Kinë, 3 miliardë udhëtime për ribashkimin familjar

2020-01-20 17:16:11 CRI Komenti juaj Printoni

Festa e Pranverës, ose Viti i Ri Kinez, është festa më e rëndësishme tradicionale kineze. Me këtë rast, familjarët ribashkohen për të kremtuar ardhjen e një viti të ri. Ata që punojnë në qytete të mëdha kthehen në vatrat e tyre dhe shumë të tjerë e shfrytëzojnë pushimin njëjavor për turizëm. Të gjitha këto shkaktojnë lëvizjen më të madhe periodike të popullsisë në botë.

Në vitin 1994, numri i udhëtimeve gjatë Festës së Pranverës arriti në 1 miliard, kurse në vitin 2006 2 miliardë. Sivjet, Festa bie më 25 janar sipas kalendarit bujqësor dhe, duke filluar nga 10 janari dhe deri më 18 shkurt, brenda këtyre 40 ditëve, nië Kinë parashikohet se do të bëhen gjithsej mbi 3 miliardë udhëtime individuale, nga 2.98 miliardë në vitin 2019. Siç mësohet, vetëm në katër ditët e para të këtij viti, 285 milionë udhëtime u kryen në rrugë tokësore, hekurudhore, ujore dhe ajrore. Kështu që fluksi i udhëtarëve gjatë festës jo vetëm pasqyron etjen e kinezëve për t'u ribashkuar me familjen në fund të një viti, por gjithashtu përbën edhe një "test të përvitshëm" për të matur aftësinë e sektorit të transportit, si edhe të autoriteteve kineze për ruajtjen e rendit publik.

Për të kaluar "provimin" e sivjetshëm, janë bërë shumë përpjekje.

Sivjet, 8489 kilometra linja të reja hekurudhore janë vënë në përdorim, 5 474 prej të cilave për trenat e shpejtë. 290 mijë kilometra rrugë janë ndërtuar ose rikonstruktuar, për të siguruar që çdo fshat të lidhet me rrugë asfalti. 9275 kilometra linja të reja ajrore janë hapur, ndërsa numri i aeroporteve në funksionim në Kinë ka arritur në 238.

Siç mësohet nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës, kapaciteti i transportit hekurudhor do të ngrihet me 7 % gjatë Festës së Pranverës, duke transportuar mbi 10 milionë njerëz në ditë; aviacioni civil do të garantojë ulje-ngritjen e 704 mijë aeroplanëve, ndërkohë që 790 mijë autobusë dhe 19 mijë anije do të ofrojnë përkatësisht 23.1 milionë dhe 830 mijë vende për udhëtarët.

Për t'u ofruar udhëtarëve një përvojë më cilësore udhëtimi, sektorët kinezë të transportit po marrin masa të ndryshme për të ngritur efektivitetin e punës.

Për shembull, ka hyrë në funksionim Aeroporti Ndërkombëtar "Daxing", duke përsosur më tej rrjetin e transportit kompleks të rajonit Pekin-Tianjin-Hebei. Mbi 10 linja të reja hekurudhore për trena me shpejtësi janë vënë në përdorim, duke përmbushur kërkesat e shtuara gjatë festës. Në të gjitha autostradat janë hequr pikat e pagesave dhe drejtuesit e automjeteve mund të kalojnë drejtpërdrejt me bërjen e pagesës elektronike automatike. Në shumë linja hekurudhore shiten bileta elektronike, me anën e të cilave udhëtarët mund të hipin në tren vetëm me një kartë identiteti ose duke skanuar kodin e përgjigjes së shpejtë (QR) në celular.

Bëhet e ditur se pushteti vendor në Kinë do të nxitë pjesëmarrjen e më shumë kompanive në ofrimin e shërbimeve të transportit inteligjent, duke realizuar menaxhim të përsosur në bazë të vëzhgimit bashkëkohor të lëvizjes së udhëtarëve, të qarkullimit rrugor dhe fluksit në pikat turistike.

Përveç fluksit të udhëtarëve që kthehen në shtëpitë e tyre, edhe turistët përbëjnë një numër të madh në kulmin e lëvizjes në ditët e para të Vitit të Ri. Gjatë pushimit njëjavor të vitit 2019, pikat turistike në krahina të ndryshme të Kinës pritën 415 milionë vizitorë, 7.6 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të 2018-s. Ndërsa, sipas llogaritjeve fillestare të platformës elektronike për vizitat turistike, "Ctrip", gjatë pushimit të sivjetshëm, 450 milionë kinezë do të bëjnë turizëm.

Në vitet e mëparshme, shumë metropole kineze zbrazeshin pas kthimit të punëtorëve në vendlindje për kremtimin e festës. Gjatë atyre ditëve, mjetet e transportit publik, si autobusët, metrotë, taksitë etj., mezi mbusheshin përgjysmë. Por kjo dukuri po ndryshon, sepse tani gjithnjë e më shumë të rinjtë kinezë po i marrin prindërit e tyre në qytetet e mëdha ku punojnë për të kaluar së bashku festën. Kjo lëvizje "kundër rrymës" po tërheq vëmendjen e sektorëve të transportit. Për shembull, sipas një raporti parashikues të hartuar në bazë të të dhënave të mëparshme dhe studimeve të ekspertëve, qytetet si Pekini, Shangai, Shenzhen-i, Hangzhou, Chongqing-u, Chengdu, Xi'an, Changsha, Zhengzhou, Guangzhou etj., me një popullsi mbi 10 milionë banorë, do të jenë dhjetë destinacionet më të pëlqyera të këtyre familjeve. Gjithashtu, sipas të dhënave statistikore, në katër vjetët e fundit, numri i udhëtarëve të tillë është rritur me 9 % në vit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore