Makao, sukses i politikës "Një vend, dy sisteme"

2019-12-20 14:24:56 CRI Komenti juaj Printoni

Më 20 dhjetor të vitit 1999, dy vjet pas kthimit të Hong-Kongut, qeveria qendrore kineze rifitoi të drejtën e sovranitetit edhe mbi Makaon.

Politika "Një vend, dy sisteme", që zgjidhi çështjet historike në mënyrë paqësore, është një ide krijuese e paraqitur nga ish-lideri kinez Ten Hsiao Pin. Gjatë 20 vjetëve të fundit, me anën e zbatimit të vendosur të kësaj politike, Makaoja ka realizuar zhvillimin e shpejtë ekonomik, përmirësimin e jetesës së banorëve dhe një shoqëri harmonike me sundim të ligjit, duke vërtetuar suksesin e parimit "Një vend, dy sisteme".

Para kthimit në gjirin e atdheut, ekonomia e Makaos kishte pasur rënie shumëvjeçare me papunësi të lartë, përkeqësim të rendit shoqëror dhe mangësi ligjore. Njerëzit që jetonin atje, thoshin me shaka se, sa herë në filmat hongkongas shfaqeshin pamjet e Makaos, kjo nënkuptonte se diçka e keqe do të ndodhte.

 

Pas kthimit, Makaoja, duke ruajtur të pandryshuar sistemin ekonomik kapitalist, mënyrën e jetesës dhe legjislacionin kryesor, gëzon autonomi të lartë dhe të drejta administrative, legjislative, ligjore dhe të dhënies së vendimeve gjyqësore përfundimtare. Banorët e Makaos, si zotër të rajonit të tyre, filluan të merrnin përsipër detyrat e zhvillimit të tij.

Pas zhvillimit 20-vjeçar, PBB-ja e Makao-s u rrit nga 51.9 miliardë në 444.7 miliardë pataka (monedha vendore), rezerva valutore është shtuar 6.2 herë, ndërsa përqindja e papunësisë qëndron në 1.8 %, një nivel i ulët historik.

Lulëzimi ekonomik u sjell edhe banorëve përfitime konkrete. 75-vjeçarja Chen Yulian shprehet se, para kthimit të Makaos në atdhe, dëshira më e madhe e saj ishte që fëmijët e vet të rriteshin sa më shpejt, në mënyrë që të arrinin moshën e lejuar për punë, sepse familja ishte tepër e varfër. Po tani nipat dhe mbesat e saj, pas përfundimit të arsimit falas 15- vjeçar, kanë shkuar në pjesën kontinentale për shkollim të lartë. "Tani edhe paratë e mia të xhepit janë më shumë se paga e mëparshme. Dëshira më e madhe është të bëj turizëm kur jam në gjendje të lëviz", tha ajo.

Sipas profesorit Zhang Keke, astrofizikant me famë botërore, që drejton Laboratorin Kombëtar të Shkencës Hënore dhe Planetare të Universitetit të Shkencave dhe të Teknologjisë së Makaos, me mbështetjen e fortë të qeverisë qendrore dhe epërsinë e politikës "Një vend, dy sisteme", Makaoja ka krijuar mrekulli ekonomike, duke tërhequr si magnet talente të shquara botërore. Për shembull, në laboratorin e tij punojnë shumë studiues europianë dhe amerikanë.

Kur u krijua Rajoni i Posaçëm Administrativ i Makaos, vetëm tre vende e rajone të botës hoqën vizat ndaj qytetarëve të këtij rajoni. Pas 20 vjetësh, 144 vende e rajone të botës kanë hequr vizat ose zbatojnë politikën e marrjes së vizave në mbërritje për banorët e Makaos. Ndërkohë, Makaoja është edhe anëtare e më shumë se 110 organizatave ndërkombëtare.

"Dy synimet kryesore të politikës 'Një vend, dy sisteme' janë mbrojtja e sovranitetit, sigurisë kombëtare e interesave të zhvillimit të vendit dhe ruajtja e qëndrueshmërisë shoqërore me zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të Makaos. Po të vlerësojmë nga këto kritere, mund të themi se kjo politikë ka pasur sukses të plotë gjatë 20 vjetëve të zbatimit", tha profesori i drejtësisë i Universitetit të Makaos, Zhang Keke.

Për arritjet e rajonit, kryeguvernatori i tanishëm i Makaos, Fernando Chui Sai On, u shpreh se ato nuk mund të ndahen nga mbështetja e fortë e qeverisë qendrore.

Në vitin 2017, tajfuni i fuqishëm "Hato" goditi Makaon, duke lënë një qytet të izoluar, me ndërprerje të furnizmit me ujë e energji elektrike, të qarkullimit rrugor dhe të internetit. Qeveria rajonale u kërkoi sipas ligjit ndihmë trupave ushtarake të dislokuara në qytet. Me punën e zellshme treditore, ushtarët i nxorën qytetarët nga paniku, duke fituar edhe përkrahjen e gjerë të publikut.

Në reagim të mbështjes së fortë të qeverisë qendrore, edhe Makaoja ka bërë shumë për zhvillimin e pjesës kontinentale të atdheut.

Në çdo degë banke të Makaos ka një sportel të veçantë mbi të cilin shkruhet "Dhurim për fatkeqësi". Në vitin 2008, kur ra tërmeti i fuqishëm në Sichuan, që shkaktoi dhjetëra mijë viktima, shumë banorë të Makaos i dhanë kontributet e veta nëpërmjet këtij sporteli.

Distrikti Congjiang i provincës Guizhou, një zonë e prekur thellësisht nga varfëria, 1000 kilometra larg nga Makaoja, ka marrë ndihma të pandërprera nga rajoni i posaçëm në luftën kundër varfërisë. Në vitet e fundit, qeveria e Makaos ka financuar shumë projekte vendore në fushat e arsimit, mjekësisë, turizmit dhe punësimit etj. Vetëm në vitin 2019, burimet qeveritare dhe shoqërore të Makaos kanë bërë zgjerimin e dy shkollave fillore, kanë trajnuar 1500 mësues, kanë krijuar çmime për mësuesit e dalluar, kanë ndërtuar 18 klinika në fshatra dhe kanë dhuruar pesë ambulanca. Ato gjithashtu kanë forcuar shërbimet falas për kontrollin shëndetësor të pjesëtarëve nga familjet e varfra dhe kanë mundësuar operacione falas për 200 pacientë me perde në sy nga këto familje, kanë financuar aparatet e dëgjimit për më shumë se 360 veta me dëgjim të dobët etj.

"T'ju them sinqerisht, në një shoqëri ka lloj-lloj njerëzish, disa prej të cilëve në raste të ndryshme mund të kenë vërejtje dhe ankesa për qeverinë. Por jemi krenarë se, pavarësisht nga ankesat që kanë, banorët tanë nuk e kanë ndryshuar asnjëherë dashurinë për atdheun dhe besimin ndaj politikës 'Një vend, dy sisteme'", tha ish-kryeguvernatori i Makaos Edmund Ho Hau-wah.

Mrekulli
Lajmet Kryesore