"Një brez, një rrugë"-projekt i madh botëror

2019-07-22 15:31:07 CRI Komenti juaj Printoni

Profesor doktor i shkencave ekonomik Adrian Civici, dekan i Fakultetit të Ekonomië pranë Universitetit Mesdhetar të Tiranës, një ekspert i ekonomisë globale bën një analizë të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës, ndër vite. Ai sjell për Radio Ejani dhe opinione për nismën kineze "Një brez, një rrugë" dhe ndërkombëtarizimin e monedhës kineze RMB.

CMG: 70 vjet marrëdhënie diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës. Si ka qenë ecuria e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare midis dy vendeve tona, ndër vite ?

Adrian Civici:Mendoj që në këtë rrugëtim të gjatë 70 vjeçar të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë, natyrisht që shkëmbimet ekonomike dhe tregtare kanë patur luhatje në varësi të konjukturave politike dhe tendencave historike. Ne vazhdojmë ta vlerësojmë shumë të gjithë ndihmën ekonomike të Kinës, qysh nga vitet 60-të të shekullit të kaluar e deri në vitet 80-të, që ishte një oksigjen i domosdoshëm për ekonominë por dhe për mirëqenien e të gjithë shqiptarëve, referuar disa veprave shumë të rëndësishme industriale, që bashkë me investimet sollën dhe përvoja menaxhimi, përvoja inxhinierike dhe teknike.

Natyrisht pas vitit 1990 kur ra Muri i Berlinit dhe në të gjitha vendet ish-sociaiste filloi procesi i demokracisë, ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit në një ekonomi të dobët dhe me shumë probleme të brendëshme, natyrisht që vëllimi i shkëmbimeve ekonomiko-tregtare me Kinën u dobësua, por fatmirësisht duke iu referuar shifrave, në 10 vitet e fundit ka një progres të vazhdueshëm të këtyre shkëmbimeve. Këto shkëmbime do t'i ndaja në dy blloqe të rëndësishme. Së pari, rritja e investimeve kineze dhe prezenca kineze në rajonin e Evropës Juglindore dhe Shqipëri. Së dyti, rritja e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, që përafërsisht në 10 vitet e fundit është 750-800 milion dollarë amerikanë, që për ekonominë shqiptare është i konsiderueshëm dhe sot Kina vlerësohet si partneri i tretë tregtar i Shqipërisë, si dhe një partner strategjik, me perspektivë për t'u rritur më shumë.

CMG: Ndalemi te Kina si ekonomia e dytë globale dhe fokusohemi te nisma e qeverisë kineze "Një brez një rrugë", mjaft e rëndësishme dhe e mbështetur ndërkombëtarisht. Deri tani janë rreth 124 shtete dhe 29 organizata ndërkombëtare që kanë nënshkruar dokumentet e bashkëpunimit me Kinën. Si e mendoni pozicionin e Shqipërisë në nismën "Një brez, një rrugë" dhe Mekanizmin 17+1 ?

Adrian Civici: Projekti madhor "Një brez, një rrugë" i lançuar nga qeveria kineze vitet e fundit, në fakt është një nga projektet më të mëdha në botë përsa i përket përfshirjes së vendeve të angazhuara, efekteve ekonomike dhe rikrijimit të këtij kanali kaq të rëndësishëm të shkëmbimeve, transportit, logjistikës dhe gjithçkaje që ka të bëjë jo vetëm me traditën e "Rugës së Mëndafshit", e cila në kohën e saj ishte një rijësi në shkëmbimet ekonomiko-tregtare. Në këtë kohë globale, ky projekt për nga përmasat, synimet dhe objektivat, por dhe angazhimi i qeverisë kineze, duke parë dhe interesin e disa vendeve të rëndësishme europiane, si dhe të zonës së Europës Juglindore, përfshirë dhe disa vende të Azisë Qendrore mendoj që është një nga projektet më gjigantetë globit.

Natyrisht që të përfshihesh dhe të angazhohesh në projekte të tilla, nuk do të thotë vetëm përfshirje emocionale apo kulturore e gjeopolitike. Mbi të gjitha është një përfshirje me interes shumë të madh ekonomiko-financiar dhe zhvillues.

Megjithatë duhet thënë se Shqipëria është nga pjesa e fundit e këtij projekti, jo vetëm tokësor por dhe detar, sepse sot mbi 90% e mallrave në botë transportohen me det, mendoj që me gjithë dëshirën e mirë që ne kemi, deri tani përfshirja e Shqipërisë në këtë projekt ka qenë simbolike. Unë vlerësoj investimet kineze sepse disa prej tyre janë të rëndësishme dhe në horizont janë dhe të tjera, por akoma Shqipëria nuk është përfshirë në mënyrë reale dhe të integruar në filozofinë e projektit "Një brez, një rrugë". Duke patur një mundësi komunikimi e madhe në aspektin ekonomik, financiar, kulturor dhe tregtar Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme në këtë bashkëpunim, duke shfrytëzuar mirëkuptimin dhe interesat strategjike të Kinës për t'u përfshirë në projekte madhore infrastrukturore siç janë portet, hekurudhat, autostradat, aeroportet, që përbëjnë mjetet më moderne dhe lehtësuese të këtij komunikimi kaq të madh. Eshtë folur për disa projekte të rëndësishme, që nga Rruga e Arbrit, projekti hekurudhor por akoma në raport me vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, përfshirja dhe përfitimi i Shqipërisë është mininal, ndonëse ne jemi pjesëtarë aktivë të samiteve në rajon, ku dhe u fol për një investim kinez prej 10 miliard dollarësh, që përbën një investim të rëndësishëm për gjithë rajonin. Fatkeqësisht Shqipëria ka projekte të vogla dhe nuk ka projekte të mëdha infrastrukturore, jo thjesht si përfitim i saj, por si projekte të integruara me filozofinë e Mekanizmit 17+1.

CMG: Autoritetet kineze parashikojnë që deri në vitin 2035 fuqia ndikuese e monedhës vendase RMB të afrohet me Euron dhe të formohet një sistem ndërkombëtar monetar, i drejtuar nga dollari amerikan, euro dhe RMB. Si e shihni ndërkombëtarizimin e monedhës kineze?

Adrian Civici: Ndërkombëtarizimi i RMB-së është kërkesë dhe pasojë e zhvillimit dhe pozitës që Kina ka në ekonominë dhe tregtinë botërore. Natyrisht ky është nje debat i gjatë në aspektin e monedhave dhe politikave monetare dhe njëkohësisht për të balancuar hegjemoninë dhe forcën e dollarit dhe së fundmi dhe Euros, gjithashtu një pol ekonomik shumë i fuqishëm, që është konkurent kryesor dhe i Kinës. Sa më shumë që një vend përfshihet në tregtinë ndërkombëtare, nuk mund të veçohet pjesa monetare, pra monedha me të cilën kryhen shkëmbimet. Megjithëse RMB-ja ka shënuar luhatjet e saj gjatë historisë shumëvjeçare, po kthehet në një monedhë ndërkombëtare. Po të shohësh ecurinë e saj, praktikisht është baraz me Euron dhe madje më e avancuar në transaksionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka miratuar dhe si mundësi për të qenë rezervë valutore e banka qendrore botërore dhe gjithnë e më tepër në shkëmbimet tregtare ndërkombëtare shumë pagesa bëhen me monedhën kineze dhe njëkohësisht shumë banka pranojnë si depozita, duke u bërë një ndër 3-4 monedhat e mëdha ndërkombëtare të botës. Besoj se kjo është jo vetëm shprehje e forcës tregtare dhe ekonomike të Kinës, por dhe një balancim në tregun monetar ndërkombëtar.

CMG: Cili është opinioni juaj për dy institucione të rëndësishme financiare, ku Kina bën pjesë, siç janë BRICS dhe Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore (BAII) ?

Adrian Civici: Në fakt janë dy banka të veçanta. BRICS është banka e 5 vendeve me ekonomi emergjente, siç quhet në të cilën bën pjesë Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut si dhe Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore, që është një bankë tipike. Diferenca mes tyre qëndron në faktin që BAII merret më shumë me nxitjen dhe financimet në zonën aziatike. Ndërsa BRICS me një kapital rreth 100 miliard dollarë amerikanë, ku 5 vendet anëtare janë me kuota të barabarta nga 20% është një lloj Banke Botërore dhe FMN. Natyrisht kjo është në kuadrin e kërkesës që ka Kina dhe vendet e tjera të BRICS-it për të patur një ekuilibër më të drejtë vendimarrje financuese, monetare në ekonominë botërore dhe këto procese shkojnë paralel, duke u përshtatur me tendencat që kanë financat botërore sot.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore