Sistemi kinez "Beidou", konkurrent i fuqishëm i GPS–it

2019-01-22 16:59:09 CRI Komenti juaj Printoni

Sistemi i pozicionimit satelitor i Kinës "Beidou" (BDS) nisi shërbimet globale në fund të muajit të kaluar.

"Që nga tani, kudo të shkoni, sistemi BDS mund t'ju shoqërojë", deklaroi z. Ran Chengqi, drejtor i përgjithshëm i Zyrës së Pozicionimit Satelitor të Kinës.

Në një konferencë shtypi të organizuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit, z. Ran bëri të ditur se ndërtimi i sistemit BDS-3 ka përfunduar. Sipas tij, "kjo tregon se BDS-i është zgjeruar nga një sistem rajonal në global". Që nga fillimi i zhvillimit të BDS-it në vitet '90 të shekullit të kaluar, programi përkatës i Kinës ka ndjekur një strategji trefazëshe, që përkatësisht janë BDS-1 për instalimin e sistemit të demonstrimit, BDS-2 për krijimin e sistemit rajonal dhe BDS-3 për formimin e rrjetit të shërbimeve globale.

Sistemi i pozicionimit nëpërmjet satelitëve shërben për të saktësuar pozicionin e një objekti në sipërfaqen e Tokës. Ai mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen kombëtare dhe zhvillimin ekonomik.

BDS-i tani është bërë një industri e re strategjike në Kinë, duke formuar një zinxhir të plotë industrial, pasi përdoret në shumë pajisje të përditshme, si smartfonat, pajisje e navigacionit të instaluara në automjete dhe produktet elektronike të mbajtshme.

BDS-i është i studiuar e i prodhuar nga Kina dhe funksionon me teknologjinë kineze, dhe mund të ndajë të dhënat e informacionin me sisteme të tjera të pozicionimit global.

Sateliti i parë i BDS-it u lëshua në nëntorin e vitit 2017. Sipas planit që ndahet në dy hapa, lëshimi i 19 satelitëve të parë do të mbarojë para fundit të vitit 2019 dhe përsosja e tërë sistemit do të realizohet pas funksionimit normal të 30 satelitëve në përgjithësi. Ndërsa, misioni i parë u krye vetëm brenda një viti. Para fundit të 2018-s, 19 satelitë po funksionojnë mirë në orbita të ndryshme. Sipas z. Ran, Kina ka thyer një rekord në shpejtësinë e ndërtimit të sistemit të navigacionit për lëshimin më të dendur të satelitëve specifikë.

Tani, me këto 19 satelitë sistemi është i gatshëm të ofrojë shërbimet globale dhe misioni i mbetur i lëshimit do të kryhet për satelitë rezervë.

Pasi u hap ndaj përdorimit civil në vitin 2011, BDS-i është konsideruar si sistemi i pozicionimit me perspektivë më të madhe pas GPS-it.

Një ndër veçoritë e BDS-it është rrjeti i tij në përmasë kombëtare, i prodhuar me bashkëpunim civil dhe ushtarak, gjë që ndryshon nga GPS-i i studiuar vetëm nga ushtria amerikane. Bashkëpunimi i ndërmarrjeve private me ato ushtarake do t'u sigurojë përdoruesve saktësi më të lartë pozicionimi.

"Qianxuan SI" është një kompani e tillë me seli në Shangai. Si ofruese e shërbimeve me saktësi më të lartë të pozicionimit në botë, ajo mund të japë shërbime në bazë të dhënave që dërgohen nga BDS-i dhe mbi 2200 stacione tokësore për pozicionimin me saktësi centimetrike për objektet në lëvizje, dhe milimetrike për objektet e palëvizshme.

Li Geyang është menaxher i "Qianxun SI"-së. Ai shprehet se kompania e tij ka ndërtuar edhe 120 stacione të tjera për të ngritur saktësinë e pozicionimit në shkretëtira, oqeane dhe atmosferën e sipërme. Të gjitha stacionet priten të hyjnë në funksionim online para fundit të vitit 2021.

Deri tani, BDS-i ka krijuar bashkëpunim me shumë kompani private në disa qytete të mëdha, si Pekin, Shangai dhe Chengdu, me rezultatet e tyre të jashtëzakonshme në pozicionimin e saktë dhe dërgimin e mesazheve.

Pajisjet e pozicionimit të mbështetura në sistemin "Beidou" janë instaluar në qindra mijë biçikleta publike të Pekinit, duke bërë që ato të gjenden më lehtë, edhe kur janë nën ndërtesa apo pemë, dhe duke i ndihmuar përdoruesit të gjejnë zonat e përcaktuara më të afërta për lënien e biçikletave.

Me saktësinë centimetrike, BDS-i mund të tregojë në cilën korsi po ecin makinat, gjë që hedh bazë për teknologjinë e vetëdrejtimit të automjeteve. Me ndihmën e tij, dronat mund të zbresin në ballkonet e klientëve për dërgimin e pakove dhe makinat kositëse mund të punojnë vetë në një rreze deri në dy metra.

Në sajë të promovimit të kompanive të shumta private, BDS-i mund të përdoret në fusha të panumërta.

Dërgimi i mesazheve me shkrim nëpërmjet satelitëve është një specialitet i BDS-it në krahasim me GPS-in. Për shembull, nëpërmjet satelitëve të "Beidou"-t peshkatarët mund të komunikojnë me njëri-tjetrin me mesazhe të shkruara në ujërat detare ku nuk ka sinjal celulari. Deri tani, në 40 mijë anije peshkimi është instaluar ky sistem.

Disa prodhues të pajisjeve për sportet në natyrë ofrojnë edhe një kuti të vogël të lidhur me sistemin BDS për të dërguar informacione për vendndodhjen, gjë që është e shumë e rëndësishme në rast të aksidenteve a të fatkeqësive natyrore.

Me përpjekjet e kompanive private, 4.8 milionë pajisje pozicionimi të mbështetura në sistemin BDS janë instaluar në Pekin, duke përfshirë 30 mijë taksi, 20 mijë autobusë dhe 1.5 mijë kamiona. Në disa qytete të Kinës BDS-i përdoret gjerësisht për të ndjekur lëvizjet e automjeteve që transportojnë lëndë të rrezikshme kimike.

Akademia e Shkencave e Kinës ka studiuar një pajisje për monitorimin dhe mbrojtjen e kafshëve të egra që rrezikohen të zhduken, ndërsa një fermë e madhe në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës Veriore përdor një mjet të ngjashëm për të ndjekur bagëtitë.

Krahas shfrytëzimit të gjerë në sektorë si hekurudhat, topografia, hartografia, transporti detar dhe ajror, Shoqata për Sistemin e Pozicionimit Satelitor Global dhe Shërbimet e Bazuara mbi Pozicionimin e Kinës parashikon që industria kineze e pozicionimit satelitor do të realizojë një treg me një vlerë mbi 72 miliardë dollarë amerikanë para fundit të vitit 2020. Ndërkohë, BDS-i do ta kalojë GPS-in për sa i përket përqindjes së zënies së tregut kinez, nga 30 % në vitin 2016 në 60% vitin tjetër.

Mrekulli
Lajmet Kryesore