Gjergj Prevazi:i nevojshëm bashkëpunimi me dansin bashkëkohor kinez

2019-11-11 09:09:41 CRI Komenti juaj Printoni

Gjergj Prevazi, koreograf i njohur shqiptar, prof.dr i asociuar në Universitetin e Arteve, njëherësh drejtues i Kompanisë së Dansit Shqiptar "Albanian Dance Theatre Company", themeluar prej tij në vitin 2003, mori pjesë në edicionin e 4-t të Festivalit Ndërkombëtar të Dansit Bashkëkohor në Pekin "Beijing New Dance Festival".

CMG: Si u paraqit trupa e Kompanisë së Dansit Shqiptar në Festivalin e Dansit Bashkëkohor të Pekinit?

Gjergj Prevazi: Në këtë festival të rëndësishëm ndërkombëtar të dansit bashkëkohor trupa jonë performoi në datat 9 dhe 10 tetor. Ka qenë një kënaqësi e veçantë, por dhe një sfidë profesionale marrja pjesë për herë të parë e një kompanie të pavarur shqiptare në një festival dansi të nivelit të lartë ndërkombëtar. Opinionet pas performancave tona ishin mjaft pozitive. Ftesa na u bë nga drejtori artistik i këtij festivali me të cilin isha takuar paraprakisht në veprimtarinë kulturore organizuar në Kinë në kuadër të Nismës 16+1, gjatë së cilës patëm fatin të vizitojmë institucionet më të rëndë sishme të baletit kinez.

CMG: Me çfarë repertori u prezantua në festival Kompania e Dansit Shqiptar?

Gjergj Prevazi: Është një produksion që daton që në dhjetorin e vitit 2018 dhe titullohet "Unë kam një shami në xhepin tim". Ky produksion është një krijim i kompanisë sonë, mbështetur nga Instituti Gëte në Tiranë. Shfaqja lidhet me një objekt, siç është shamia e xhepit, një traditë e jona që lidhet me kërcimin tradicional shqiptar. Ne jemi qasur në një formë bashkëkohore për krijimin e shfaqjes me shami, që është një element i njohur dhe për kultura të tjera në botë, madje edhe në kërcimet kineze është mjaft e përdorur. Por në kohën e globalizmit, ky objekt është shndërruar në një mjet konsumi. Mesazhi i performancës së 5 balerinëve tanë është ruajtja e traditës, krahas zhvillimit, që u mirëprit në Festival.

CMG: Sa e njihni dansin bashkëkohor kinez, ndoshta mbështetur dhe në njohjen e baletit kinez në përgjithësi ? Dihet se ka patur një traditë të mirë bashkëpunimi midis baletit shqiptar dhe atij kinez në të kaluarën.

Gjergj Prevazi: Unë besoj se kam shumë njohuri për këtë sepse kam patur fatin ta vizitoj Kinën 3 herë. Vizita ime e parë ka qenë mjaft mbresëlënëse, sepse të ftuar nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Jashtme kemi vizituar 6 qytete të mëdha, përfshirë Pekinin e Shangain. Përsa i përket dansit kinez, në Shqipëri pothuajse nuk njihet fare dhe unë këtë do ta konsideroja një mangësi. Ndaj mendoj se duhet të jemi një derë e hapur për bashkëpunime, duke ftuar pedagogë kinezë por dhe shkëmbime performancash. Kështu bëhet e njohur kjo kulturë e madhe e Kinës. Të mos harrojmë se dansi europian ka huazuar shumë nga teknikat dhe manierat e dansit aziatik dhe atij kinez në veçanti. Pasurimi dhe përballja e saj me kultura të tjera e pasuron nocionin e çdo artisti. Dansi kontemporan kinez është një term shumë i gjerë që përfshin forma dhe lloje të ndryshme veprat skenike në institucione të mëdha publike, por në Kinë ka dhe iniciativa të lira. Mund të përmend Tao Dance Kompany mjaft e njohur në botë, që është tipike e prezantimit të traditës kineze.

Marrëdhëniet kulturore kanë shumë rëndësi për shkëmbimet e eksperiencave. Ne kemi patur shumë shkëmbime në këtë fushë dhe unë në një fjalë të mbajtur e kam theksuar nevojën e shtimit të bashkëpunimit në fushën e dansit. Forcimi i marrëdhënieve kulturore ndikon në forcimin e marrë dhënieve në përgjithësi. Është një kënaqësi e veçantë kur sheh në Muzeun e Operës së Pekinit një foto të artistëve kinezë dhe atyrë shqiptarë në vitet 60-të, kur kanë performuar së bashku baletin "Detashmenti i kuq i grave".

CMG: Përtej dansit, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë vizitave në Kinë ?

Gjergj Prevazi: Përveç shifrave të mëdha siç është numri i popullsisë apo rritja ekonomike, unë kam pasur fatin të vizitoj tempuj dhe qendra kulturore, që janë gati të panjohura te ne. Kina është një vend me resurse të jashtëzakonshme si në potencialin njerëzor, ekonomik apo kulturor dhe turistik. Më ka bërë përshtypje shumë zhvillimi i madh që e kam konstatuar nga vizita e parë në vitin 2014 te vizita e dytë në vitin 2018, sepse ishin bërë ndryshime kolosale. Në Kinë ka një rregull për t'u admiruar. Kina është një vend impresiv në të gjitha drejtimet.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore