Kina në Panairin e Librit "Tirana 2019"

2019-11-18 16:25:50 CRI Komenti juaj Printoni

Drejtorja e Shtëpisë botuese "OMBRA GVG" Vasilika Tafa ndonëse e përfshirë në veprimtarinë e përvitshme në Panairin e 22-të të Librit "Tirana 2019" që zhvillohet nga 13-17 nëntor në Pallatin e Kongreseve në kryeqytetin shqiptar, ndan me Radio Ejani emocione të punës së saj. Në stendën e kësaj shtëpie të njohur botuese çdo vizitor i panairit dallon libra, që sjellin për lexuesin shqiptar letërsinë, kulturën, ekonominë dhe shoqërinë kineze në dinamikën e vrullshme të tyre.

CMG: Shtëpia Botuese OMBRA GVG, që ju drejtoni në këtë panair sjell dhe libra kushtuar letërsisë, kulturës dhe zhvillimit ekonomik të Kinës. Na flisni konkretisht për këto libra.

Vasilika Tafa: Ju falënderoj që në serinë e madhe të librave që kemi publikuar në panair, ju qëmtuat këto libra, që i përkasin Kinës. Qeveria Kineze, Ministria shqiptare e Kulturës dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë po realizojnë projektin "16+1", i cili po zhvillohet në shumë vende të botës dhe mendoj se edhe në kujdesin e drejtuesit të Shoqatës Kulturore Shqiptare, Iljaz Spahiu këto botime janë realizuar me një përkushtim të veçantë. Në stendën tonë keni parë 3 vepra dhe në të ardhmen do të shihni shumë herë më shumë dhe tituj interesantë, sepse vetë kultura kineze është shumë interesante. Ne si shtëpi botuese kemi përzgjedhur nga titujt e aprovuar për botim nga kinezishtja në shqip 3 prej tyre dhe pikërisht "Histori kineze", një përmbledhje që u dedikohet të gjithë atyre që e duan historinë, duan të lexojnë mbi historinë e Kinës, të kenë një informacion jo vetëm nëpërmjet televizionit, por të krijuesve kinezë, që kanë një emocion ndryshe. Janë histori që do të prekin emocionalisht lexuesit shqiptarë, të cilat nuk kemi patur rast që t'i njohim më përpara. "Histori kineze" përfshin 4 autorë dhe ka 4 përkthyes, ndër të cilët Burbuqe Spahiu, Sonila Shkjezi e të tjerë, që kanë bërë të mundur këtë vëllim me tregime. Një tjetër libër i veçantë përsa i përket dizenjimit të tij është ai me titull "Vështrime në kulturën kineze" që flet për kulturën e lashtë kineze deri sot, por ka dhe ilustrime të mrekullueshme.

CMG: Libri "Vështrime në kulturën kineze" është i vlefshëm dhe për moshat shkollore dhe jo vetëm për studjuesit apo të apasionuarit pas kulturës kineze ?

Vasilika Tafa: Mënyra e të shkruarit të këtij libri është e gjerë. Nuk do të thotë që është një libër studimor sepse tashmë ka ndryshuar mënyra e shkrimit të historisë, pasi ajo shkruhet nëpërmjet një rrëfimi tregimtar. Libri është përkthyer me profesionalizëm nga Kujtim Ymeri. Libri do t'i tregojë një targeti të madh lexuesish se çfarë është kultura kineze. Pra nëse një historian do ta përdorë për t'u referuar për studimet e tij, në këtë libër do të gjejë gjithçka i ka munguar. Një kërshëri të madhe do të ketë edhe për lexuesit e shkollave të mesme, që mund ta kenë si tema studimi kulturën kineze, e cila është mjaft e gjerë dhe ka një simbolikë të jashtëzakonëshme në gjithçka që na përcjell.

CMG: Ju i keni kushtuar vemendje dhe ëndrrës kineze dhe rrugës së zhvillimit të Kinës, të cilës i dedikohet një tjetër botim i juaji.

Vasilika Tafa: "Ndërtimi i një qeverie bazuar në sundimin e ligjit" është libri që jo vetëm ekonomistët shqiptarë, studjuesit apo ata që merren me analizën e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë interes për këtë botim. Në libër sqarohen në mënyrë të detajuar qeverisja dhe sundimi i ligjit në ekonominë kineze. Ky libër do të pasohet dhe me një botim tjetër që flet për ekonominë dhe ligjet ekonomike që kanë bërë të mundur zhvillimin e Kinës, përhapjen e kësaj ekonomie në të gjithë botën si dhe për zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Mendoj se ky botim do të ndihmojë njerëzit që merren me ekonominë, por dhe kureshtarët. Ky investim që qeveria kineze por dhe ne si botues shqiptarë bëjmë për këto libra, janë një investim jo vetëm për kulturën kineze por dhe për të zgjeruar diapazonin e lexuesit shqiptar, në njohjen e kulturës dhe letërsisë kineze. Nëpërmjet letërsisë kineze të përkthyer lexuesit do të njohin shpirtin e këtij populli, por duke botuar vepra letrare, psikologjike, historike dhe shkencore ne përfshijmë të gjithë kulturën kineze në zhvillimin e saj të mrekullueshëm.

Ju falënderoj sepse të përcjellësh mendimet nëpërmjet radios është e rëndësishme, prandaj ne do të jemi konsekuentë në punën tonë që këto vepra nga kultura dhe letërsia kineze të jenë sa më afër lexuesit tonë.

Panairi i Librit "Tirana 2019" çeli siparin më 13 nëntor në Pallatin e Kongreseve. Në edicionin 22 të këtij viti rreth 100 pavijone ekspozuese në të gjitha trevat shqipfolëse iu bashkuan kësaj veprimtarie ndër-rajonale në Shqipëri. Ndërsa, rreth 200 shkrimtarë, krijues, përkthyes janë pjesë e 100 veprimtarive, të organizuara në stendat e shtëpive botuese, ku promovohen rreth 60 tituj të rinj.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore