Fshati që vuante nga uji i ndotur, bëhet model për botën

2018-12-24 19:03:40 CRI Komenti juaj Printoni

Fshati Lujia në kontenë Anji të provincës Zhejiang të Kinës Lindore e ka marrë emrin nga Lu Ban, një marangoz, inxhinier dhe shpikës kinez që ka jetuar para 2400 vjetësh. Thuhet se 500 vjet më parë, një grup zejtarësh erdhën këtu dhe ndërtuan fshatin mbi tokën shterpë.

Fryma e "krijimit i mrekullisë nga zero" i ka nxitur banorët vendorë brez pas brezi deri më sot.

Sivjet, kryetarja e fshatit Lujia, Qiu Liqin, vajti në selinë e OKB-së në Nju-Jork si një ndër përfaqësuesit e provincës për të marrë Çmimin "Kampionët e Tokës". Programi "Ringjallja e gjelbër rurale" i Zhejiang-ut fitoi çmimin për shkak të përvojës së suksesshme në pastrimin e ujit të lumenjve të ndotur rëndë më parë.

Erik Solheim, drejtor ekzekutiv i agjencisë së mjedisit të OKB-së, i tha znj. Qiu se ndryshimi i fshatrave në Zhejiang përfaqëson të ardhmen e fshatrave në Kinë dhe botë.

Pas mbrojtjes shumëvjeçare të ujit dhe restaurimit ekologjik, fshatarët po gëzojnë një mjedis të pastër dhe të bukur të integruar me natyrën. Por është e vështirë të përfytyrosh se sa i pistë dhe i varfër ka qenë ky fshat.

"Ujërat e zeza qarkullonin kudo dhe askush nuk merrej me trajtimin e mbeturinave. Njerëzit ishin mësuar t'i derdhnin plehra pranë lumit", thotë znj. Qiu.

Kolegu i saj, Zhu Renbin, pohoi se fshati ishte i rrëgjuar fare. Për këtë arsye, ai nuk dëshironte të kthehej në vendlindje pasi u diplomua në vitet '90 të shekullit të kaluar.

"Rrugët ishin shumë të këqija. I vetmi mjet transporti për të shkuar në fshat ishte një kamion me tre rrota. Sa herë kalonte kamioni, rrobat e mia mbuloheshin me pluhur", shtoi z. Zhu.

Pasi mbaroi studimet pasuniversitare, ai u kthye në fshat, por zbuloi se asgjë nuk kishte ndryshuar. Ishte si në të kaluarën, kur ishte i vogël. Pas kësaj, ai filloi të mendonte për arsyet pse fshatrat e tjera kishin ndryshuar, por jo vendlindja e tij.

Disa vjet më vonë, Zhu hoqi dorë nga biznesi i shitjes së mallrave sportive dhe u zgjodh sekretar i komitetit të Partisë për fshatin. Pasi filloi punën e re, ai u betua të bënte gjithçka për lulëzimin e Lujia-së.

Mirëpo, si mund të zhvillohej ky fshat pa asnjë industri ose pikë turistike?

Filmi "Tigri i tulatur dhe dragoi i fshehur", që ka fituar çmimin "Oskar" në vitin 2001, është xhiruar në pyjet e bambuve në kontenë Anji. Katër vjet më vonë, presidenti kinez Xi Jinping, atëherë sekretar i Komitetit të Partisë të provincës Zhejiang, u shpreh gjatë vizitës së tij në Anji se zhvillimi ekonomik nuk duhet të realizohet në dëm të mjedisit. Më vonë, ai shpalli Programin "Ringjallja e gjelbër rurale" për të forcuar mbrojtjen e ujit, parandalimin e ndotjeve dhe përtëritjen e mjedisit ekologjik.

Kjo e frymëzoi z. Zhu, që punon në një ndër fshatrat e administruara nga konteja Anji. Ai dhe drejtues të tjerë të fshatit morën vendimin ta vinin mbrojtjen e mjedisit para zhvillimit ekonomik.

Mirëpo, në atë kohë, në llogarinë kolektive të fshatit kishte vetëm 870 dollarë amerikanë, por borxhet ishin mbi 210 mijë dollarë, gjë që do të thotë se nuk kishte para për zbatimin e projekteve përkatëse.

Për ta zgjidhur këtë problem, z. Zhu bleu kosha plehrash dhe punësoi pastrues me paratë e veta, për ruajtjen e pastërtisë së fshatit dhe të lumit.

Por rezultati nuk ishte siç e parashikonte. Disa fshatarë ankoheshin sepse ata ishin mësuar t'i derdhnin mbeturinat afër lumit, duke e quajtur të pazbatueshme atë që dontë të bënte Zhu. Ata madje nuk pranuan as të zhvendoseshin nga shtëpitë e vjetra në banesat e reja.

Znj. Qiu kujton një mbrëmje të nxehtë vere, kur një i moshuar i bërtiti asaj dhe Zhu-së dhe u kërkoi që të dilnin nga shtëpia e tij, sepse nuk ishte i kënaqur me kompensimin për zhvendosjen. Ai kërkoi më shumë para. Pavarësisht sharjeve të padrejta, Qiu shkoi dhe mbylli derën, duke thënë se po të lihej e hapur, mushkonjat do të hynin brenda.

Pas negociatave që zgjatën disa orë, i moshuari ra dakord të nënshkruante kontratën e zhvendosjes.

Qiu dhe Zhu nuk e mbajnë mend sa net të tilla kaluan në vitin 2011. "Ndoshta, më në fund, përpjekjet tona të pandërprera i prekën banorët. Disa prej tyre na ndihmuan për t'u mbushur mendjen të tjerëve që nuk mbështesnin programin e reformës së fshatit", tha znj. Qiu.

Më vonë nisi të zbatohej programi "Shefat e lumenjve" i provincës Zhejiang. Fshati Lujia punësoi gra vendore për të vëzhguar cilësinë e ujit dhe për gjetjen e kontrollin e ndotjeve.

Sipas agjencisë së mjedisit të OKB-së, 97% e fshatrave në provincën Zhejiang i kanë transformuar ujërat e tyre të ndotura në lumenj ku rrjedh ujë i pastër, nga përfitojnë mbi 30 milionë banorë.

Tani, kur banorët e fshatit gjetën mbeturinë në rrugë apo afër lumit, ata do të mbledhin dhe hedhin në gosh menjëherë.

Pas përpjekjesh shumëvjeçare, Lujia fitoi titullin "Modeli i fshatit të bukur" dhe po mirëpret vizitorët e fshatrave të tjera të vendit për të mësuar nga përvoja e tij.

Mjedisi i përshtatshëm natyror ka tërhequr edhe investimet.

Në vitin 2013, një hekurudhë 4.5 kilometra e gjatë u përurua në fshat, që lidh 18 ferma ku rriten bambu, perime, fruta dhe bimë mjekësore. Pasi të gjitha fermat të mbarojnë së ndërtuari vitin tjetër, ato do të tërheqin më shumë turistë.

Nga viti 2011 deri në vitin 2017, të ardhurat vjetore për frymë të banorëve vendorë janë rritur 2.5 herë.

Drejtuesit e fshatit Lujia vlerësojnë se arsyeja e suksesit është modeli i posaçëm i funksionimit, i njohur si "kompani-fshat-fermë". Një kompani turistike përgjigjet për marketingun dhe funksionimin normal të turizmit të fshatit. Ndërsa, komiteti i fshatit merret me bashkërendimin dhe administrimin, duke integruar burimet qeveritare dhe publike. Fshatarët fokusohen te ndërtimi infrastrukturor dhe rritja e nivelit industrial.

"Jemi të gatshëm të ndajmë përvojat tona me fshatrat e tjera. Nëse ne arritëm sukses, edhe të tjerët munden", tha z. Zhu.

Mrekulli
Lajmet Kryesore