Tirana mikpritëse e Forumit 17+1 për zhvillimin e qëndrueshëm urban

2019-10-28 16:23:28 CRI Komenti juaj Printoni

Tirana mikpriti Forumin e katërt "17+1" në nivel kryetarë bashkish, një nismë e Republikës Popullore të Kinës, platformë bashkëpunimi mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në fushën e investimeve, transportit, financave, shkencës, arsimit dhe kulturës.

Në fjalën e hapjes kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi se "Qeverisja e qyteteve është sfida më e afërt me jetën e përditshme të njerëzve. Ka një potencial të jashtëzakonshëm dijesh dhe shumë shpesh njerëzit priren ta shikojnë bashkëpunimin me Kinën si një mundësi për investime. Në radhë të parë urat e bashkëpunimit me Kinën janë ura që sjellin dije, përmes të cilave mund të këmbehen eksperienca dhe transferohen dije të cilat më pas kthehen edhe në përfitim për vendet, qytetet dhe komunitetet".

Duke folur për bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, Rama tha: "Dua të nënvizoj rëndësinë e pranisë së kryebashkiakëve nga rajoni ynë që vijnë këtu si vende që përbëjnë formatin 17+1. Është një periudhë kohe në historinë e përbashkët. Përpara disa javësh ne bëmë takim me krerët e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë bazuar në katër liritë e BE-së. Kjo lëvizje do të shkojë më tutje me takimin në Ohër me 10 nëntor, ku do të mblidhen liderët ballkanik. Të bëjmë të mundur përtej këmbimit të eksperiencave edhe transferimin e dijes me qëllim zgjerimin e dijes në të gjithë territorin".

Ndërsa kryetari i Bashkisë Erion Veliaj theksoi se Tirana ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në të gjithë rajonin këto vite, ndërsa theksoi se ky takim është edhe një mundësi fantastike për të rritur bashkëpunimin jo vetëm me Kinën, por edhe mes vendeve të rajonit. "Ndaj shoh këtë si një mundësi fantastike jo vetëm për rritur bashkëpunimin me Kinën, por edhe për të rritur bashkëpunimin me njëri-tjetrin, Tiranës me Shkupin, Tiranës me Podgoricën, me Beogradin, Sarajevën, të Tiranës me qytete të tjera", deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se tashmë Tirana ka nisur një sërë procesesh dhe bashkëpunimi me kompanitë kineze, sikurse është ajo në fushën e transportit, ku shumë shpejt autobusët elektrikë do të jenë një realitet në vendin tonë. Sipas Veliajt, autobusët elektrike që importohen janë pa taksë dhe pa doganë.

Punimet e forumit i përshëndeti edhe zëvendëskryetari i Bashkisë së Pekinit, Lu Yan, i cili në fjalën e tij tha se Kina i uron Shqipërisë një zhvillim të madh ekonomik dhe shtoi se "shpresoj që të kemi një bashkëpunim ekonomik dhe kryeqytetet tona të kenë një bashkëpunim në çdo fushë dhe të zhvillohemi së bashku".

Ndërsa ambasadorja Huo Yuzhen, përfaqësuese e posaçme e Bashkëpunimit Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore e vuri theksin te veprimtaria e 8 viteve të fundit në kuadër të bashkëpunimit, që sot ka shënuar arritjet e tij. Ajo tha se nisma kineze "Një brez, një rrugë" ka ndikuar pozitivisht në shtimin e shkëmbimeve të Mekanizmit 17+1.

Më tej punimet e Forumit u zhvilluan në panele të veçanta ku u trajtua bashkëpunimi në turizëm me pjesmarrjen e ministrit Blendi Klosi, në kulturë me pjesmarrjen e ministres Elva Margariti si dhe drejtues të kompanive shqiptare, kineze por dhe të ftuar nga fusha e arsimit dhe institucione të tjera pjesë e bashkëpunimit në kuadër të Mekanizmit 17+1.

Forumi i katërt i kryebashkiakëve Kinë-vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore mbylli punimet e tij me një deklaratë të përbashkët ku u nënvizua vijimi i temës "Zhvillimi i qëndrueshëm urban" me synim rritjen shkëmbimeve në fushën e inovacionit, qyteteve të gjelbër, teknologjisë, universiteteve dhe atyre njerëzore.

Eda Merepeza

Mrekulli