"Lufra" lider i industrisë ushqimore shqiptare

2019-04-29 15:01:37 CRI Komenti juaj Printoni

Intervistë me bashkëpresidenten e kompanisë "Lufra", zonjën Antoneta Ndreka

Fabrika e përpunimit të qumështit "Lufra" nisi veprimtarinë e saj në vitin 1992, si një punishte e thjeshtë.Themeluesit Antoneta dhe Arben Ndreka e kanë kthyer "Lufrën" në kompaninë lider në tregun e bulmetit me një teknologji moderne dhe bashkëkohore, e cila sot numëron mbi 200 punonjës. Emri "Lufra" vjen nga bashkimi i emrave të Luis dhe Franc, djemtë e çiftit Ndreka, që sot drejtojnë bashkë me prindërit kompaninë.

"Lufra" është një nga kompanitë më të njohura ushqimore shqiptare, që ecën me një hap me simotrat e saj europiane.

Për prodhimin e artikujve ushqimorë si qumësht, gjalpë, kos, gjizë, salcë kosi etj kompania "Lufra" lëndën e parë e merr nga fermat më të mëdha blegtorale në Shqipëri, që rritin mbi 800 krerë lopë.

Laboratorët e kompanisë "Lufra" janë modernë dhe real

izojnë siguri në prodhimet e saj, gjë për të cilën veprimtaria e saj është certifikuar me ISO 22000.

"Lufra" i ofron artikujt e saj 25 mijë familjeve shqiptare, të cilët konsumojnë mesatarisht 3.3 milion litra qumësht në vit. Gjithashtu artikujt e kësaj kompanie shpërndahen tek hotelet, restorantet dhe shërbimet katering në mbarë vendin.

Përveç pozicionit lider në tregun vendas, Lufra po synon eksportet jashtë vendit, për shkak të përbërësve natyralë dhe standardeve europianë të cilësisë.

Bashkëthelemuesja e Kompanisë "Lufra", zonja Antoneta Ndreka në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani rrëfen rrugën e suksesëshmë të këtij biznesi familjar, që sot kryeson në industrinë ushqimore në Shqipëri.

CMG: Zonja Antoneta si nisi biznesi juaj?

Antoneta Ndreka: Bashkë me tim shoq jemi themelues të Kompanisë "Lufra", qysh nga viti 1991. Rastësisht kemi hyrë në biznesin e qumështit, kur porositësi i një sasie të madhe qumështi nuk erdhi të na e merrte. Ndaj u detyruam që ta bënim gjizë atë qumësht, që as ajo nuk u shit. Pas kësaj ngjarjeje, meqë u kishim premtuar fshatarëve se do t'ua blenim qumështin, gjetëm dikë tjetër që ja shitëm. Ja kështu pak e nga pak filloi biznesi ynë. Kemi punuar fort. Jemi ndër të parët në Shqipëri që kemi bërë investime me teknologjitë e reja. Kemi investuar gjatë gjithë aktivitetit tonë si kompani dhe jemi të parët që kemi futur në treg shishet dhe gotat njëpërdorimshe të kosit dhe qumështit. Kjo bëhet për të rritur sigurinë ushqimore të konsumatorit.

CMG: Si ka ecur përpara kompania juaj? Si është menaxhuar ajo?

Antoneta Ndreka: Ne e kemi filluar aktivitetin me grumbullimin e qumështit nga fermerët në zonën e Lushnjes. Duke parë që tregu në atë kohë kishte uri për produktet e bulmetit,filluam të prodhonim djathë në punishte dhe e shisnim në treg. Pas kësaj nisëm prodhimin e kosit, që e tregtonim me shishe qelqi që atëkohë ishin shumëperdorimshe, se i mblidhnim përsëri dhe i lanim. Më pas nisëm të investonim në makineri, ndërtesa. Sot kemi teknologji italiane, suedeze, gjermane, investime këto të 3 viteve të fundit.

Vitet e fundit kemi futur dhe teknologjinë tetratop, që është ambalazhim i prodhimeve të freskëta në karton, gjë që ndikon në mbrojtjen e mjedisit . Investimet në teknologji vazhdojnë duke futur në aktivitetin tonë makineri të reja , që përmirësojnë dhe cilësinë e prodhimeve, krahas sigurisë ushqimore.

CMG: Fabrikat tuaja janë të përqëndruara në zonën e Lushnjes, apo ka edhe në qytete të tjera të Shqipërisë? Ku shpërndahen prodhimet e kompanisë "Lufra"?

Antoneta Ndreka: Fabrika qendrore ndodhet në Lushnje, ajo është fabrika ku ne kemi nisur aktivitetin. Kohët e fundit "Lufrës" i është shtuar dhe fabrika e Rrogozhinës, ku prodhojmë qumështin UHT. Kemi blerë dhe një fabrikë për prodhimin e ujit në Dukat të Vlorës , që sapo ka filluar të njihet në treg.

Prodhimet tona shiten në të gjithë Shqipërinë, nga Kukësi në Sarandë. Shpresojmë që së shpejti të jemi gati edhe për eksport.

CMG: Ju si grua biznesmene, si keni arritur të jeni bashkëthemeluese e kompanisë "Lufra"?

Antoneta Ndreka: E filluam aktivitetin me shumë pak. Duke u rritur kompania, jemi rritur edhe ne. Puna ime ka qenë vërtet e vështirë sepse gjatë gjithë kohës kemi punuar fort. Imagjinoni një grua të përballet me sfidat e biznesit! Aq më tepër para 25 vjetësh kur mentaliteti ishte ndryshe, ndaj dhe në zonën ku jetoja kam thyer paragjykimet me punë. Cdo artikull i prodhuar në fabrikë ka kaluar në duart e mia. Gjithashtu kam punuar shumë për ngritjen time profesionale. Kam bërë disa trajnime në Itali, Gjermani, Bullgari apo rajonin tonë, në një kohë kur si nënë kisha dhe fëmijët për të rritur. Vështirësitë kanë qenë të mëdha, por besoj se ja kam dalë.

CMG: Po fëmijët tuaj janë pjesë e biznesit familjar?

Antoneta Ndreka: Një mikja ime më thotë gjithmonë: "Suksesi yt nuk janë fabrikat, apo pasuria që ve me to, por fëmijët e tu". Unë kam dy djem Luisi dhe Franci, që punojnë bashkë me ne prindërit. Djali i madh ka mbaruar studimet e larta për financë-bankë dhe merret me pjesën financiare të të treja fabrikave. Kurse djali tjetër ka studjuar menaxhim biznesi në Londër dhe po menaxhon aktualisht fabrikën "Lufra"2, në Rrogozhinë. Të dy djemtë punojnë bashkë me ne dhe jam shumë krenare që ata po vazhdojnë punën e nisur nga ne prindërit.

CMG: Ju si biznesmene njiheni dhe për ndihmën që u ofroni grave. Si e realizoni këtë ?

Antoneta Ndreka: Duke qenë pranë zonës rurale me fabrikat tona e shoh nga afër se me çfarë vështirësish përballen gratë e kësaj zone. Në fabrikën "Lufra" 70 % e punonjësve janë femra, duke ju dhënë mundësi të punojnë dhe të krijojnë të mira materiale për familjet e tyre. Si grua drejtuese e një biznesi edhe drejtueset e aktivitetit tonë janë me shumicë femra. Drejtoresha e përgjithëshme, menaxherja e përgjithëshme e prodhimit, specialistja e cilësisë, shefet e reparteve janë femra, ndaj gjithmonë u kemi dhënë përparësi sepse janë shumë të kujdesshme dhe të afta në punë. Gratë e zonës rurale i ndihmojmë dhe në rastë festash të ndryshme duke u organizuar me shpenzimet e kompanisë takime festive, udhëtime bashkë me punonjëset e kompanisë. Ndërkohë kemi shpërndarë dhe ndihma materiale për familjet në nevojë.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore