Instituti "Konfuci" në Sicili

2019-03-04 17:03:15 CRI Komenti juaj Printoni

"Ethet" e gjuhës kineze janë përhapur prej disa vjetësh në Itali. Deri tani në mbarë vendin janë krijuar 12 institute "Konfuci", ku jepen mësime për gjuhën e kulturën kineze. 11 prej tyre ndodhen në gadishullin e Apenineve dhe vetëm një në ishullin e Sicilisë. Sun Ao është drejtorja e palës kineze e këtij instituti, që gjendet në thellësitë e maleve, gati 1000 metra mbi nivelin e detit.

Enna është një qytet i vogël me 20 mijë banorë në qendër të ishullit të Sicilisë. Në tetorin e vitit 2016, në Universitetin Enna Kore u krijua Instituti "Konfuci". Znj. Sun, drejtoresha e parë e këtij instituti, ka punuar mbi dy vjet atje. Për fazën fillestare, ajo ka mbresa të thella:

"T'ju them të vërtetën, në fillim kishim vështirësi. Sicilianët nuk e njohin shumë Kinën ose njohuritë e tyre për Kinën ngelen te pamjet e saj në vitet '50-'60 të shekullit të kaluar. Prandaj, kur erdha këtu, ata ishin kureshtarë dhe më pyetnin shpesh për punën time".

Në vitin e parë, znj. Sun iu përgjigj këtyre pyetjeve me veprime konkrete. Ajo, së bashku me kolegun e vetëm të saj, kreu përmirësimin infrastrukturor e të sistemit të funksionimit të Institutit dhe mori miratimin për organizimin e provimit të gjuhës kineze. Nga viti 2017, ata nisën të pranonin kursantë nga qarqet e ndryshme dhe zhvilluan një sërë veprimtarish promovuese për kulturën kineze nëpër shkolla dhe vende publike të qytetit.

Në orën 10, Sun Ao mbërriti në qytezën Agira, 30 kilometra larg Enna-s. Në shkollën e mesme "Lincoln" atje ishte duke u organizuar një veprimtari në kuadrin e Ditës së Hapjes së Shkollës, ku u paraqitën edhe elementet e kulturës kineze. Ariana është një nxënëse e shkollës "Lincoln". Nën udhëzimin e znj. Sun, ajo shkroi për herë të parë disa hieroglife kineze me furçë.

"Kjo do të thotë 'përshëndetje'. Po mendoj të mësoj gjuhën kineze, sepse po bëhet gjithnjë e më e përhapur", tha Ariana.

Vitin e kaluar, Instituti "Konfuci" në Universitetin Enna Kore, bashkë me 70 shkolla dhe me autoritetet arsimore të prefekturës Sicilia krijuan Aleancën e Mësimdhënies së Gjuhës Kineze. Shkolla "Lincoln" është anëtare e kësaj aleance. Për shkak se në këtë shkollë mësimi i gjuhës kineze do të përfshihej në kurrikulën zyrtare, detyra tjetër e znj. Sun ishte takimi me prindërit e nxënësve, për t'i njohur ata konkretisht me këtë lëndë mësimore. Z. Salvatore, fëmija i të cilit është në vitin e tretë të "Lincoln"-it, shfaqi interes të madh për lëndën e re që do të jepet në këtë shkollë.

"Nuk di shumë për Kinën. Por e di që është një vend i madh dhe shumë i rëndësishëm. Shpresoj se, përveç provimit të elementeve kulturore, fëmija im do të ketë mundësi të mësojë gjuhën kineze dhe të njohë më shumë për Kinën", tha ai.

Pasi përfundoi punën në Agira, Sun Ao u kthye në shtëpinë e vet. Qyteti Enna ndodhet në qendër të Sicilisë, por është në malësi dhe rruga për aty është e vështirë. Makina duhet të shmangë shpesh tufa dhensh në rrugë, kështu që duhet mbi një orë për një largësi 30 kilometra. Por znj. Sun është mësuar me këtë.

"Në dimrin e parë që kalova në Enna, ishte një ditë e ftohtë me dëborë. Unë, bashkë me një koleg, pritëm një orë e gjysmë, por prapë autobusi nuk erdhi. Pasi pyeta në telefon zyrën përkatëse, mësova se, për shkak të motit të keq, transporti publik ishte ndërprerë. Prandaj duhet të ngjiteshim në mal më këmbë për t'u kthyer në shtëpi. Harxhuam më shumë se dy orë në rrugë në dëborën e dendur. Kjo është një përvojë e paharrueshme", i tha Radios së Jashtme të Kinës Sun.

Çdo ditë, në orën 4 pasdite, kursantët e Institutit "Konfuci" vijnë për mësim. Për shkak se ata janë nga qarqe të ndryshme shoqërore, mësimi zakonisht fillon pas orës 4 të pasdites. Nga viti 2017, numri i kursantëve filloi të shtohej pandërprerë. Sipas të dhënave statistikore, deri tani, mbi 500 veta dhanë mësimin e nivelit të gjuhës kineze në Universitetin Enna. Për zhvillimin e ardhshëm të Institutit, Sun Ao ka plan të qartë: ajo do ta kthejë në një qendër për mësimdhënien e gjuhës kineze, për kualifikimin e mësuesve të gjuhës kineze dhe për shkëmbimet kulturore kino-italiane. Në intervistë ajo pohoi se, nga praktika, ka ndier thellësisht rolin e rëndësishëm të komunikimit në shmangien e keqkuptimeve të ndërsjella.

"Lexova në një libër në bibliotekën këtu se kinezët vdesin fshehurazi. Shumë sicilianë më kanë pyetur për këtë problem. U shpjegova se kinezët preferojnë ta caktojnë vendlindjen e tyre si ndalesën e fundit të jetës, si gjethet e vyshkura që bien pranë rrënjëve. Pjesa dërrmuese e emigrantëve kinezë në Itali janë të rinj, prandaj banorët vendorë rrallë shohin funerale të kinezëve. Ndërsa unë, para se të vija këtu, si shumë të huaj, mendoja se në Sicili gjen kudo mafiozë. Por, pasi mbërrita, mendoj se ky është një keqkuptim. Prandaj, duhet të nxiten më shumë shkëmbimet e ndërsjella për të hequr këto përshtypje të gabuara", tha znj. Sun.

Puna dyvjeçare e znj. Sun është plot gëzime dhe shqetësime, vështirësi dhe arritje. Tani ajo është bërë mikeshë e mësuesve, nxënësve dhe kursantëve vendorë. Për këtë kolege punëtore, kryetari i bordit të Universitetit Enna Kore Cataldo Salerno nuk i kursen fjalët e mira:"Ajo është një njeri plot pasion dhe përkushtim në punë, që i shton energji lidhjes midis Institutit 'Konfuci' dhe qytetit tonë."

Mrekulli
Lajmet Kryesore