"Dy sesionet" vërtetojnë cilësinë e demokracisë në Kinë

2019-03-11 14:31:06 CRI Komenti juaj Printoni

Këto ditë po zhvillohen në Pekin dy veprimtaritë kryesore politike vjetore të Kinës, që përkatësisht janë sesioni i parlamentit (Asamblesë Kombëtare Popullore) dhe ai i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK). Sipas raportit të punës që qeveria i dorëzoi Asamblesë Kombëtare Popullore për shqyrtim, sivjet Kina do të ketë një objektiv të rritjes së PBB-së 6 % - 6.5 %, do të hapë mbi 11 milionë vende të reja pune në zonat urbane, papunësia e regjistruar në qytete nuk do ta kalojë nivelin 4.5 % dhe rritja e Treguesit të Çmimit të Konsumit (CPI) do të jetë rreth 3 %. Pra, ekonomia e dytë e botës zotohet të bëjë më shumë për të shtuar mirëqenien e masave popullore.

Lidhur me këtë, analistët e huaj vërejnë se, me shtimin e paqëndrueshmërisë në botë, Kina spikat për përpilimin dhe zbatimin efektiv dhe të sigurt të planeve. Faktikisht, Kina ka rezultate të mira jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në zbatimin e demokracisë, një aspekt ku ajo kritikohet ashpër prej vitesh nga vendet perëndimore. "Dy sesionet" janë vërtetimi më i mirë për këtë.

Ata që presin të shohin kundërvënie dhe konkurrencë të ashpër parlamentare do të ndihen të zhgënjyer nga dy sesionet që po mbahen në Kinë.

Sesioni vjetor i legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) dhe ai i Komitetit të 13-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK) prekin çdo çështje kryesore politike të vendit dhe përpiqen të gjejnë zgjidhjen e problemeve e metodat për të përballuar sfidat e tanishme. 

Ligjvënësit në AKP dhe këshilltarët politikë në KKPPK po shqyrtojnë raportin e punës të qeverisë, duke vlerësuar arritjet e saj dhe duke diskutuar për objektivat e përcaktuara për këtë vit, që synojnë nxitjen e zhvillimit ekonomik nëpërmjet uljes së taksave, reformave dhe mbështetjes më të madhe ndaj bizneseve private. Dy sesionet e sivjetshme kanë tërhequr edhe vëmendjen e lartë të publikut, i cili është i interesuar për të ditur hollësisht çfarë veprimesh do të ndërmerren nga qeveria për të mbajtur premtimet për ajër më të pastër, arsim më të mirë, kujdes më cilësor për të moshuarit e fëmijët dhe çështje të tjera që lidhen me kërkesat e tyre për një jetë më të lumtur.

Edhe raportet e punës të Gjykatës Supreme Popullore dhe të Prokurorisë Supreme Popullore do të shqyrtohen nga deputetët e Asamblesë Kombëtare Popullore (organi më i lartë ligjvënës) dhe anëtarët e Konferencës Konsultative Politike (organi më i lartë këshillimor politik).

"Dy sesionet" kanë treguar angazhimet e qeverisë kineze për konsultime të gjera me qarqe të ndryshme shoqërore e njëkohësisht edhe aftësinë e komunikimit dhe efektivitetin e zbatimit të saj.

Në Kinë demokracia cilësore bazohet te qeverisja e mirë në aspektet kryesore, me mbajtjen e premtimeve qeveritare dhe zbatimin e planeve largpamëse afatgjata. Kjo ka të bëjë me pjesëmarrjen e qytetarëve, duke bërë që zërat e tyre të dëgjohen dhe duke përmbushur kërkesat e tyre.

Një sistem që meriton besimin e popullit duhet të jetë një sistem ku vendimet e rëndësishme merren në mënyrë të arsyeshme e demokratike dhe fuqia e pushtetarëve është nën kufizim e mbikëqyrje të rreptë dhe efektive.

Ndërkohë, forma më e përshtatshme demokratike është ajo që funksionon mirë ose që është mjaft frytdhënëse.

Kur qeveritë e disa vendeve perëndimore po përballen me tensione shoqërore, duke zbuluar se reformat po bëhen më të vështira, Kina, nëpërmjet demokracisë së saj karakteristike, po kërkon konsensus dhe po mobilizon të gjitha forcat drejt lulëzimit të përbashkët. Ekonomia kineze po përjeton transformim nga rritja e shpejtë në një zhvillim cilësor. Hendeku midis zhvillimit të zonave urbane e rurale është zvogëluar. Ndërkohë, miliona vende të reja pune po krijohen dhe vendi po i afrohet realizimit të objektivit të zhdukjes së varfërisë ekstreme.

Kina ka përcaktuar si objektiv ndërtimin para fundit të vitit 2020 të një shoqërie relativisht të begatë. Po të realizohet ky objektiv, kjo do të hera e parë në historinë e njerëzimit që një vend me një popullsi mbi 1 miliard futet në përgjithësi në modernizim.

Është pikërisht populli kinez që ka të drejtën të bëjë vlerësimin përfundimtar për politikat qeveritare dhe efektivitetin e frymës së demokracisë në vend.

Kushtet e tanishme të Kinës nuk janë në favor të ndërrimit të forcës politike në pushtet nëpërmjet konkurrimit shumëpartiak. Ndërsa përvojat e botës perëndimore mund të përdoren vetëm si referim, por jo për kopjim.

Pavarësisht se Kina ka besim te sistemi i vet politik, kjo nuk do të thotë se ai është një sistem i përsosur. Duhet të bëhen përpjekje të pandërprera për ta përmirësuar demokracinë socialiste, në mënyrë që populli të shfrytëzojë krejtësisht forcën e vet krijuese.

Gjithashtu, ka edhe shumë sfida përpara. PBB-ja për frymë në Kinë është vetëm afro 10 mijë dollarë amerikanë, shumë larg nga niveli i vendeve të zhvilluara. Zhvillimi i mëtejshëm kërkon më shumë përkujdes në mendim, planifikim, bashkëpunim dhe konsultim midis qeverisë dhe publikut.

Kjo është ajo që po bëhet në "dy sesionet". Në to, vendimet do të merren në përputhje me interesat thelbësore të popullit, gjë që tregon cilësinë e demokracisë kineze që mund të kalojë testin e historisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore