Robert Kuhn, njeriu që i rrëfen botës një Kinë të vërtetë

2019-01-07 16:40:01 CRI Komenti juaj Printoni

Si dëshmitar dhe pjesëmarrës i Reformës dhe Hapjes të Kinës, eksperti amerikan për çështjet e Kinës, Robert Lawrence Kuhn, i është përkushtuar gjithmonë rrëfimit të historive të Kinës botës së jashtme. Në konferencën përkujtimore të 40- vjetorit të politikës së Reformës dhe Hapjes të zhvilluar ditët e fundit në Pekin, z. Kuhn ishte një ndër 10 të huajt që u dekoruan me "Medaljen e Miqësisë për Reformën e Kinës".

Lidhur me këtë, ai u shpreh në një intervistë për Radion e Jashtme të Kinës se ky është jo vetëm një nder personal, por simbolizon edhe rëndësinë që Kina u kushton shkëmbimeve ndërkombëtare: "Ky është një nder dhe sihariq i madh. Ndihem me fat që mund të fitoja këtë vlerësim të lartë në kuadrin e 40-vjetorit të nisjes së politikës së Reformës dhe Hapjes. Kina po merr pjesë aktivisht në çështjet ndërkombëtare në kushtet e një situate botërore të ndërlikuar, që është në ndryshim e sipër. Vëmendja që Kina u kushton shkëmbimeve ndërkombëtare do të favorizojë pjesëmarrjen e saj në tregun global, ndarjen e koncepteve e saj për zhvillimin dhe mësimin e saj nga bota e jashtme".

Në intervistë ai u shpreh se ndihej i nderuar që mundi të dëshmonte me sytë e vet në disa dekada të kaluara përparimet e Kinës në fushat ekonomike, shoqërore, kulturore dhe teknologjike, të cilat sipas tij, janë arritje të rëndësishme pas zbatimit të Reformës dhe Hapjes. Z. Kuhn vuri në dukje se fjalimi i rastit i presidentit kinez Xi Jinping në konferencën përkujtimore është një udhëzim i gjithanshëm për thellimin e mëtejshëm të Reformës dhe Hapjes.

"Fjalimi i z. Xi Jinping është shumë i rëndësishëm dhe është si një përmendore dhe një pikënisje. E quaj përmendore, sepse në të përgjithësohen arritjet dhe sfidat gjatë zbatimit 40-vjeçar të Reformës dhe Hapjes. E quaj pikënisje sepse ka hedhur gurin themeltar për thellimin e mëtejshëm të Reformës dhe zgjerimin më të madh të Hapjes," tha z. Kuhn.

Lidhja e Robert Kuhn-it me Kinën fillon nga fundi i viteve '80 të shekullit të kaluar. Në janarin e vitit 1989, ai, si neurobiolog dhe bankier investimesh, erdhi i ftuar në Kinë për herë të parë për konsultime mbi integrimin e institucioneve studimore në ekonominë e tregut. Ai shprehet se në atë kohë, dinte shumë pak për Kinën. Por, pasi pa nga afër se në Kinën e sapohapur, njerëzit me profesione të ndryshme ishin shumë të zellshëm për të mësuar dhe për të përmirësuar jetesën e tyre, me entuziazmin për t'u përfshirë në botë, ai kuptoi se zhvillimi i Kinës do të kishte një ndikim të rëndësishëm për tërë botën.

Në 30 vjetët e mëvonshëm, z. Kuhn kreu shumë udhëtime në Kinë, duke dëshmuar me sytë e vet shumë çaste të rëndësishme historike të Kinës. Ndërkohë, nëpërmjet studimit të politikave e masave të qeverisë kineze, kontakteve të drejtpërdrejta me udhëheqësit, zyrtarët, studiuesit, punëtorë, fshatarët dhe studentët kinezë, ai ka thelluar në mënyrë të gjithanshme njohuritë e veta për zhvillimin e Kinës.

Nga mesi i viteve '90 të shekullit të kaluar, z. Kuhn vuri re se stereotipet e amerikanëve për Kinën ishin krejt të ndryshme nga realiteti në Kinën që pa nga afër. Ndërkohë, mediat perëndimore, të përfaqësuara nga ato amerikane, e keqinterpretonin mjaft gjendjen në Kinë. Prandaj, ai filloi përpjekjet e veta, si botimi i librave dhe prodhimi i dokumentarëve, për paraqitjen e një Kine të vërtetë dhe të mrekullueshme në mënyrë të gjithanshme.

"Nuk përpoqa asnjëherë të ofroja pikëpamje të balancuar, por vetëm të fokusohem te shtjellimi i historive të vërteta. Në fakt, edhe ky shtjellim nuk është i lehtë, sepse ka të bëjë më shumë faktorë të ndërlikuar. Kur sfidohem nga këndvështrime të ndryshme për çështjet e Kinës, gjithmonë mbroj duke sqaruar arsyet e thella, duke u treguar medieve perëndimore se faktet këtu janë shumë më të ndërlikuara se ato që shohin me sy dhe se zyrtarët e ekspertët që njoh në Kinë kanë njohuri më të mira për fushat përkatëse. Shumë njerëz janë të mendimit se shpesh mbroj ose shpreh qëndrimin e palës kineze. Por faktikisht, këto nuk janë asnjëherë objektivat e mia. Synoj vetëm shtjellimin e të vërtetave", shtoi z. Kuhn.

Kur është fjala për historitë që ai tregon lidhur me Kinën, nuk mund të lihet pa përmendur seria e librave të tij për Reformën e Hapjen, si "Si mendojnë liderët kinezë?" etj. Në vitin 2008, ai me botimin e librit "30 vjetë në Kinë - Transformimi madhështor i shoqërisë njerëzore", bëri një përshkrim të mrekullueshëm dhe të thellë për prcoesin e zhvillimit të Kinës. Përveç kësaj, ai bashkëpunon si prodhues dhe drejtues me televizionet kineze, duke krijuar disa dokumentarë për të shfaqur pamjen reale të Kinës.

Ditët e fundit, z. Kuhn është i zënë me prodhimin e një dokumentari për zhdukjen e varfërisë në Kinë.

"Sipas mendimit tim, zhdukja e varfërisë sipas kushteve specifike është një temë e rëndësishme dhe tërheqëse, por tani për tani bota perëndimore nuk i kushton rëndësi të mjaftueshme", tha ai.

Mrekulli
Lajmet Kryesore