Tetë destinacione të parapëlqyera turistike në dimër

2018-12-31 13:25:49 CRI Komenti juaj Printoni

Me një sipërfaqe prej 9.6 milionë kilometrash katrore, gjerësia gjeografike e Kinës ka një diferencë mbi 50° nga veriu në jug, si rezultat i të cilit, ndryshimi i temperaturës brenda territorit të Kinës është shumë i madh. Në dimër, temperatura më e ulët në provincën veriore Heilongjiang mund të shkojë në minus 45 gradë celsius, ndërsa në ishullin jugor Hainan, temperatura mund të arrijë në 24 gradë celsius. Kështu që, nëse vini në Kinë për një vizitë turistike dimërore, mund të keni përvoja krejt të ndryshme në zonat më të ftohta dhe ato më të ngrohta. Në vijim janë tetë destinacionet më të pëlqyera nga turistët kinezë si përfaqësues të këtyre përjetimeve.

Harbini, frigoriferi natyror

Harbini është një qytet i lashtë verior, ku takohen kultura kineze dhe ajo ortodokse. Në këtë qytet, që ndodhet shumë afër kufirit me Rusinë, mund të përjetoni një të ftohtë që shkon deri në minus 30 gradë celsius, të provoni lojërat sportive dimërore ose të vizitoni Katedralen e Shën-Sofisë dhe të shëtisni në bulevardin plot ndërtesa me karakteristika të shumëllojshme arkitekturore perëndimore. Në Harbinin me mbi 10 milionë banorë, patjetër mund të gjeni edhe jetën moderne si në çdo qytet të madh. Këtu organizohet edhe një festival shumë i njohur ndërkombëtar i skulpturave prej akulli, që tërheq çdo vit gati gjysmë milioni turistë nga brenda e jashtë vendit.

Linjiang-u, bukuri dimërore

Linjiang-u është një distrikt në provincën Jilin të Kinës Verilindore. Ai vlerësohet si një ndër "Distriktet më të bukura në Kinë" dhe "Vatra e ajrit të freskët". Aty ka shumë pika turistike natyrore, ku mund të shijoni bukurinë e vargmaleve madhështore dhe lumenjtë e gjatë e të gjerë. Në Linjiang mund të kalosh një kohë të bukur në parqet argëtuese me dëborë dhe akull.

Vargmalet Changbai, vendi më afër parajsës

Vargmalet Changbai në provincën Jilin të Kinës Verilindore kanë bukuri të veçantë. Aty ka maja të larta dhe pyje të dendura. Pika më tërheqëse është liqeni Tianchi, që rrethohet nga 16 maja të larta. Pellgu në formën e një çadre kokëposhtë ku ndodhet liqeni, ka qenë gryka e një vullkani, që ka qenë aktiv para 12 milionë vjetësh. Duke mbledhur reshjet dhe dëborën e shkrirë nga majat përreth, Tianchi mban mbi 2 miliardë metra kubë ujë të kthjellët që shkëlqen si pasqyrë e pastër. Ai është liqeni vullkanik më i madh në Kinë dhe më i thellë në botë ndër të gjithat liqenet në vargmalet e larta. Në dimër, shtresa e akullit arrin mbi 1.2 metra.

Xuexiang-u, vendlindja e dëborës

Xuexiang-u, që do të thotë "vendlindja e dëborës", është ajo si e vlerësojnë njerëzit fermën pyjore Shuangfeng të provincës Heilongjiang. Vizitorët që kanë qenë atje, e quajnë atë si një vend që ekziston në përrallë. Për shkak të klimës së lagësht, këtu në verë bie shumë shi dhe në dimër vendi mbulohet nga dëbora e bardhë. Çdo vit, thellësia e dëborës mund të arrijë në dy metra. Në fillim vetëm fotografët mund të kapnin bukurinë mahnitëse të një bote të bardhë. Me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë turistë vijnë këtu për të shijuar peizazhin e veçantë që krijohet nga dëbora e madhe. Këtu ata mund të luajnë shumë lojëra me borë dhe të provojnë ushqimet karakteristike të zonës pyjore.

Vargmalet Huangshan, shijimi i "detit të reve"

Vargmalet Huangshan janë një ndër pikat turistike më popullore në Kinë, të cilat kanë bukuri të veçantë në të katër stinët e vitit. Nëse vini këtu në dimër, "deti i reve" është diçka që duhet parë patjetër. Në majat e Huangshan-it, mund të shikoni "detin" pa fund që formohet nga retë e bardha. Por në dimër, "ujërat e detit" janë më të shumta dhe lëvizin në një përmasë më madhështore. Çdo mëngjes, turistët e panumërt që qëndrojnë në hotelet sipër ose në rrëzë të vargmaleve ngjiten herët në maja për të soditur agimin e diellit mbi detin e reve.

Tangshan-i, çlodhje dhe mjekim me spa

Tangshan-i, me burime ujërash termale, ndodhet në distriktin Jiangning të qytetit Nankin. Ai është një vendpushim i njohur me spa në botë dhe qendra më e famshme në Kinë për burimet termale përtëritëse, të cilat kanë marrë certifikata nga institucione profesioniste europiane dhe japoneze për efektin e tyre të veçantë.

Kinezët e lashtë filluan ta shfrytëzonin këtë burim të vyer natyror para 1500 vjetësh. Që nga rreth 1000 vjet më parë, Tangshan-u u përcaktua si një qendër llixhash që përdorej posaçërisht për anëtarët e familjes perandorake.

Përditë këtu burojnë 5000 tonë ujëra termale me një temperaturë 60-65℃. Sipas analizave shkencore, uji, që përmban më shumë se 30 substanca dhe mikroelemente, mund të mjekojë sëmundjet e lëkurës, artritin, reumatizmin, tensionin e lartë të gjakut etj.

Xizang-u, tradita të veçanta kulturore

Në rrafshnaltën më të lartë të botës, mund të gjeni këtu vargmalet madhështore të veshura me dëborë të bardhë, livadhe të verdha dhe pyje të shumëngjyrshme. Në dimër, banorët që jetojnë në Rajonin Autonom të Xizang-ut (Tibet) kanë shumë festa për të kremtuar. Gjatë Vitit të Ri Tibetian, që në vitin 2019 i bie në fillim të shkurtit, banorët vendorë zhvillojnë një sërë veprimtarish, si vallëzim, shfaqje etj., me karakteristika kombëtare kulturore, për të kremtuar këtë festë më të rëndësishme të tërë vitit për ta.

Sanya, për ata që nuk u pëlqen ftohtësia

Qyteti Sanya ndodhet në provincën ishullore të Kinës Jugore, Hainan. Si një ndër qytetet në Kinë që janë më afër ekuatorit, temperatura mesatare këtu në dimër mund të arrijë në 25℃. Kështu që në kohën më të ftohtë të vitit, shumë turistë jo vetëm kinezë, por edhe të huaj, sidomos rusë vijnë këtu për t'iu shmangur të ftohtit. Pyjet tropikale, ishujt e vegjël, terapitë e mjekësisë tradicionale kineze, janë gjërat më tërheqëse në Hainan.

Mrekulli
Lajmet Kryesore