Konferencë ndërkombëtare për marrëdhëniet shqiptaro-kineze

2019-10-14 09:13:13 CRI Komenti juaj Printoni

Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në 7 dekada, ecuria e tyre, e sotmja dhe perspektiva ishin në fokus të Konferencës ndërkombëtare dyditore që nisi të shtunën në Universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës dhe u përmbyll në Universitetin "Eqerem Cabej" të Gjirokastrës. Rreth 45 studjues nga 14 qendra kërkimore universitare dhe akademike nga Shqipëria, 12 studjues nga Kina, por dhe vende të tjera shpalosën në panele të dedikuara për politikën, ekonominë, gjuhën shqipe, kulturën, botimet fakte dhe opinione mbi marrëdhëniet shqiptaro-kineze, traditën, gjendjen dhe të ardhmen e tyre.

Rektori i Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës, prof. Roland Zisi vlerësoi bashkëpunimin akademik midis dy vendeve dhe bëri thirrje për forcimin e tij. "Në këtë konferencë shpresoj të evokohen traditat më të mira midis dy vendeve dhe të reflektojmë për një ardhmëri më të realizuar. Nuk jemi nxitur për realizimin e konferencës prej motivesh sentimentale, edhe pse ato kanë rëndësi, por kemi si qëllim që konferenca të hedhë një dritë të re mbi nocionin "Kina e largët", mbi këtë idiomë që e dëgjojmë shpesh, por që në fakt po bëhet gjithnjë e më e afërt me nismat "17+1" dhe "Një brez, një rrugë, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesi i Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, prof.dr Wang Dinghua, kryetar i Këshillit të këtij institucioni shtroi nevojën e rritjes së shkëmbimeve akademike midis dy vendeve.

Duke përshëndetur konferencën, ambasadori i Kinës Zhou Ding u shpreh se kjo konferencë do të jetë një ngjarje e rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe. "Ne mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për t'u bashkuar në integrimin evropian dhe shikojmë me gëzim anëtarësimin sa më parë të Shqipërisë në BE, duke përmirësuar vazhdimisht nivelin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Më tej ai theksoi se "të dyja vendet tona gëzojnë traditën e hapjes Shqipëria në rrugën e lulëzimit të vendit gjithmonë do të ketë mbështetjen e Kinës. Një diplomaci e diversifikuar përputhet me interesat kombëtare të Shqipërisë. Të dyja palët duhet të intensifikojnë shkëmbimet në nivele të ndryshme, të përdorin mirë mekanizmat e dialogut mes qeverive, institucioneve ligjvënëse, partive politike, pushteteve vendore dhe të forcojnë komunikimin dhe koordinimin mbi çeshtjet ndërkombëtare dhe rajonale për të nxitur gjallërinë e marrëdhënieve dypalëshe"

Në emër të Akademisë së Shkencave, prof. Shaban Sinani, një ndër organizatorët e konferencës u foli të pranishmëve për realizimin e këtij projekti madhor universitar dhe akademik. "Shumë kolegë kur iniciativa që kishim konfirmuar para dy vjetësh u kthye në projekt, më pyetën "përse ky interesim i veçantë për Kinën?". Përgjigja ime ka qenë e thjeshtë: Po përgatisim një ngjarje shkencore për një histori dhe trashëgimi të përbashkët shqiptare dhe kineze, që meriton të kujtohet dhe të nderohet në shenjë nderimi të brezave që e kanë jetuar dhe të atyre që kanë bindjen se kjo traditë ka një të ardhme premtuese. Në përpjekjet e para nuk e kisha përfytyruar se ekzistonte një bashkësi kaq e qëndrueshme sinologe, po aq e qëndrueshme sa ajo e albanologëve në Kinë, të cilën e kisha njohur, theksoi prof. Sinani.

"Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në gjeopolitikën e Ballkanit Perëndimor" u trajtuan gjerësisht nga historiani i njohur, ish-ministri i jashtëm Paskal Milo. Shqipëria ka një shans që nuk duhet humbur dhe për interesat e saj zhvillimore të studjuara e të përcaktuara mirë duhet tu qaset projekteve në kuadër të nismës 17+1, në shembullin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Hezitimet në bashkëpunimin ekonomik shqiptaro-kinez ka arësye të mendohet se vijnë dhe nga qasje të ndryshme që kanë palët për modelin e bashkëpunimit. Presidenti i Kinës Xi Jinping që në vitin 2013 propozoi një platformë të re bashkëpunimi në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" i njohur si bashkëpunim pragmatist në marrëdhëniet me Shqipërinë pala kineze është shprehur e gatshme për të filluar një strategji zhvillimi me një model të ri bashkëpunimi ku dy vendet mund të kalojnë nga dëshira për bashkëpunim në arritje konkrete për përfitime të ndërsjella.

Me mjaft interes u prit nga të pranishmit kumtesa e profesores së Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, albanologes Ke Jing, e cila trajtoi restaurimin e dy kodikëve të Beratit nga ekspertët kinezë, si një simbol i miqësisë midis dy vendeve. "Është një faqe e paharrueshme, e mrekullueshme në historinë e shkëmbimeve midis dy vendeve tona. Fat është që dy Kodikët e Beratit janë ruajtur dhe janë një simbol i miqësisë kino-shqiptare" u shpreh albanologia Ke Jing.

Sesioni kryesor shkencor u mbyll me kumtesën e ambasador Hajdar Muneka " Ndihma e Shqipërisë për kthimin e Kinës në OKB, simbol i miqësisë shqiptaro-kineze" dhe ajo e mbajtur nga profesori i asociuar kinez Xu Gang " Sinergjia midis nismës Një brez, një rrugë dhe strategjitë e zhvillimit të Shqipërisë".

Më tej konferenca vazhdoi punimet në sesionet kushtuar politikës, gjuhës, letërsisë, ekonomisë dhe kulturës, referuar nga profesorë të universiteteve shqiptare, kineze, por dhe studjues, akademikë dhe punonjës shkencorë.

Të dielën Universiteti "Eqerem Cabej" i Gjirokastrës përmbylli veprimtarinë 3 ditore ndërakademike dhe ndëruniversitare kushtuar marrëdhënieve shqiptaro-kineze në 70 vjetorin e tyre.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore