Udhëzime për përdorimin e parave në Kinë

2018-12-24 19:10:27 CRI Komenti juaj Printoni

Monedha kineze

Monedha zyrtare e Republikës Popullore të Kinës, e quajtur renminbi (monedha popullore), emetohet nga Banka Popullore e Kinës, e cila është banka qendrore kineze. Njësia bazë e renminbi-së është juani (yuan), por termi "juan" mund t'i referohet edhe monedhës kineze në përgjithësi. Prandaj, në vend të termit renminbi mund të shohim të përdoret shpesh togfjalëshi "juani kinez". Juani është një monedhë që ka si nënndarje jiao-n dhe fen-in. Një juan është i barasvlershëm me dhjetë jiao, ndërsa një jiao është i barabartë me vlerën e dhjetë fen-ëve. Juani gjendet në prerje 1, 2, 5, 10, 20, 50 dhe 100, kurse jiao dhe fen-i në prerje 1, 2 e 5. Shkurtimi i renminbi-së është RMB.

Renminbi-ja ka kaluar nëpër një proces ndërkombëtarizimi të shpejtë dhe është sot një ndër monedhat më të tregtueshme në botë. Në vitin 2016 renminbi-ja u bë monedha e parë e një vendi në zhvillim që u përfshi në shportën e Të Drejtave të Veçanta të Tërheqjes të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Këmbimi i valutës së huaj

Tani në pjesën kontinentale të Kinës valutat e konvertueshme përfshijnë dollarin amerikan, euron, paundin britanik, jenin japonez, dollarin australian, dollarin kanadez, frangën zvicerane, koronën suedeze, koronën norvegjeze, koronën daneze, peson filipinase, bahtin tajlandez, dollarin e Singaporit, dollarin malajzian, si edhe patakën e Makaos, dollarin e Hong-Kongut dhe dollarin e ri të Tajvanit. Gjithashtu, në disa pika të Bankës së Kinës ofrohet shërbimi i këmbimit të rublës ruse dhe rupias indoneziane. Këmbimi midis renminbi-së dhe monedhave të tjera është një shërbim që ofrohet nga bankat kineze.

Sipas Ligjit mbi Administrimin e Valutës së Huaj në Kinë, qarkullimi i monedhave të huaja është i ndaluar në territorin e Republikës Popullore të Kinës dhe transaksionet nuk mund të bëhen në monedhë të huaj. Për të ndihmuar turistët e huaj në pjesën kontinentale të Kinës dhe bashkatdhetarët nga Hong-Kongu, Makaoja dhe Tajvani, Banka e Kinës dhe banka të tjera të ngarkuara për ofrimin e këmbimit valutor, përveç shërbimit të konvertimit të çeqeve të udhëtarëve e të kartave të kreditit në renminbi, kryejnë dhe këmbimin e valutave të huaja të sipërpërmendura, e po ashtu edhe të monedhave të Hong-Kongut, të Makaos e të Tajvanit. Për të lehtësuar sa më shumë që të jetë e mundur këmbimin valutor, përveç bankave, edhe disa hotele, restorante dhe dyqane ofrojnë shërbime të tilla. Para se të largoheni nga Kina, juanët që ju kanë mbetur mund t'i ktheni në valutë të huaj pasi të paraqitni faturën e këmbimit të valutës së huaj në juanë që keni bërë më parë, me një afat 6-mujor. Transaksioni kryhet në bazë të kursit të këmbimit të ditës. Për konvertimin e çeqeve të udhëtarëve, të kartave të kreditit dhe të dërgimit parave nga jashtë, bëhet një këmbim që korrespondon me atë të blerjes. Për të blerë RMB duhet të shihni çmimin e shitjes së RMB-së nga banka, ndërsa për të shitur RMB çmimin e blerjes nga banka.

Për këmbimin valutor në Kinë ka një kufi ditor. Nuk mund të blini më shumë se 5 mijë dollarë amerikanë në ditë dhe nuk mund të dërgohen nga jashtë më shumë se 50 mijë dollarë amerikanë.

Kartat e huaj të kreditit që përdoren në Kinë

Tani në Kinë mund të përdoren këto karta krediti të huaja: "Master Card", "Visa Card", "American Express", JCB dhe "Diners Club".

Mrekulli
Lajmet Kryesore