Kina dhe Europa, në rrugën e zgjerimit të bashkëpunimit

2019-03-25 14:25:21 CRI Komenti juaj Printoni

Para disa vjetësh, Anastasiya Sizikova, që jeton në qytetin Duseldorf të Gjermanisë Perëndimore, nuk e mendonte se karriera dhe jeta e saj do të lidheshin një ditë kaq ngushtë me Kinën.

Duke zotëruar gjuhën angleze dhe ruse, ajo tani është drejtore e logjistikës dhe e zhvillimit të biznesit e kompanisë "DBO Bahnoperator", që merret me transportin hekurudhor të kontejnerëve mes Bashkimit Europian dhe Kinës, në kornizën e bashkëpunimit lidhur me "Një brez, një rrugë".

"Jam shumë e gëzuar, sepse më pëlqen shumë puna ime. Nëpërmjet linjave hekurudhore mund të shoh sa shpejt po rritet bashkëpunimi dypalësh dhe ndihem krenare që jam pjesë e këtij procesi", i tha ajo agjencisë kineze të lajmeve "Xinhua".

Në bazë të konsultimeve dhe bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë, nisma "Një brez, një rrugë" po gjen gjithnjë e më shumë përkrahje në vendet dhe popujt europianë që përfitojnë nga mundësitë e zhvillimit që sjell ajo.

Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi përkatës po luan një rol të rëndësishëm edhe në thellimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE, të vendosur në vitin 2003.

Tregje të ndërlidhura

Pas shpalljes në vitin 2013, nisma "Një brez, një rrugë" ka sjellë përfitime konkrete për të dy palët.

Sipas Korporatës Hekurudhore të Kinës, "China Railway Express", linja hekurudhore që lidh 49 qytete në dy kontinente, po bëhet një markë simbol. Vitin e e kaluar, trenat e mallrave bënë 6363 udhëtime mes 15 vendeve, shifër kjo 73 % më e lartë në krahasim me vitin 2017.

Vagonat transportojnë veshje, pjesë këmbimi për automjetet, lëndë kimike dhe produkte të tjera nga Kina për në Europë dhe kthehen me ushqime, makineri, pajisje dhe dru.

Për Spanjën, trenat jo vetëm lidhin Madridin me qytetin Yiwu të Kinës Lindore, por edhe ofrojnë mundësi për futjen dhe eksplorimin e tregjeve reciproke.

"Yiwu është një treg i madh global. Për sipërmarrjet në Madrid, ajo është edhe një derë drejt tregut të madh kinez", tha Francisco Aranda, zv.president dhe zëdhënës i Konfederatës së Biznesit të Madridit.

Fondi i Shkëmbimeve midis Yiwu-së dhe Spanjës, një organizatë jo fitimprurëse që u krijua në vitin 2016, deklaroi se do të ftojë 70 sipërmarrës spanjollë të shfaqin produktet e tyre në Panairin e Mallrave të Importit që do të zhvillohet në majin e sivjetshëm në Yiwu.

Ndërsa për Poloninë, një ndër vendet më të mëdha bujqësore europiane, linja "China Railway Express" është një alternativë bashkë me transportin detar, sepse ajo i ndihmon kompanitë polake të çojnë më shumë produkte në tregun kinez.

"Trenat na bëjnë të mundur t'u shesim klientëve kinezë produkte të freskëta që durojnë vetëm për një kohë të shkurtër, gjë që ishte e pamundur në të kaluarën. Ndërkohë, kjo mund të përmirësojë edhe efektivitetin dhe dendurinë e transportit", i tha "Xinhua"-së Malgorzata Cebelinska, drejtore e tregtisë e "Mlekpol"-it, një ndër kompanitë më të mëdha polake të produkteve të qumështit.

Tani "Mlekpol"-i është bërë një ndër kompanitë kryesore për importimin e qumështit në tregun kinez.

Investime dhe vende pune

Duke sjellë mundësi biznesi në tregun kinez, nisma "Një brez, një rrugë" ka sjellë edhe investime dhe vende pune në Europë.

Porti i Pireut, ku ka investuar gjiganti kinez i transportit detar COSCO, është një shembull tipik i partneritetit me leverdi të ndërsjellë midis Greqisë dhe Kinës brenda kornizës "Një brez, një rrugë".

"Pamja e portit filloi të ndryshonte me rezultate mbresëlënëse disa vjet pasi erdhën investimet kineze, kur vendi po zhytej në thellësi të krizës financiare", i tha "Xinhua"-së Vassilis Korkidis, president i Këshillit të Tregtisë dhe të Industrisë së Portit të Pireut.

"Ishin mbi 3.5 miliardë euro investime. Ndërkaq, shumë fusha të tjera biznesi janë aktivizuar me zhvillimin e portit, gjë që do të thotë se më shumë vende pune janë krijuar, shumica e cilave pagë më të mirë sesa e punëve të tjera në Greqi", shtoi ai.

Ura e Peljeshacit, një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore në historinë e Kroacisë, është një tjetër shembull. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç u shpreh se pjesëmarrja aktive e Korporatës së Rrugëve dhe Urave të Kinës në ndërtimin e kësaj vepre ka dhënë "ndihmesë ekonomike konkrete" për vendin e tij.

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka vlerësuar gjithashtu lart praninë e kompanive kineze, duke theksuar se ato kanë ndihmuar në përmirësimin e punësimit dhe rritjes ekonomike afatgjatë të Hungarisë.

Kryeministri spanjoll Pedro Sançez dhe ministri i Jashtëm grek Jorgos Katrugalos u shprehën se vendet e tyre do të vazhdojnë të jenë pjesëmarrëse aktive të nismës, duke luajtur një rol konstruktiv për nxitjen e marrëdhënieve kino-europiane.

Mrekulli
Lajmet Kryesore