Orizi hibrid kinez zbut mungesën e ushqimit në Madagaskar

2019-09-23 11:40:25 CRI Komenti juaj Printoni

Orizi hibrid është një arritje e rëndësishme e teknologjisë bujqësore kineze. Pas krijimit në vitet '70 të shekullit të kaluar, përhapja e tij ka ngritur ndjeshëm rendimentin dhe prodhimin e përgjithshëm të drithërave të vendit, duke dhënë kontribut jashtëzakonisht të madh për garantimin e sigurisë ushqimore. Vitet e fundit, me mbështetjen e qeverisë kineze, teknologjia e orizit hibrid po përhapet në gjithnjë e më shumë vende, duke përfshirë edhe vendin më të madh ishullor të Afrikës, Madagaskarin. Qeveria vendore dëshiron që nëpërmjet shfrytëzimit të teknologjive përkatëse, të zgjidhë përfundimisht problemin e mungesës së ushqimit, të nxisë zhvillimin bujqësor dhe të përmirësojë jetesën e banorëve.

Në Qendrën Pilot të Orizit Hibrid Mahitsy, që ndodhet në qendër të Madagaskarit, agronomi Hu Yuefang nga Kompania e Teknologjisë Bujqësore Yuan e Hunan-it, e njohu gazetarin e Radios së Jashtme të Kinës me punën e promovimit të orizit hibrid. "Nëse dëshirojmë që fermerët vendorë të njohin epërsitë e orizit tonë, duhet t'ua vërtetojmë me rezultate konkrete. Pra, duhet të mbjellim së pari këtu. Vetëm pasi ata të binden se orizi ynë ka rendiment të lartë dhe përballon sëmundjet, insektet e të ftohtit, do të marrin vendim të blejnë farat e orizit hibrid", tha ai.

Që nga viti 2008, Hu ka punuar për mbi 10 vjet në Madagaskar për përhapjen e orizit hibrid. Gjatë kësaj kohe ai ka shkelur të gjitha zonat e mbjelljes së orizit në ishullin e katërt më të madh në botë, duke u mësuar shumë fshatarëve vendorë metodat e mbjelljes.

Në krahasim me shumë vende të tjera afrikane, që mbështeten kryesisht te misri dhe kasava, Madagaskari, për shkak të klimës së përshtatshme, ka histori të gjatë të mbjelljes së orizit, i cili është drithi më e rëndësishëm i banorëve vendorë. Mirëpo, laritë vendore të orizit kanë degraduar shumë dhe, si rezultat, rendimenti është ulur gradualisht. Rendimenti për hektar këtu ishte vetëm 30 kuintalë për hektarë, më pak se gjysma e rendimentit në Kinë. Kjo e acaroi mungesën e furnizimit të drithërave, duke e çuar deficitin në mbi 200 mijë tonë. Për këtë arsye, qeveria dhe banorët vendorë ishin të etur për të gjetur rrugëdalje, si orizi hibrid, për të ngritur aftësinë e prodhimit të drithërave.

Nga viti 2007, më shumë se 20 ekspertë si Hu Yuefang-u e kanë vizituar Madagaskarin për promovimin e teknologjisë së orizit hibrid. Pas përpjekjesh mbi 10-vjeçare, tani Madagaskari është bërë vendi nr.1 në Afrikë për sipërfaqen e mbjellë dhe rendimentin e orizit hibrid, duke u bërë edhe vendi i parë afrikan ku është krijuar zinxhiri i plotë industrial i orizit hibrid, si mbledhja, kultivimi i farërave, mbjellja, përpunimi dhe shitja. Sipas znj. Li Yanping, përgjegjëse e projektit, deri tani, mbi 30 mijë hektarë tokë në Madagaskar janë mbjellë me oriz hibrid, me një rritje mbi 2 mijë hektarë në vit.

"Në Madagaskar është krijuar tërë zinxhiri industrial, duke përfshirë kultivimin dhe shitjen e farërave cilësore, demonstrimin e teknologjisë dhe trajnimin profesional. Pas studimit mbi 10-vjeçar, deri tani janë regjistruar pesë lari cilësore të orizit që përshtaten me kushtet natyrore vendore. Prodhimi vjetor i farërave arrin në 100 tonë në vit. Përvit organizojmë disa herë trajnim për të kualifikuar 100 talente profesionale. Me përpjekje të përbashkëta, çdo vit shtohen mbi 2000 hektarë tokë e mbjellë, duke e çuar sipërfaqen e përgjithshme mbi 30 mijë hektarë", shtoi znj. Li.

Siç mësohet, rendimenti i orizit hibrid në Madagaskar arrin në 80 - 100 kuintalë për hektar, sa dy herë prodhimi me farën e mëparshme vendëse.

Koordinatori kombëtar i një projekti bashkëpunimi midis Madagaskarit, Kinës dhe FAO-s së OKB-së, Mamisoa Ramananjanahary, ka marrë trajnim në Kinë për teknologjinë e orizit hibrid dhe ka marrë pjesë në promovimin e teknologjisë në krahina të ndryshme të Madagaskarit. Sipas tij, qeveria madagaskarase do të inkurajojë më shumë fermerë të zgjerojnë sipërfaqen e mbjellë, me shpresën që me anën e orizit kinez të zgjidhet sa më parë problemi i mungesës ushqimore, dhe madje edhe të prodhohet për eksport.

"Qeveria e Madagaskarit ka caktuar objektivat për garantimin e furnizimit të drithërave para vitit 2020 dhe rifillimin e eksportit të drithërave para vitit 2025. Orizi hibrid ka rendiment të lartë dhe është cilësor. Prandaj, qeveria jonë dëshiron që me anën e teknologjisë kineze të jetësojë këto objektiva, nga të cilat të fitojnë më shumë bujq", tha ai.

Njara është punëtor në bazën pilot Mahitsy. Përveç punës në kompani, ai ka mbjellë oriz hibrid edhe në tokën e tij. Me rritjen e të ardhurave, ai tani po ndërton një banesë të re.

Në majin e sivjetshëm u përurua në Madgaskar e vetmja degë jashtë vendit e Qendrës së Studimeve e të Zhvillimit të Orizit Hibrid të Kinës. Siç mësohet, kjo qendër planifikon të kultivojë lari të tjera që përshtaten me kushtet natyrore të vendeve të ndryshme afrikane, duke shfrytëzuar shumëllojshmërinë klimatike të Madagaskarit, në mënyrë që në vitin 2030 të ndihmojë kontinentin afrikan të zgjidhë në mënyrë fillestare problemin e sigurimit të drithërave. Qendra do t'i përkushtohet përzgjedhjes dhe studimit të larive të orizit hibrid, për të prodhuar farëra më të lira për fermerët vendorë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore