Mosha e tretë, e re mbetet në zemër

2019-03-18 09:50:30 CRI Komenti juaj Printoni

Ndjekja e "Kolegjit të të moshuarve" është në modë në Kinë. Kjo vlen edhe për një institucion të tillë në provincën Hunan të Kinës Qendrore, ku klasat janë gjithmonë plot kursantë të moshës së tretë që mësojnë vallëzim, jogë, përdorimin e smartfonave etj.

Këtu, në shkollën "Të moshuarit e gëzuar", mësuesit po u japin mësim të moshuarve në pension që kanë moshën e prindërve të tyre.

Sipas Xin Yu-së, një mësuese e shkollës, disa kursantë duhet të fillojnë nga gjërat bazë, si shkrimi i mesazheve në celular, bërja e fotove dhe shkarkimi i aplikacioneve për të blerë në internet me smartfona.

"E krijuam këtë kurs, sepse kishim vërë re se, pavarësisht se shumë të moshuar kanë 'iPhone'-a të tipit të fundit, por dinë vetëm të çojnë zile dhe nuk dinë si të çojnë mesazh e as të bëjnë foto të qarta", tha znj. Xin.

Ndërsa për kursantët që janë më "ambiciozë" shkolla ofron edhe lëndë si sfilata mode, kërcim latin, madje edhe mësim për turistët e moshuar si të komunikojnë në gjuhën angleze kur bëjnë vizita jashtë vendit.

Sipas z. Liu Jianjian, drejtor i shkollës "Të moshuar të gëzuar", që nga hapja në vitin 2016, 41 degë të kësaj shkolle në mbarë provincën kanë përgatitur mbi 10 mijë kursantë të moshuar.

Tani në Kinë ka rreth 60 mijë institucione që merren me "edukimin" e të moshuarve. Përveç atyre që financohen nga qeveria, po zhvillohen me vrullsh edhe shumë shkolla të tjera si shkolla "Të moshuarit e gëzuar", gjë që tregon mundësitë e mëdha të tregut për të përmbushur kërkesat e të moshuarve në pension.

Kështu që, në planin pesëvjeçar 2016-2020 të qeverisë kineze, kërkohet që para fundit të vitit 2020, çdo qytet, 50 % e qytezave dhe 30 % e fshatrave të vendit duhet të krjojnë shkolla ose qendra mësimi për banorët e moshës së tretë.

Prapa këtyre "etheve" të të mësuarit në moshë të shtyrë qëndron realiteti i një shoqërie që po plaket shpejt. Popullsia e Kinës në moshën mbi 60 vjeçe ka arritur deri në 241 milionë para fundit të vitit 2017, dhe pritet të kulmojë në 487 milionë rreth vitit 2050, duke zënë 1/3 e popullsisë së përgjithshme.

Megjithëse një numër i konsiderueshëm të moshuarish ndihmojnë në rritjen e nipave e mbesave, ka edhe shumë të tjerë që mbeten në të ashtuquajturat "fole bosh" në vendlindje, pasi fëmijët e tyre gjejnë punë në qytete të largëta për një rrogë më të mirë.

Prandaj, kalimi i kohës së tyre të lirë është bërë jo vetëm një problem familjar, por edhe shoqëror.

Për këtë, z. Zhao Baoquan, drejtor i "Pjekurisë së gëzueshme", një gazetë me seli në Hunan për lexuesit e moshuar, u shpreh se lajmi i mirë është se tani më shumë të moshuar po integrohen aktivisht në shoqëri.

Ndërsa, z. Liu Hongchen, një ekspert për çështjet e moshës së tretë pranë Shoqatës së Vullnetarëve të Kinës, u shpreh se edhe ngritja e nivelit të jetesës dhe përmirësimi i shërbimeve mjekësore kanë dhënë ndihmë të madhe që të moshuarit të synojnë për një jetë me cilësi më të lartë, qoftë nga ana fizike, ashtu edhe ajo mendore.

"Shkollat për të moshuarit që përputhen me kërkesat e tyre tregojnë se ata nuk duan të mbeten mënjanë, por dëshirojnë të tregojnë vlerat e veta nëpërmjet ndjekjes së shkollës", i tha z. Liu agjencisë së lajmeve Xinhua.

68-vjeçari Feng Guangqian është një student aktiv që po mëson në katër lëndë. Ai dhe bashkëshortja e tij, pasi dolën në pension, ndjenë etje për të mësuar gjëra të reja, përveç përkujdesit për nipat.

"Ne i kushtojmë më shumë rëndësi procesit sesa rezultatit. Studimi na bën të ndihemi më të rinj", tha ai.

Ndërsa Li Danyang, mësuesja e kërcimit latin në të njëjtën shkollë, pohoi se shumica e studentëve të saj janë të zellshëm. "Ata mësojnë me shumë vëmendje dhe praktikohen shumë pas mësimit. Ndonjëherë madje mësojnë më shpejt sesa fëmijët", tha znj. Li.

Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë të moshuar i gjen në sheshet dhe parqet e qyteteve në Kinë dhe shumë turistë flokëbardhë udhëtojnë në vende fqinje, si Tajlanda dhe Japonia. Bumi i kërkesave të konsumatorëve të moshuar është bërë edhe një mundësi biznesi për shumë sektorë ekonomikë.

"Shumë të moshuar nuk guxojnë të udhëtojnë me aeroplan. Prandaj, ne bëmë porosi për disa vagona treni", u shpreh z. Zhou Jincan, duke shtuar se vagonat janë me shtretër dhe me personel të posaçëm mjekësor".

Si menaxher i Kompanisë së Shërbimeve Turistike të Kinës në Shaanxi, Zhou është mësuar vitet e fundit të presë udhëtarë të moshuar.

"Produktet turistike posaçërisht për të moshuarit janë bërë një fokus i biznesit tonë. Për shembull, kemi shërbime për ata që jetojnë në Veriun e ftohtë të udhëtojnë në Jugun e ngrohtë në dimër dhe për ata nga Jugu që të udhëtojnë për në qytetet e freskëta veriore në verë", shpjegon z. Zhou.

Ky është vetëm një shembull për mundësitë e biznesit ndaj pjesës së moshuar të popullsisë kineze.

Parashikohet që Kina do të jetë vendi me më shumë mundësi në zhvillimin e "industrisë së flokëve të bardhë", sepse vëllimi i konsumit nga banorët e moshuar kinezë do të arrijë në 15.5 trilionë dollarë amerikanë në vitin 2050.

Studimet përkatëse tregojnë njëkohësisht se mbi 96% e të pyeturve të moshuar pohojnë se u pëlqen më shumë ta kalojnë pleqërinë në shtëpi sesa në institucione publike apo private.

"Anxin Pension", një kompani e inxhinerisë së ndërtimit në Pekin, ka fituar shumë nga shërbime të tilla. Ajo fokusohet te krijimi i mjedisit më të sigurt nëpërmjet rimodelimit të banesave, sepse rënia mund të jetë katastrofike për të moshuarit.

Shërbimet e tyre përfshijnë vlerësimin e gjendjes fizike të banorëve, planifikimin e kushteve të banesës, ndërtimin dhe shërbimin pas shitjes.

Sipas z. Kong Yue, menaxher i "Anxin Pension", kompania ka bërë rimodelimin e mbi 1800 banesave të të moshuarve në Pekin. Puna e tyre ka lehtësuar shumë jetën e banorëve të moshuar.

"Në shtëpi janë vendosur parmakë dhe dyshemeja nuk është më rrëshqitëse", u shpreh znj. Liu, një kliente e kompanisë. Sipas saj, pas rimodelimit të apartamentit, ajo nuk është rrëzuar asnjëherë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore