Kombësitë kineze me mbi pesë milionë veta (IV)

2019-01-22 16:53:28 CRI Komenti juaj Printoni

Kombësia tujia

Kombësia tujia ka një popullsi prej 8.35 milionë vetash, të cilët jetojnë kryesisht në zonën Wulingshan në provincat Hunan, Hubei, Sichuan dhe Guizhou. Ajo është përcaktuar zyrtarisht si një pakicë kombëtare në janar të vitit 1957. Kombësia tujia ka gjuhën e vet, e cila i përket grupit të gjuhëve tibetiane-burmeze të familjes së gjuhëve sino-tibetiane. Kombësia tujia nuk ka alfabet të vetin, prandaj përdor në shkrim hieroglifet e gjuhës kineze. Po ashtu, për shkak të komunikimit të gjatë me pjesëtarët e kombësisë hane, shumë nga banorët e kombësisë tujia përdorin gjuhën hane.

Kombësia tujia e nderon shumë tigrin e bardhë, sepse pjesëtarët e kësaj kombësie besojnë se ata janë pasardhësit e tigrave të bardhë. Përveç ofrimit të blatimeve për të adhuruar tigrat e bardhë, banorët e kombësisë tujia shpesh e përdorin imazhin e këtyre tigrave në jetën e tyre të përditshme për të larguar të keqen.

Kombësia tujia merret kryesisht me bujqësi dhe peshkim. Po ashtu, edhe turizmi është i përhapur, sepse zonat ku banon kjo pakicë kombëtare janë të pasura me burime turistike natyrore, si Parku Pyjor Kombëtar "Zhangjiajie", malet Wuling, Wushan dhe Wudang etj.

Por kombësia tujia ka edhe doke e zakone të pasura. Arti i qëndisjes është një zeje tradicionale e grave të kësaj kombësie. Artet e tjera tradicionale të banorëve të kombësisë tujia përfshijnë gdhendjen, pikturën, letërprerjen dhe batikun, një teknikë e ngjyrosjes së pëlhurave me dyllë. Qëndismat me ar të kombësisë tujia janë ndër tre llojet e qëndismave të tilla më të famshme në Kinë.

Kombësia tujia e ka pasion këndimin e këngëve popullore, të cilat përfshijnë, mes të tjerash, këngët e dashurisë, këngët e vajit të dasmës, këngët e punës. Banorët e kësaj kombësie kanë një numër veglash muzikore tradionale. Ata po ashtu shpesh e shoqërojnë të kënduarin me kërcimin e valleve tradicionale.

Zakonet e martesës të kombësisë tujia janë interesante. Një ndër to është pritja e ditës së dasmës me të qara nga vajza që martohet. Nusja zakonisht fillon të qajë gjysmë muaji para ditës së dasmës; disa madje edhe rreth një muaj përpara. Periudha më e shkurtër e qarjes është rreth 3 ose 5 ditë. Anëtarët e kombësisë tujia e gjykojnë zgjuarsinë dhe virtytin e një vajze nga ajo se sa mirë mund të këndojë ajo këngët e vajit në dasmë.

Banorët e kombësisë tujia u kushtojnë interes edhe festave tradicionale, sidomos Festës Sheba. Kjo festë kremtohet nga dita e tretë deri në ditën e 17-të të muajit të parë të kalendarit kinez, por në disa zona festohet në mars ose maj. Sheba zhvillohet për të nderuar paraardhësit dhe për të shprehur shpresat për një vit të begatë. Ajo është gjithashtu një mundësi e mirë për të rinjtë që të zënë shoqëri dhe për të gjetur dashurinë.

Kombësia tibetiane

Kombësia tibetane ka një popullsi prej 6.28 milionë banorësh, të shpërndarë kryesisht në Rajonin Autonom të Xizang-ut (Tibetit) të Kinës, dhe në Qinghai, Gansu, Sichuan, Yunnan dhe provinca të tjera.

Tibetianët kanë gjuhën dhe alfabetin e tyre. Gjuha tibetane i takon degës tibetiane-burmeze të familjes së gjuhëve sino-tibetiane dhe ndahet në tre dialekte.

Tibetianët banojnë kryesisht në vise malore. Lartësia mesatare e rrafshnaltës Qinghai-Xizang (Tibet) është rreth 4 000 metra. Mali Everest, midis Kinës dhe Nepalit, është 8844.43 metra mbi nivelin e detit dhe është mali më i lartë në botë.

Zonat tibetiane janë të pasura me burime natyrore dhe tibetianët jetojnë kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Shumica e tyre janë budistë të devotshëm dhe ndjekin budizmin tibetian. Manastiret budiste janë të përhapura në të gjitha zonat tibetiane dhe shfaqin kulturën e pasur dhe mjeshtërinë e shkëlqyer të ndërtimit të tibetianëve. "Potala" në Lhasë është kompleksi i pallateve në lartësinë më të madhe në botë. Ai është i njohur për stilin e ndërtimit, afresket, veprat skulpturore dhe reliktet e çmuara kulturore.

Tibetianët kanë veshje mjaft karakteristike. Në përgjithësi, ata veshin rroba të bëra nga mëndafsh ose pëlhurë, të gjera e të lirshme, me mëngë të gjata, si edhe çizme të gjata me lëkurë kafshësh.

Dhurimi i hada-së, që është një lloj shalli i bardhë, është një formë mirësjelljeje shumë e zakonshme e tibetianëve. Dhënia e hada-ve tregon pastërti, besnikëri dhe respekt ndaj atij që i jepet. Edhe kur dalin jashtë, tibetianët marrin disa hada me vete, në rast se takojnë ndonjë mik apo të njohur, për t'ia dhuruar.

Festa më e rëndësishme për banorët e kombësisë tibetiane është Viti i Ri Tibetian, në ditën e parë të vitit sipas kalendarit tibetian. Përgatitjet për këtë feste nisin që 15 ditë përpara. Njerëzit pastrojnë shtëpitë, bëjnë blatime në altar dhe hanë darkë së bashku. Gjatë kremtimit tibetianët gjithashtu ndezin fishekzjarrë dhe pishtarë për të larguar shpirtrat e ligë dhe fatin e keq.

Ndërsa në verë festa më e njohur është Shoton, ose Festa e Banketit të Kosit. Gjatë kësaj feste tibetianët dalin për piknik, duke marrë me vete për të ngrënë kryesisht bulmet.

Mrekulli
Lajmet Kryesore