Dubai, ndërtim i "qytetit të zgjuar" me pjesëmarrjen e teknologjisë kineze

2019-08-19 09:16:12 CRI Komenti juaj Printoni

Dubai po kërkon bashkëpunimin me kompanitë teknologjike botërore, duke përfshirë ato nga Kina, për t'u shëndrruar në një "qytet të zgjuar".

Sipas një nisme të publikuar në vitin 2016, Dubai do të përfundojë transformimin e vet para fundit të vitit 2021, gjë që do të thotë se bashkia do të digjitalizojë të gjitha shërbimet qeveritare, duke i sjellë asaj mundësi të shtojë 6.6 trilionë dollarë amerikanë të ardhura nëpërmjet ndarjes së informacioneve me publikun dhe ndërmarrjet private.

Të dhënat nga "fDi Inteligence" të "Financial Times"-it tregojnë se ndër 25 qytetet e para në botë për investimet në inteligjencën artificiale dhe robotike, Dubai radhitet në vendin e tretë vetëm pas Singaporit dhe Shangait.

Omar Bin Saultan Al-Olama, ministri i Shtetit për Inteligjencën Artificiale i Emirateve të Bashkuara Arabe, bëri të ditur në konferencën profesionale "AI Everything", që u mbajt të fund të prillit se qeveria vendore do të ofrojë politika të favorshme për të tërhequr investimet kineze.

Dubai është një qendër ideale e mbledhjes së të dhënave ndërkombëtare, sepse 80 % e banorëve të tij janë nga vende të ndryshme dhe epërsitë e Kinës në teknologjinë e inteligjencës artificiale mund të luajnë një rol të vlefshëm për qytetin, deklaroi ministri Al-Olama.

Aisha Bin Bishir, drejtore e përgjithshme e Zyrës së Dubait të Zgjuar, u shpreh se inteligjenca artificiale është një ndër fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit të qytetit me Kinën, pasi të dy palët kishin nënshkruar marrëveshje mbi shkëmbimet teknologjike brenda kornizës së nismës "Një brez, një rrugë".

Sipas saj, Dubai ka filluar bashkëpunim të ngushtë me kompanitë kineze, si "Alibaba" për pagesat në internet, për nxitjen e stilit të jetës "pa para në dorë", si edhe me "Huawei"-n për rrjetin 5G, gjatë organizimit të Ekspozitës Botërore 2020 që do të organizohet në këtë qytet.

Pavarësisht popullsisë së vogël, rreth 3 milionë, që është gati 1/7 e banorëve që jetojnë në Pekin, kompanitë kineze e cilësojnë Dubain si një hyrje drejt tregut të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

Në vitin 2014, Kina u bë partnerja më e madhe tregtare e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke tejkaluar Indinë.

Sipas një raporti të publikuar vitin e kaluar nga PWC mbi inteligjencën artificiale, kjo teknologji pritet t'i shtojë 9.6 miliardë dollarë amerikanë ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, afro 13.6 % e PBB-së së vendit, para vitit 2030. Mirëpo, zhvillimi i internetit të lëvizshëm këtu është katër apo pesë vjet prapa Kinës, duke krijuar një hapësirë të madhe për kompanitë kineze të ndihmojnë industritë tradicionale të kryejnë transformimin nëpërmjet digjitalizimit.

"Huawei" ka ruajtur bashkëpunim të ngushtë me Dubain në sektorët publikë si kujdesi shëndetësor dhe transporti, për ta bërë atë një "qytet të zgjuar".

Sipas uebsajtit zyrtar të kompanisë, "Huawei" po punon për krijimin e qendrës së parë në botë për të dhënat modulare. Ndërtimi nisi në gushtin e vitit të kaluar dhe do të përfundojë brenda dhjetë muajsh.

Qendra, pasi të përurohet, do të ofrojë shërbimet që përfshijnë pothuajse çdo aspekt të funksioneve të aeroportit, duke përfshirë informacionet e fluturimeve, transportimin e udhëtarëve, shërbimet e bagazheve, internetin e lëvizshëm, videombikëqyrjen, biznesin e ndërmarrjeve dhe mirëmbajtjen e pajisjeve etj. Projekti përbën një pjesë të rëndësishme të përpjekjeve të investitorëve për t'i treguar botës se "çfarë mund të ofrojë aeroporti më i zgjuar në botë" kur vizitorët të shkojnë në Dubai për të marrë pjesë në Ekspozitën 2020.

Dubai, si një ndër ekonomitë më të hapura në Gjirin Persik, është edhe një ndalesë e rëndësishme në itinerarin e nismës "Një brez, një rrugë". Vitin e kaluar, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ranë dakord të nxisnin bashkëpunimin dypalësh brenda kësaj kornize, duke i ngritur marrëdhëniet e tyre në "partneritet të gjithanshëm strategjik".

Me zbatimin e këtij projekti, edhe "Alibaba" gjeti mundësi zhvillimi.

Nëpërmjet nismës "Një brez, një rrugë", kompanitë kineze kanë shpejtuar hapat e tyre në tregun e jashtëm. "Alibaba", një ndër gjigantët më të fuqishëm kinezë të internetit, do ta ndihmojë Dubain në fushat e transportit, të telekomunikacionit dhe ndërtimit infrastrukturor.

Në fund të vitit 2016, "Alibaba Cloud" hapi qendrën e vet të parë të të dhënave të mëdha në Dubai, institucioni i shtatë i tillë në botë. Qendra do të ndihmojë më shumë kompani kineze, sidomos ato të përfshira në nismën "Një brez, një rrugë", të zgjerojnë tregun në Emiratet e Bashkuara me efektshmëri më të lartë nëpërmjet gëzimit të shërbimeve të të dhënave të mëdha.

Produktet kineze me epërsi të spikatur kanë tërhequr interesat e klientëve në Dubai.

Muath Dassan, drejtor i kompanisë së sigurisë "Al Maalim International", u shpreh se një epërsi kyçe e kompanive kineze është se ato mund të ofrojnë zgjidhje të plotë dhe jo vetëm të një problemi teknik të veçantë. Ai i bëri këto komente pasi provoi një sistem të njohjes së fytyrës të "Huawei"-t që u paraqit në ekspozitën "AI Everything". Sipas tij, ky sistem mund t'u shërbejë mirë klientëve të tij, si për shembull atyre nga aeroportet.

Mrekulli