Hënë, 12 vende kanë emra kinezë

2019-02-25 11:34:50 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, pesë vende në Hënën morën emra kinezë. Administrata Kombëtare e Hapësirës Kozmike e Kinës, Akademia e Shkencave e Kinës dhe Bashkimi Astronomik Ndërkombëtar shpallën më 15 shkurt në Pekin se pika e zbritjes së sondës hënore kineze "Chang'e-4" dhe katër kratere rreth saj mbi sipërfaqen e Hënës janë emërtuar përkatësisht Statio Tianhe, Zhinyu, Hegu, Tianjin dhe Taishan. Para kësaj, vetëm pika e zbritjes së anijes kozmike amerikane "Apollo 11", Statio Tranquillitatis, mori një emër që nis me "statio" (që do të thotë "bazë" në gjuhën latine).

Menaxhimi dhe ratifikimi i emrave të vendeve gjeografike në Hënë është punë e Bashkimit Astronomik Ndërkombëtar. Më 4 shkurt të këtij viti, kjo organizatë miratoi emrat e pesë vendeve në Hënë që u propozuan nga Kina, në bazë të të dhënave grafike me qartësi të lartë të dërguara nga sateliti "Chang'e-2" dhe sonda "Chang'e-4" gjatë kryerjes së misioneve të programit të eksplorimit hënor të Kinës. Lidhur me këta emra, zv.kryedrejtuesi i projektit, gjithashtu edhe drejtor i Qendrës së Eksplorimit Hënor të Administratës Kombëtare të Hapësirës Kozmike, z. Liu Jizhong, u shpreh:

"Pika e zbritjes së sondës 'Chang'e nr.4' u emërtua 'Statio Tianhe'. Tre krateret që rrethojnë pikën e zbritjes në formë trekëndëshe quhen përkatësisht 'Zhinyu', 'Hegu' dhe 'Tianji', ndërsa maja e kraterit Theodore von Kármán ku ndodhet pika e zbritjes e 'Chang'e-4' mori emrin 'Taishan'."

Të gjithë emrat kanë karakteristika të theksuara kineze.

"Tianhe" është emri në gjuhën kineze për "Rrugën e Qumështit", i cili tingëllon edhe si shkurtim i idiomës "hedhje e hapit të parë", gjë që përputhet me faktin që zbritja e "Chang'e-4" është gjurma e parë që njerëzimi la në anën e pasme të Hënës.

Zhinyu, Hegu dhe Tianjin janë tre yje kryesore që u identifikuan nga kinezët e lashtë, të cilat ndodhen përkatësisht në yjësitë e tanishme të Lirës, Shqiponjës dhe Mjellmës, që formojnë një trekëndsh që shkëlqen në qiellin veror. Prandaj, Zhinyu, Hegu dhe Tianjin e demonstrojnë këtë dukuri të njohur astronomike edhe në sipërfaqen e Hënës.

Maja qendrore në kraterin "Von Kármán" u emërtua Taishan sipas vargmaleve të njohura Tai. Duke folur për këtë, kryedrejtori i sistemit të kontrollit tokësor të misionit "Chang'e-4" dhe zv.drejtori i Observatorit Astronomik Kombëtar Li Chunlai u shpreh se ky emër përmban edhe kuptim shkencor:

"Vargmalet Tai kanë një pozitë të veçantë ndër pesë vargmalet më të njohura në Kinë, për shkak se, përveç pamjes mahnitëse natyrore, kanë edhe relikte të panumërta kulturore. Gjithashtu, maja Taishan si pikë qendrore në kraterin 'Von Kármán' është një koordinator i rëndësishëm që mund të ndihmojë në pozicionimin e shpejtë të Statio Tianhe-së dhe tre kratereve të tjera rreth saj në sipërfaqen e Hënës".

Në fakt, emërtimi i pesë vendeve në Hënë me emra kinezë është shfrytëzimi i rezultateve shifrore të projektit të eksplorimit hënor të Kinës. Përveç pesë emrave të tanishëm, edhe shtatë vende të tjera në Hënë kanë marrë emra kinezë përkatësisht në bazë të të dhënave të grumbulluara gjatë kryerjes së misioneve "Chang'e-1" në vitin 2010 dhe "Chang'e-3" në vitin 2015.

Përse duhet t'u vendosen emra pikave të ndryshme në Hënë? Drejtori i Qendrës së Eksplorimit Hënor të Administratës Kombëtare të Hapësirës Kozmike Liu Jizhong thotë se kjo mund të lehtësojë eksplorimet e mëtejshme:

"Për sa u përket eksplorimit hënor dhe shfrytëzimit të rezultateve kërkimore, emrat janë të dhëna të rëndësishme bazë. Ata shënojnë pozicionin e saktë. Natyrisht, emrat mund të pasqyrojnë edhe arritjet e një vendi në fushën përkatëse. Miratimi kësaj here i emrave kinezë për pesë vende në Hënë afër pikës së zbritjes të sondës 'Chang'e-4' është një njohje ndërkombëtare në përkujtim të hapit të parë në historinë njerëzore në pjesën e pasme të Hënës".

Deri tani, 12 vende në Hënë kanë emra kinezë. Lidhur me këtë, kryeprojektuesi i Programit të Eksplorimit Hënor të Kinës, z. Wu Weiren, shprehu shpresën për shtimin e më shumë elementeve kineze në Hënë:

"Me sa di unë, tani në Hënë mbi 200 pika që kanë emrat e tyre. Kushti i detyrueshëm parësor për aplikimin e emërtimit është zotërimi i të dhënave origjinale. Prandaj, shpresoj se gjatë kryerjes së misioneve të ardhshme, si 'Chang'e-5', 'Chang'e-6' etj., mund të emërtojmë më shumë vende me emra kinezë".

Më 3 janar të këtij viti, sonda kineze "Chang'e-4" zbriti me sukses në anën e pasme të Hënës dhe lëshoi roverin "Yutu-2" për eksplorim. Tani të dy mjetet po zhvillojnë eksperimente dhe kërkim sipas planit.

Programi hënor i Kinës ende ka tre misione përpara. "Chang'e-6" do të marrë mostra nga Poli Jugor i Hënës. "Chang'e-7" do të bëjë një eksplorim gjithëpërfshirës në Polin Jugor të Hënës, i cili përfshin një studim të detajuar të gjeografisë së Hënës, të përbërjes së materialeve të zbuluara, si dhe të mjedisit hapësinor rreth Polit Jugor të Hënës. Kina, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Bashkimi Evropian po diskutojnë gjithashtu mundësinë e ndërtimit të një baze kërkimore të përbashkët në Hënë. Ndërkohë, "Chang'e-8" do të kryejë eksperimente teknologjike në Hënë, të tilla si testimi i teknologjisë 3D për të parë nëse është e mundur të ndërtohet një shtëpi në satelitin e Tokës.

Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës aktualisht ka marrëveshje bashkëpunimi me gati 40 vende të ndryshme, duke përfshirë vendet që kanë programe të kufizuara hapësinore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore