Prof. Agron Fico: Kina është dashuria ime e parë

2019-12-06 09:13:32 CRI Komenti juaj Printoni

Profesor Agron Fico, albanolog, gjuhëtar, studjues i etnokulturës, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve ka një lidhje gati 60 vjeçare me Kinën dhe kinezët. Ai ka qenë pegagogu i parë i gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit në vitin 1961, ku ka përgatitur shqipfolësit e parë kinezë, duke ndikuar në themelimin e redaksisë së gjuhës shqipe të Radios së Jashtme të Kinës (CRI).

Profesor Agroni më uroi mirëseardhjen në banesën e tij në Tiranë, ku ndër orenditë e çmuara një vend kryesor zenë ato nga Kina, ndonëse çifti Fico është larguar nga ky vend në vitin 1966. Bashkëshortja e profesorit zonja Liri më tregon abazhurin 80 vjeçar të blerë në Pekin, tablotë me letër orizi të punuara nga mjeshtrat kinezë, por dhe fotot ndër vite me miqtë nga ky vend, shumë i dashur për ta.

CMG: Profesor Fico, si e kujtoni këtë periudhë të jetës suaj, që lidhet ngushtësisht me Kinën?

Prof.Agron Fico: Ju falënderoj shumë për këtë vizitë kaq të këndshme, sepse ju më sollët pranverën e Kinës, që e përjetova në vitet 60-të kur pata fatin e bardhë të punoja atje si profesor i gjuhës shqipe. Ato kanë qenë ndër vitet më të bukura të punës dhe të jetës sime. Për herë të parë vumë themelet e asaj që quhet Katedra e Gjuhës Shqipe, e cila sot është shndërruar në një qendër albanologjike. Është e natyrshme që të ndjehem mirë si profesor që kjo katedër sot është kosherja nga ku kanë dalë bletët, që janë shqipfolësit, që punojnë edhe në Radion e Jashtme të Kinës.

Ishin vitet 60-të dhe unë isha atëherë shumë i ri bashkë me bashkëshorten time. Pas një udhëtimi 24 ditor me det ne arritëm në Pekin. Vitet 60-të të Kinës karakterizoheshin nga një gjendje e vështirë ekonomike, sepse vendi kishte pësuar një thatësirë 3 vjeçare. Por e habitshme ishte vullneti dhe entuziasmi i studentëve, që ndiqnin mësimet e gjuhës shqipe dhe kështu ndërtuam një punë shumë të mirë. Ne ishim shumë afër njeri-tjetrit dhe mua mu krijua një mjedis i mirë për të punuar. Këto vite kanë mbetur si një thesar i jetës sime. Por pata dhe një ngjarje familjare sepse atje u lindën dy vajzat e mia, Albana dhe Delina, të cilat i duan dhe i kujtojnë me dashuri ato vite. Madje para një muaji ishte për vizitë në Kinë vajza ime Albana, e cila është drejtore e Institutit të Shëndetit Publik dhe ajo kishte vizituar dhe Katedrën e Gjuhës Shqipe, ku kishte parë fotografitë. Ishte shumë emocionuese për mua që vajza ime arriti të prekë atë vend, ku kishim vënë themelet.

CMG: Njiheni si një ndër themeluesit e redaksisë së gjuhës shqipe të Radios së Jashtme të Kinës (CRI), aktualisht Radio Ejani. A ishte e vështirë puna juaj me të rinjtë kinezë që mësonin shqip në atë periudhë ?

Prof. Agron Fico: Emocionet janë aq të mëdha dhe aq të fuqishme, por njësoj i ruaj edhe sot. Kujtoj orën e parë të mësimit. Pasi u bë prezantimi nga dekani, thashë edhe unë disa fjalë dhe fillova të shpjegoj se gjuha shqipe ka 36 shkronja dhe tinguj. Ne ndërtuam një program, bazuar në përvojën që unë kisha në mësimin e shqipes, sepse u kisha dhënë mësim studentëve gjermanë, rumunë e të tjerë. Ndërkohë në program futëm dhe elementë leximi të mësimit të shqipes, që i lexonte dhe gruaja ime për të patur dhe një zë femëror.

Lidhur me këtë kam një kujtim dhe në një farë mënyre jam dhe unë bashkëthelemues i emisionit të mrekullueshëm të gjuhës shqipe. Në vitin 1964 kryeministri kinez Zhou Enlai, që sapo ishte kthyer nga vizita në Shqipëri me një entuziazëm të jashtëzakonshëm na ftoi në një darkë ku ishte ambasadori shqiptar, unë me bashkëshorten dhe këshilltari ekonomik i ambasadës. Darka u bë në vilën qeveritare dhe u ndjemë si të barabartë me kryeministrin kinez. Pasi darkuam e pamë disa filma, unë përfitova dhe i thashë "Zoti kryëministër përse të mos hapim një emision të radios?". Kryeministri Zhou Enlai më tha se ishte mendim i mirë, po si do të bëhej për bashkëpunëtorët dhe punonjësit e radios. Unë i thashë se janë të gatshëm, pasi po përgatiten. Nuk e di sa ka ndikuar, por kjo gjë ndodhi. Ky emision ka shërbyer shumë për dëgjuesit. Dua të them se kam qenë kaq shumë i lidhur me këtë emision sa që edhe kur jetoja në ShBA, në Nju Jork unë e ndiqja, madje kam marrë dy çmime nga konkurset e shpallura në vitet 2005 dhe 2006. Në redaksi ka gjuhëtarë, përkthyes të veprës së presidentit Xi Jinping për vetëqeverisjen janë dhe nga stafi i radios. Koha provoi se ajo që bëmë ne ishte e saktë, ishte e mirë, ishte e drejte. Për ta përforcuar këtë kujtoj se para disa ditësh në një veprimtari në kryeministri, kryeministri Edi Rama tha se "në shkrimet nga shqipfolësit kinezë nuk gjendet asnjë gabim, asnjë ç pa bisht dhe asnjë ë pa dy pika". Kjo u krijua nga ne, nga të tjerët që erdhën më pas. Në Radion e Jashtme të Kinës është krijuar një institucion i mirëfilltë gjuhësor.

CMG: Me një mesazh të posaçëm stafi shqiptaro-kinez i Radio Ejani ju përshëndet dhe ju falënderon për punën që ju keni bërë. Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama në veprimtarinë e para disa ditëve për 70 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-kineze ju vlerësoi si "një monument i gjallë i historisë për të cilën jemi mbledhur këtu sot dhe me këtë rast dua t'i shpreh gjithë respektin tim profesor Agron Ficos"

CMG: Pas përvojës suaj si pedagogu i parë i shqipes në Universitetin e Pekinit dhe krijimit të redaksisë së gjuhës shqipe, jeni rikthyer në Kinë?

Prof. Agron Fico: Nuk kam qenë fizikisht por kam qenë shpirtërisht. Unë kurrë nuk jam ndarë nga Kina. Është e vërtetë që fizikisht u kthyem nga Kina në vitin 1966, por unë kam vazhduar të shkruaj për Kinën. Natyrisht kam ëndërruar ta vizitoj, por e ndjek dhe gëzohem çdo ditë. Siç e tha dhe ambasadori Zhou Ding unë vazhdoj të jem një njohës i thellë i Kinës, sepse ishte dashuria ime e parë.

CMG: Keni marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e organizuara në përkujtim të 70 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-kineze. Si i vlerësoni këto marrëdhënie dhe të ardhmen e tyre?

Prof. Agron Fico: Me rastin e 70 vjetorit me këmbë të mbarë ambasadori kinez më 7 mars më vizitoi dhe që nga ajo ditë unë dhe familja ime u bëmë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet që janë zhvilluar. Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në sfond historik në periudha të ndryshme kanë patur probleme, por e kam thënë dhe publikisht kjo ndodhi për gabimin tonë, gabimi i Enver Hoxhës për prishjen e pakuptimtë të marrëdhënieve. Populli shqiptar nuk u prish kurrë me Kinën. Falë miqësisë këto vite jane vazhduar dhe thelluar këto marrëdhënie. Kinezët kanë një veçori nga e cila duhet të mësojmë, sepse ata janë lumenj të mëdhenj, ata bëjnë shumë punë, por zhurmën e kanë të paktë. Kjo është filozofia e tyre më e bukur. Unë nuk do të lodhem së shkruari dhe së dashuruari Kinën.

CMG: Mesazhi juaj për Radio Ejani?

Prof. Agron Fico: Po e them me një shprehje gjirokastrite "Ju ngalas!", që do të thotë përqafim me shumë mall. I përgëzoj dhe i uroj për punën e mbarë që kanë bërë dhe bëjnë dhe që kontribuojnë për afrimin më të madh shpirtëror midis shqiptarëve dhe kinezëve. Ju jam shumë mirënjohës!

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore