shqiptare.

Mrekulli
Lajmet Kryesore