Sonda dhe roveri kinez lënë gjurmë në Hënë

2019-01-15 11:06:18 CRI Komenti juaj Printoni

Në paraditën e ditës së tretë të vitit të ri, sonda kozmike kineze "Chang'e-4", pasi mbërriti me sukses në zonën e planifikuar në anën e pasme të Hënës, dërgoi foton e parë nga kjo pjesë misterioze e pashkelur më parë nga njerëzimi nëpërmjet satelitetit transmetues "Queqiao", duke hapur një faqe të re të eksplorimit hënor nga njeriu. Në mbrëmje, roveri "Yutu-2" u nda me sukses nga zbritësi dhe nisi udhëtimin e parë në Hënë. Sot do t'ju njohim me hollësi për procesin e realizimit të kësaj arritjeje shkencore.

Pas një fluturimi gati 380 mijë kilometra në 26 ditë, sonda kozmike kineze "Chang'e-4" hyri në orbitën 15 kilometra mbi sipërfaqen e Hënës. Qendra e kontrollit të fluturimeve kozmike të Pekinit ndoqi zbritjen graduale të "Chang'e-4" në Hënë. Kur ishte 10 metra larg, sonda ndenji pezull, duke bërë vlerësimin grafik për relievin dhe pengesat e largëta. Pasi zgjodhi zonën e përshtatshme, ajo zbriti dalëngadalë horizontalisht brenda zonës së paracaktuar në pjesën e pasme të Hënës.

Lidhur me këtë proces, zëdhënësi i projektit Yu Guomin u shpreh se tre faktorë kanë luajtur një rol të rëndësishëm:

"Së pari është funksionimi i mbarë i satelitit tonë transmetues 'Quqiao', i cili ka ofruar një platformë për komunikim të qëndrueshëm midis qendrës së kontrollit dhe sondës. Kjo është teknologjia më e përparuar në botë, e cila është shpikur nga studiuesit kinezë. Së dyti është motori ynë i fuqishëm, që përballoi situata të vështira në faza të ndryshme të zbritjes. Së treti është qëndrimi pezull 30 sekonda për vlerësimin dhe përcaktimin e destinacionit të përshtatshëm, sepse kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme për lëvizjen e mëvonshme të roverit."

Kryeprojektuesi i "Chang'e-4" Sun Zezhou u shpreh se tani të gjitha pajisjet punojnë normalisht dhe janë të gatshme për kryerjen e më shumë misioneve.

"Kemi bërë një zbritje të saktë, qoftë nga koha apo edhe nga pozicioni. Zbritëm në mënyrë të qëndrueshme me një kënd ideal. Tani detyra më e rëndësishme është të garantohet funksionimi i roverit, në mënyrë që ai të punojë i pavarur dhe pa problem në udhëtimin e ardhshëm", tha z. Sun.

"Chang'e-4" mbërriti në kraterin Theodore von Kármán të pellgut Poli Jugor-Aitken. Shkencëtarët janë të mendimit se pjesa e prapme e Hënës është formuar më herët se pjesa e parme. Pellgu, afro 2500 kilometra i gjerë dhe 12 kilometra i thellë, është më i madhi dhe më i thelli ndër të gjitha pellgjet e zbuluara deri tani në të gjitha trupat e ngurta qiellore të sistemit diellor. Materialet përbërëse dhe karakteristikat gjeologjike mund të përfaqësojnë tiparet e pellgut, gjë që ka vlera të rëndësishme për studimin e historisë së hershme të Hënës dhe të sistemit diellor. Lidhur me këtë, kryeinxhinieri i projektit të eksplorimit hënor të Kinës, Wu Weiren, u shpreh:"Shkencëtarët janë të mendimit se pellgu Poli Jugor-Aitken mund të jetë formuar gjatë shpërthimit të madh të universit (Big Bang-ut), ose nga goditjet e trupave të vogla qiellore. ​ Ata mendojnë se ai përmban informacione për zanafillën e kozmosit dhe ka vlera të mëdha studimore. Për shembull, ai është 12 kilometra i thellë, por nën këtë thellësi, shtrohet pyetja ka apo s'ka ujë ose elemente të tjera? ​Prandaj, vendosëm që sonda jonë të zbresë në këtë pellg".

Pasi zbriti me sukses në vendin e paracaktuar, "Chang'e-4" dërgoi foton e parë në botë të pamjes reale të sipërfaqes së anës së pasme të Hënës. Në të njëjtën ditë, u zbulua emri i roverit që ndodhej në sondë, "Yutu-2". Sipas legjendave tradicionale kineze, Yutu, që do të thotë "lepur nefriti ( i bardhë)", është një kafshë shtëpiake që mbahet nga Chang'e, një hyjneshë në hënë.

Në mbrëmjen e 3 janarit, "Yutu-2" u nda me zbritësin dhe hodhi hapin e parë jashtë sondës. Në të njëjtën kohë, kamera vëzhguese e instaluar në zbritës fotografoi gjurmën e parë që roveri "Yutu-2" la mbi Hënë.

Z. Wu Weiren bën të ditur se "Chang'e-4" do të bëjë kërkime dhe studime për relievin, përbërjen minerare dhe strukturat e shtresave gjeologjike.

"Kryerja e suksesshme e këtij misioni vërteton se tani mund të shkojmë kudo në Hënë, si në anën e përparme, edhe të pasme, si në polin jugor, edhe atë verior. Pasi të zbresim atje, mund të bëjmë shumë gjëra në sipërfaqen e Hënës, si studimi i përbërjes minerare, strukturës gjeologjike etj. Mund të vizatojmë edhe një hartë sektoriale nëntokësore të Hënës deri në një thellësi 300 metra", shpjegoi kryeinxhinieri i projektit të eksplorimit.

Ky mision i ka ofruar shkencëtarëve pjesëmarrës kinezë dhe të huaj mundësinë për eksplorime të gjera. Sonda "Chang'e-4" mbart tetë pajisje studimore, duke përfshirë dy të studiuara në bashkëpunim ndërkombëtar. Këto pajisje do të ndihmojnë në zhvillimin e studimeve për mjedisin natyror hënor dhe eksperimenteve biologjike.

Mrekulli
Lajmet Kryesore