Fermeri i moshuar Wu Shiying, "ikonë" për pasionin ndaj astronomisë

2019-05-06 11:06:15 CRI Komenti juaj Printoni

Në moshën 70-vjeçare, Wu Shiying-u, një fermer që jeton në vargmalet e qytetit Shiyan të provincës Hubei të Kinës Qendrore, u bë i njohur papritur në internet për shkak të dashurisë së tij të jashtëzakonshme për astronominë.

Një foto e Wu-së me rroba të leckosura, duke mbajtur një kuti teleskopi në thellësitë e maleve, u ngarkua në internet me një shpjegim se ai kishte udhëtuar në mbarë Kinën për të vëzhguar eklipsin diellor. Kontrasti i fortë i mjedisit të jetës së Wu-së me hobin e tij të shtrenjtë i mahniti përdoruesit e internetit, shumë prej të cilëve komentuan se ai u kujton një thënie të Oscar Wilde-it: "Ne të gjithë jemi në therkë, por disa nga ne shikojnë yjet".

Ndjekësi i diellit

I lindur në një familje fshatare në Shiyan, Wu Shiying-u u bë një ithtar i vëzhgimit të yjeve pas shijimit të një shiu meterorësh kur ishte 13 vjeç. Pasi mbaroi shkollën e mesme, ai filloi të punonte tokën për dhjetëra vjet me radhë. Por kufizimet ekonomike nuk e penguan asnjëherë të realizonte ëndrrën e vet.

Megjithëse në vendlindjen e vet mezi gjendeshin informacione për trupat qiellorë, Wu bëri çmos për të lexuar libra për astronominë. Në vitin 1967 ai i shkroi Observatorit "Mali Vjollcë" të Akademisë së Shkencave të Kinës në qytetin Nankin, duke i kërkuar sugjerime profesionale në këtë drejtim. Disa muaj më vonë, një ekspert me mbiemrin Tang i ktheu përgjigje dhe i rekomandoi disa libra të specializuar.

Duke dëgjuar këshillat, Wu vajti në libraritë e qytetit dhe bleu të gjithë librat përkatës, duke përfshirë një fjalor astronomie. Ai i lexonte me etje dhe mësoi me zell për të mbushur zbrazëtinë e madhe të njohurive.

Që nga viti 1997, Wu udhëtoi në mbarë vendin për të vëzhguar eklipset diellore. Më 9 mars të atij viti, me një teleskop me një tub, Wu shkoi në Moh të provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore.

Së bashku me shumë të apasionuar të tjerë të panjohur, ai vëzhgoi tërë procesin e eklipsit. Kur qielli filloi të errësohej dhe rrezet e diellit u dobësuan pak nga pak, njerëzit u shtuan. "Në atë çast kuptova se nuk isha vetëm," thotë Wu.

Pas këtij udhëtimi, Wu zuri të shkonte në mbarë vendin kur nuk kishte punë bujqësore, për të parë dukuri të veçanta astronomike. Në vitin 2008 ai udhëtoi në Rajonin Autonom të Singjian-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore për të parë eklipsin e diellit me një teleskop binokular që e bleu me 30 dollarë amerikanë. Një vit më vonë, ai shkoi në qytetin Wuhan në qendër të vendit, kurse pas një viti tjetër në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore. Në vitin 2012 fermeri i dhënë pas astronomisë vajti në Putian të Kinës Lindore dhe në vitin 2016 preu një biletë avioni për në Xhakartë të Indonezisë.

Në 20 vjetët e kaluar, Wu Shiying-u ka udhëtuar pothuajse në çdo provincë dhe rajon të Kinës. Në vitin 2015, kur gazetarët filluan të njoftonin për të, ai mori një emër përkëdhelës -"Kua Fu i kohëve moderne".

Kua Fu është një figurë mitologjike kineze, i cili përpiqej të kapte diellin, duke e ndjekur nga lindja në perëndim, dhe e mbaroi ujin e Lumit të Verdhë për të shuar etjen që i shkaktonte nxehtësia e diellit. Ai vdiq gjatë rrugës për shkak të çujësimit (dehidratimit).

Wu shprehet se shumica e njerëzve kurrë nuk e kanë parë tërë procesin e eklipsit diellor. "Por unë e kam parë katër herë", i tha "Global Times"-it i moshuari i kënaqur dhe krenar.

Përveç "ndjekjes së diellit", Wu ka edhe interesa për të vrojtuar trupa të tjerë qiellorë. Më 27 korrik të vitit 2018, ai shkoi në Delingha të provincës Qinghai të Kinës Perëndimore për të parë eklipsin më të gjatë hënor, në të cilin shihej gjithashtu Marsi ndriçues.

Asnjë prej këtyre udhëtimeve nuk ishte i lehtë për Wu-në. Për të kursyer para, ai flinte në stacione trenash ose rrugë, dhe hante pothuajse vetëm makarona të çastit. Udhëtimi në Indonezi i kushtoi 3700 juanë (550$), për të cilat e ndihmuan fëmijët e tij.

Wu ka harxhuar pothuajse çdo qindarkë të vetën në këtë hobi. Përveç drithërave, ai mbjell edhe susam. Ai i përdor paratë që fiton nga susami për t'u pajtuar në revistën "Astronomi Amator". Postieri që i dërgon gjithmonë revistën i tha një herë se ai është i vetmi pajtimtar në fshatrat rreth e qark.

Përhapja e njohurive

Shumë njerëz, që nga ekspertët e astronomisë e deri te nxënësit e shkollave fillore, e njohin Wu Shiying-un.

Wang Li, zv.kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Teknologjisë të Pekinit, e vlerëson lart, duke e cilësuar si "djalë i vjetër, por më interesanti në qarqet tona".

Pan Xiaoqing-u nga Shoqata e Astronomisë e provincës Fujian, u impresionua thellësisht nga njohuritë e Wu-së për trupat qiellorë.

Shumë pajisje vëzhgimi të Wu-së janë dhuruar nga miqtë që ka njohur gjatë udhëtimeve. Një mik nga provinca Hubei madje i ka dhënë një teleskop profesional dhe e ka ndihmuar ta vendosë para shtëpisë së tij.

Fëmijët e fshatit e pëlqejnë këtë teleskop dhe Wu ndihet shumë i gëzuar kur u mëson si të vëzhgojnë yjet me të. Ai gjithmonë u tregon se "bota është shumë më e madhe se vendi ku banon".

Lidhur me planin e ardhshëm, Wu tha se do ta shndërrojë shtëpinë e vet në majë të malit në një klub të astronomisë për banorët e vendlindjes. Ai dëshiron të krijojë edhe një shkollë për t'u mësuar fëmijëve njohuri astronomike.

Mrekulli
Lajmet Kryesore