Kombësitë kineze me mbi pesë milionë veta (I)

2018-12-31 09:43:04 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kinë, ka dhjetë kombësi kineze me më shumë se 5 milionë banorë, që janë kombësia hane, zhuang, hui, mançure, ujgure, miao, yi, tujia, tibetiane dhe mongole.

Kombësia hane

Kombësia hane është më e madhja ndër 56 kombësitë e Kinës, e madje edhe kombësia më e madhe në botë. Sot, numri i pjesëtarëve të kësaj kombësie arrin në 1.22 miliardë. Kombësia hane, që në të kaluarën është quajtur "Huaxia", jeton në pllajat qendrore të Kinës dhe ka një qytetërim me një histori 5000-vjeçare. Me kalimin e kohës, kombësia hane është integruar me kombësi të tjera. Duke filluar nga dinastia Han, ajo u quajt kombësia hane. Kjo kombësi ka gjuhën dhe hieroglifet e veta. Gjuha hane i përket familjes së gjuhëve hane-tibetiane dhe është e ndarë në tetë dialekte, përkatësisht dialekti i Veriut, dialekti Wu, dialekti i Hunan-it, dialekti i Jiangxi-së, dialekti Hakka, dialekti i Fujian-it Jugor, dialekti i Fujian-it Verior dhe dialekti i Guangdong-ut. Varianti standard i gjuhës hane quhet putonghua. Hieroglifet e gjuhës hane (kineze) janë ndër më të vjetrit në botë dhe e kanë fillesën nga mbishkrimet në kockat apo zhguajt e breshkave, duke kaluar nga ideogramet jin në hieroglifet e sotme në formë katrore. Gjithsej ka më shumë se 80 mijë hieroglife kineze, prej të cilave zakonisht përdoren rreth 7000. Gjuha kineze (hane) është një nga gjuhët më të përdorura në botë.

Struktura ushqimore e kombësisë hane është kryesisht e përbërë nga drithërat, ndërsa ushqimet e bëra nga kafshët dhe perimet janë ushqime dytësore. Në rrjedhën e gjatë të zhvillimit, anëtarët e kombësisë hane kanë formuar zakonin e të ngrënit tre herë në ditë. Orizi dhe makaronat janë dy llojet kryesore të ushqimeve bazë. Përveç tyre, edhe drithërat e tjera, duke përfshirë misrin, melekuqen, melin dhe pataten e ëmbël, janë gjithashtu përbërës ushqimorë bazë të rajoneve të ndryshme të Kinës. Për sa u përket zakoneve të të ngrënit, të cilat janë të ndikuara nga kushtet e ndryshme, kombësia hane ka lloje të ndryshme kuzhinash, të cilat përbëjnë atë që në botë njihet si kuzhina kineze. Kuzhina kineze përbëhet në të vërtetë nga tetë kuzhina përfaqësuese, duke përfshirë atë të Hunan-it, Sichuan-it, të Kinës Veriperëndimore dhe të Guangdong-ut.

Rakia dhe çaji janë dy pijet kryesore të kombësisë hane. Kina është vendlindja e çajit dhe është gjithashtu një ndër vendet e para që ka shpikur teknologjinë e prodhimit të rakisë. Historia e kulturës së pijeve alkoolike dhe e çajit në Kinë është e gjatë. Përveç pijeve alkoolike dhe çajit, që janë dy pijet kryesore, edhe me frutat janë bërë gjithashtu pije në rajone të ndryshme të Kinës, sipas stinëve të ndryshme.

Kombësia hane ka shumë festa, ndër të cilat Festa e Pranverës mbi bazën e kalendarit hënor është më tradicionalja. Përveç saj, festa të tjera të rëndësishme janë Festa e Fenerëve, që bie në ditën e 15-të të muajit të parë sipas kalendarit hënor, Festa Qingming (më 4 ose 5 prill, sipas kalendarit diellor), Festa e Varkës së Dragoi (në ditën e 5-të të muajit të pestë sipas kalendarit hënor), dhe Festa e Mesvjeshtës (në ditën e 15-të të muajit të tetë sipas kalendarit hënor).

Kombësia zhuang

Kombësia zhuang është pakica kombëtare më e madhe në Kinë dhe kryesisht gjendet e përqendruar në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang në Kinën Jugore. Kjo kombësi flet gjuhën zhuang, që i takon familjes së gjuhëve hane-tibetiane dhe ka dy dialekte kryesore.

Kombësia zhuang është një kombësi vendëse e Kinës jugore dhe ka një histori të gjatë. Dhjetëra mijë vjet më parë, paraardhësit e kësaj kombësie jetonin në jug të Kinës.

Rajoni Autonom Guangxi-Zhuang u themelua në vitin 1958.

Kombësia zhuang merret kryesisht me bujqësi dhe kryesisht kultivon orizin dhe misrin. Pjesëtarëve të kësaj kombësie u pëlqen të këndojnë dhe zonat ku jetojnë ata quhen "deti i këngëve". Brokada e mrekullueshme Zhuang është një produkt tradicional zejtarie i kësaj kombësie.

Në të kaluarën, banorët e kombësisë zhuang nderonin natyrën dhe hyjni të ndryshme. Pas dinastive Tang dhe Song, budizmi dhe taoizmi hynë në zonat ku banonin pjesëtarët e kombësisë zhuang.

Mrekulli
Lajmet Kryesore