Ekspozita e importit e Kinës nxit hapjen e mëtejshme të tregut

2019-11-04 09:10:09 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 5 deri më 10 nëntor do të zhvillohet në Shangai Ekspozita e 2-të Ndërkombëtare e Importit, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e qarqeve politike, ekonomike e studimore nga më shumë se 170 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare.

Zv.ministri i Tregtisë Wang Bingnan u shpreh se zhvillimi i ekspozitës së importit është një vendim i rëndësishëm për ngritjen e nivelit të hapjes së vendit dhe për hapjen e mëtejshme të tregut kinez, çka do të favorizojë rritjen cilësore të ekonomisë kombëtare dhe do të përmbushë kërkesat e popullit për përmirësimin e jetesës.

Në krahasim me vjet, ekspozita e sivjetshme ka tërhequr më shumë pjesëmarrës dhe është më e madhe. Në edicionin e parë, sipërfaqja e ekspozitës ishte 300 mijë metra katrorë, ndërsa sivjet është rritur deri në 360 mijë. E megjithatë, prapë sigurimi i një pavijoni ka qenë diçka e vështirë. Përveç gjigantëve botërorë të biznesit, do të vijnë edhe shumë ndërmarrje të mesme e të vogla për të demonstruar produktet dhe teknologjitë e tyre të fundit.

3000 kompani nga më shumë se 150 vende e rajone të botës do të ndahen në pesë fusha, që janë pajisjet, konsumi, ushqimet, shëndeti dhe shërbimet, duke tërhequr regjistrimin e 500 mijë blerësve dhe të vizitorëve. Një gjë që bie në sy është se pavarësisht luftës tregtare, ndërmarrjet amerikane do të kenë një prani të dukshme në ekspozitë.

"Në edicionin e dytë, numri i bizneseve pjesëmarrëse nga ShBA-ja është rritur në 192, 18 % më shumë në krahasim me herën e kaluar. Ato kanë rezervuar 47.5 mijë metra katrorë pavijone, duke u renditur në vendin e parë nga të gjitha grupet pjesëmarrëse. Në të njëjtën kohë, shumë drejtues kryesorë të gjigantëve amerikanë të biznesit do të shkojnë personalisht dhe do t'u përgjigjen pyetjeve të klientëve në ekspozitë, gjë që vërteton përsëri vëmendjen që i kushtojnë tregut kinez", tha zv.drejtori i Zyrës së Punës të Komisionit Organizativ të Ekspozitës së Importit, Ren Hongbin.

Në këtë edicion numri i kompanive pjesëmarrëse turke është dyfishuar, duke arritur afro 100. Ato kanë rezervuar pavijone me sipërfaqe të përgjithshme 1.5 mijë metra katrorë, shifër kjo disa herë më e lartë në krahasim me vitin e kaluar. Shumica e kompanive turke në ekspozitë janë të fokusuara në turizmin dhe produktet ushqimore.

Ndërsa për sa u përket kompanive italiane, mbi 170 prej tyre do të marrin pjesë në ekspozitë, sipërfaqja e pavijoneve të të cilave do t'i kalojë 6 500 metrat katrorë. Kompanitë e vogla dhe të mesme italiane shprehën optimizëm për tregun kinez dhe shpresojnë që të zgjerojnë biznesin e tyre në Kinë nëpërmjet kësaj platforme.

"Ekipi" francez përbëhet nga gati 80 kompani me një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë, duke pasur rritje të dukshme në përmasë. Në edicionin e sivjetshëm, markat e njohura franceze si "L`Oréal", "Danone", "Louis Vuitton", "Christian Dior", "Bvlgari", "Gucci", "Yves Saint Laurent", "Balenciaga" etj., do të kenë pavjione të veta.

Siç mësohet, Kina është bërë tregu i dytë më i madh i "L'Oréal"-it. Vitin e kaluar, të ardhurat e kësaj kompanie nga tregu kinez u rritën 33 %, duke shënuar rekord në 14 vjetët e fundit. Për të shfrytëzuar plotësisht këtë platformë komunikimi të drejtpërdrejtë me klientët, "L'Oréal"-i krijoi një grup të posaçëm pune, duke harxhuar mbi gjysmë viti për të bërë përgatitje specifike.

Sipas z. Ren, vlera e kontratave të nënshkruara në edicionin e parë arriti në 57.83 miliardë dollarë amerikanë dhe sondazhet fillestare tregojnë se shumica e kontratave janë zbatuar mbi 90 %. Ndërkohë, krahas zbatimit të kontratave, ekspozita po luan një rol gjithnjë e më të madh në nxitjen e tregtisë dhe të investimeve. "Në saje të hyrjes së kontingjenteve të produkteve cilësore, konsumi i brendshëm në Kinë është përmirësuar. Shumë ndërmarrje, në bazë të njohjes së mëtejshme prej zbatimit të kontratave, kanë shtuar vëllimin e blerjeve. Gjithashtu, ekspozita e importit ka krijuar një platformë të mirë për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar midis pushtetit vendor të Kinës e të vendeve të tjera", shtoi z. Ren.

Vitet e fundit, si një ndër ndërmarrjet e para ndërkombëtare të produkteve të kujdesit për shëndetin që hynë në tregun kinez, "Johnson&Johnson" e ka ngritur peshën që ka tregu kinez për zhvillimin e ardhshëm të saj. Kompania ka investuar 180 milionë dollarë amerikanë për krijimin e një fabrike të re në parkun industrial të qytetit Suzhou të Kinës Lindore dhe ka hartuar një plan të përgatitjes së talenteve me Universitetin Tsinghua të Kinës.

Nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv Global të "Johnson&Johnson"-it, Joaquin Duato, theksoi se pas zhvillimit mbi 30-vjeçar, kompania ka mbështetur zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Kinës, duke gjetur hapësira të mëdha tregu. Në të ardhmen, ky gjigant amerikan do të bëjë më shumë për shfrytëzimin e tregut kinez.

Mrekulli
Lajmet Kryesore