Kina, një zhvillim i jashtëzakonshëm

2020-01-13 15:32:22 CRI Komenti juaj Printoni

24 punonjës të administratës publike shqiptare vizituan në muajin nëntor Kinën, me synim shkëmbimin e përvojës me institucionet e këtij vendi, bazuar në një marrëveshje bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare dhe asaj kineze.

Rovena Qose, përgjegjëse e sektorit të programeve të zhvillimit pranë Ministrisë së Drejtësisë ishte njëra nga pjesmarëset e këtij grupi, që na rrëfen përvojën e saj kineze.

CMG: Cili ishte motivi i vizitës suaj në Kinë?

Rovena Qose: Motivi i vizitës sonë në Kinë është një program bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare dhe asaj kineze për forcimin e kapaciteteve të administratës publike. Unë jam punonjëse e Ministrisë së Drejtësisë dhe mu dha mundësia që bashkë me një grup prej 24 kolegësh nga ministritë dhe agjencitë shtetërore të ishim pjesmarrës në një seminar trajnimi duke parë nga afër sistemet e menaxhimit të politikave, në kuadër të forcimit të kapaciteteve të administratës publike.

CMG: Pra ishte kjo eksperienca juaj e parë profesionale si përfaqësues të admimistratës publike shqiptare në Kinë?

Rovena Qose: Po.

CMG: Cilat qytete vizituat dhe cfarë shkëmbimesh bëtë gjatë qëndrimit tuaj në Kinë?

Rovena Qose: Kohëqëndrimi ynë në Kinë ishte 3 javë gjatë të cilave qëndruam në Pekin, në Yiwu, Suzhou dhe Shangai. Dy javët e para qëndruam në Pekin ku zhvilluam seminare tematike dhe diskutime me profesorë kinezë të administratës publike, ndërsa një javë zhvilluam vizita studimore në qytetet Yiwu dhe Suzhou. Patëm rastin të vizitonim disa kompani kineze.

CMG: Përshtypjet tuaja nga takimet me kolegët kinezë, përvojën e shkëmbyer nga grupi juaj gjatë seminareve dhe a patët një pjesë praktike ?

Rovena Qose: Sipas kurrikulës së trajnimit në qendër të saj ishin trajtimi i politikave dhe planeve të zhvillimit, mënyra e funksionimit të tyre në Republikën Popullore të Kinës. Ne e pamë nga afër këtë përvojë dhe profesorët kinezë na trajnuan lidhur me këtë tematikë, në kuadër të planveprimit apo strategjive që duhen implementuar. Zhvilluam vizita studimore në disa kompani kineze, ku do të veçoja Huawei, një vizitë interesante dhe mikpritje dashamirëse nga drejtuesit e kompanisë që na treguan për aktivitetin e tyre.

CMG: Po në qytetet e tjera patët shkëmbime përvojë profesionale?

Rovena Qose: Në qytetin Yiwu gjatë qëndrimit tonë po zhvillohej një panair ndërkombëtar i prodhuesve, që për ne ishte me interes. Kemi parë nga afër gjatë vizitave tona aspekte të zhvillimit të ekonomisë . Vizituam Parkun Industrial të Suzhout si dhe një institucion akademik që merrej me analizat e ADN-së , ku bëheshin kërkime në fushën e shëndetësisë.

CMG: Le të ndalemi në përshtypjet tuaja si vizitore në qytetet kineze.

Rovena Qose: Kina është një vend shumë i madh, një perceptim që unë e kisha pa shkuar atje, ndaj isha kureshtare për këtë. Kur mu dha mundësia për ta vizituar isha e kënaqur sepse pashë një vend shumë të zhvilluar, me një teknologji të jashtëzakonëshme, po ashtu infrastruktura, shërbimet që u ofroheshin qytetarëve. Ne vizituam Pekinin, Suzhoun, Yiwun por dhe Shangain, i cili ishte shumë i bukur nga ku kam kujtime të bukura. Përsa i përket infrastrukturës ne provuam shumë mjete transporti, pasi udhëtuam me avion, me trenin e shpejtë, që ishte një eksperiencë unike në jetën time.

CMG: Nga këto vizita ju bëri më shumë përshtypje Kina tradicionale apo ajo moderne?

Rovena Qose: Kina moderne më bëri shumë përshtypje, pasi sapo dilje nga hoteli ky ishte impakti i parë. Ndërsa lidhur me Kinën e traditës ne vizituam në Pekin Qytetin e Ndaluar, ku u munduam që në kohën që kishim në dispozicion të vizitonim gjithë strukturën e tij. Gjithashtu vizituam Parkun Olimpik, ku janë zhvilluar Lojërat Olimpike dhe na la përshtypje të jashtëzakonëshme. Ndërsa në qytetin Yiwu vizituam dy parqe dhe na bëri përshtypje gjelbërimi, kudo ndonëse ishte mot i ftohtë madje dhe në këmbët e urave apo nënkalimeve. Në Suzhou vizituam një nga parqet kombëtare, por duhet të përmend vizitën në Murin e Madh Kinez , një përvojë shumë e bukur kjo, që nuk kishte si të mungonte. Shangai është një qytet mjaft i bukur, ku vizituam Pearl Orient Tower, që na la shumë përshtypje me dyshemenë e qelqtë, ku disa u trembën.

CMG: Pas kësaj vizite për motive profesionale, a do ta vizitoni përsëri Kinën si turiste?

Rovena Qose: Patjetër! Absolutisht po!

Eda Merepeza

Mrekulli