Politika e kombësive e Kinës

2019-03-18 10:24:47 CRI Komenti juaj Printoni

Politika e kombësive e Kinës është e bazuar në barazinë mes kombësive, në mbrojtjen e unitetit kombëtar dhe në solidaritetin ndërmjet të gjitha kombësive, në autonominë rajonale të kombësive, në zhvillimin ekonomik e kulturor të tyre, në përgatitjen e kuadrove e të talenteve nga pakicat kombëtare, në respektin e besimeve fetare e zakoneve të pakicave kombëtare dhe në arritjen e lulëzimit të përbashkët të të gjitha kombësive.

Barazia ndërmjet kombësive është guri i themelit i politikës së kombësive të Kinës.

Zbatimi i barazisë ndërmjet kombësive është parim kushtetues i Kinës. Në Kinë, barazia e të gjitha kombësive ka tre kuptime: e para, të gjitha kombësitë, pavarësisht nga madhësia e tyre, vjetërsia e historisë, madhësia e zonës ku jetojnë, niveli i zhvillimit ekonomik, gjuha, feja dhe zakonet, janë njësoj dhe kanë status politik të barabartë; e dyta, të gjitha kombësitë janë të barabarta jo vetëm në fushën politike e ligjore, por edhe në të gjitha fushat e jetës ekonomike, kulturore dhe shoqërore; së treti, banorët e të gjitha kombësive janë të barabartë para ligjit dhe gëzojnë të njëjtat të drejta dhe detyrime. Pas viteve të përpjekjeve të palodhura, Kina ka formuar një sistem ligjor me karakteristika kineze për të siguruar barazinë mes kombësive, dhe të drejtat e barabarta të të gjitha kombësive janë të garantuara me ligj.

Uniteti kombëtar është parimi themelor i trajtimit të çështjeve të kombësive të Kinës dhe përmbajtja kryesore e politikës së saj të kombësive.

Në një vend me shumë kombësi si Kina, ruajtja e unitetit kombëtar ka rëndësi të veçantë. Qeveria dhe populli kinez i japin rëndësi të madhe unitetit kombëtar dhe e trajtojnë atë si interesin më të lartë të gjithë popullit kinez dhe si garancinë themelore për të arritur begatinë dhe zhvillimin e përbashkët të të gjitha kombësive. Përgjatë viteve, shteti ka ndërmarrë masa të ndryshme për të shmangur të gjithë faktorët që dëmtojnë unitetin kombëtar, duke ruajtur unitetin kombëtar dhe duke u përpjekur që të gjitha kombësitë të punojnë së bashku për begatinë dhe zhvillimin e përbashkët.

Çështjet e kombësive të Kinës janë punë të brendshme të Kinës. Qeveria kineze kundërshton me vendosmëri ndërhyrjen nga të gjitha forcat e huaja, me pretekstin e "të drejtave fetare", "të drejtave të njeriut" etj., në problemin e kombësive të Kinës, duke parandaluar dhe luftuar të gjitha veprimtaritë antikineze të forcave terroriste, separatiste e ekstremiste vendëse e të huaja. Historia dhe realiteti tregojnë se uniteti dhe miqësia ndërmjet kombësive sjellin begatinë, ndërsa konfliktet etnike dhe trazirat shoqërore sjellin vuajtje.

Autonomia rajonale e kombësive është politika bazë e Kinës për zgjidhjen e çështjeve të kombësive dhe një sistem politik bazë i Kinës.

Autonomia rajonale e kombësive e Kinës do të thotë se, nën udhëheqjen e unifikuar të shtetit, në zonat ku janë përqendruar pakicat kombëtare, krijohen organe vetëqeverisëse për ushtrimin e autonomisë. Deri në fund të vitit 2008, në Kinë kishte 155 zona autonome të kombësive, duke përfshirë pesë rajone autonome, 30 prefektura autonome dhe 120 konte autonome.

Organet e vetëqeverisjes të zonave autonome të kombësive janë asambletë popullore dhe organet ekzekutive të rajoneve autonome, prefekturave autonome dhe konteve autonome. Organet e zonave autonome ushtrojnë kompetenca si vetadministrimi i pakicave kombëtare, zhvillimi i veprimtarive ekonomike, shoqërore, kulturore etj.

Asambletë popullore dhe organet ekzekutive të zonave autonome të kombësive janë edhe organe të pushtetit vendor në nivel kombëtar, të cilat zbatojnë ligjet dhe politikat e shtetit sipas kushteve vendore. Autonomia rajonale e kombësive është autonomi nën udhëheqjen e unifikuar të shtetit dhe çdo zonë autonome e kombësive është pjesë e patjetërsueshme e vendit dhe organet vetëqeverisëse të zonave autonome të kombësive duhet t'i binden udhëheqjes qendrore.

Begatia dhe zhvillimi i përbashkët i të gjitha kombësive është element themelor i politikës kombëtare të Kinës.

Kushtetuta përcakton: "Shteti duhet të bëjë gjithçka për të promovuar begatinë e përbashkët të të gjitha kombësive." Ligji i autonomisë rajonale të kombësive jep mbështetje të mëtejshme për përshpejtimin e zhvillimit të zonave të kombësive dhe përcakton detyrimet ligjore të organeve më të larta shtetërore. Përgjatë viteve, qeveria kineze ka përkrahur zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe shoqëror të zonave autonome të kombësive, si një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të vendit, duke miratuar politika dhe masa për të mbështetur zhvillimin e këtyre zonave.

Në fillim të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, qeveria kineze i i ngarkoi vetes si një detyrë themelore nxjerrjen e banorëve të të gjitha kombësive nga varfëria dhe përmirësimin e jetës së tyre. Që nga fillimi i politikës së Reformës dhe Hapjes në fund të viteve '70 të shekullit të 20-të, shteti e ka vënë zhvillimin ekonomik në qendër dhe ka shtuar përpjekjet për të marrë një sërë masash të rëndësishme për të përshpejtuar zhvillimin e pakicave kombëtare dhe të zonave të kombësive. Me punën e përbashkët të banorëve të të gjitha kombësive, zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i pakicave kombëtare dhe i zonave të kombësive është ngritur në një nivel të ri, duke dalë nga prapambetja e thellë dhe duke hyrë në periudhën më të mirë në histori.

Mrekulli
Lajmet Kryesore